Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Vdesin dy marinarë libianë të plagosur nga sulmi ukrainas ndaj anijes ruse

Anija

Foto: Associated Press

Dy oficerë të marinës libiane kanë vdekur nga plagët e marra gjatë një sulmi me dronë ukrainas ndaj një anijeje luftarake ruse, e cila ishte ankoruar në Libinë lindore, kanë njoftuar autoritetet libiane.

Dy oficerët janë shpallur të vdekur të martën në mbrëmje.

Ata ishin plagosur gjatë sulmit me dronë të dielën në bazën detare të Bengazit, ka bërë të ditur në një deklaratë të publikuar vonë të martën e ashtuquajtura Ushtria Kombëtare Libiane (LNA).

LNA-ja ka paralajmëruar kundërpërgjigje.

Komanda e Përgjithshme e LNA-së është zotuar se do të hakmerret “në kohën dhe vendin e duhur, si dhe me mjetet e përshtatshme”.

Edhe Ukraina thotë se sulmi ndaj anijes ruse në Libi ishte vetëmbrojtje Botë Ukraina thotë se sulmi ndaj anijes ruse në Libi ishte vetëmbrojtje

E komanduar nga gjenerali Khalifa Haftar, LNA-ja është grupi më i fuqishëm në Libi, një vend i përçarë nga vite të tëra lufte civile dhe kaosi. Ajo kontrollon pjesët lindore dhe jugore të vendit dhe mban marrëdhënie të afërta me Rusinë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se forcat ukrainase përdorën shtatë dronë në operacionin që goditi të dielën korvetën e marinës ruse. Autoritetet libiane kanë thënë ndërkaq se anija ishte ankoruar në bazë për t'u furnizuar me karburant dhe pajisje të nevojshme.

Një hetim paraprak ka zbuluar se disa dronë detarë ukrainas ishin nisur drejt anijes nga një bazë e përdorur nga forcat ukrainase në Libinë perëndimore, sipas dy zyrtarëve të informuar për hetimin.

Të paktën katër dronë janë interceptuar dhe shkatërruar, ndërsa dy të tjerë kanë goditur korvetën, një anije luftarake më e vogël, e projektuar për patrullimin e ujërave bregdetare dhe shoqërimin e anijeve të tjera, kanë thënë zyrtarët.

Njëri prej tyre ka thënë se të paktën 10 persona, përfshirë shtetas libianë dhe rusë, kishin mbetur të plagosur.

Sulmi e ka zhvendosur luftën mes Rusisë dhe Ukrainës në një fushëbetejë të re, mijëra kilometra larg Evropës. Ai ka nxjerrë në pah mënyrën se si Moska dhe Kievi po e përdorin Libinë e përçarë si një arenë për përballjen e tyre më të gjerë.

Libia, e pasur me naftë, ka një vijë bregdetare me rëndësi strategjike në Mesdhe dhe kufizohet me gjashtë shtete. Prej më shumë se një dekade, vendi karakterizohet nga një skenë politike e përçarë, ku dy administratat rivale mbështeten nga fuqi të ndryshme të huaja.

Edhe Zelensky konfirmon se Ukraina qëndron pas sulmit ndaj anijes luftarake ruse pranë Libisë Botë Zelensky konfirmon se Ukraina qëndron pas sulmit ndaj anijes luftarake ruse pranë Libisë

Qeveria e njohur ndërkombëtarisht në Tripoli ka krijuar lidhje me Ukrainën dhe aleatët e saj perëndimorë, pjesërisht për të mbështetur përpjekjet e saj për të qëndruar në pushtet dhe për të frenuar fluksin e njerëzve që synojnë të arrijnë në Evropë si migrantë. Ajo mbështetet nga një sërë grupesh të armatosura dhe milicish që janë të lidhura mes tyre përmes aleancave të brishta.

Në Libinë lindore ndodhet qeveria e kryeministrit Ossama Hammad, aleati i fuqishëm i së cilës është Khalifa Haftar.