Në vitin 2022, Muzeu Kombëtar i Irakut, në Bagdad, u rihap pas tre vjetësh mbylljeje, si pasojë e trazirave politike. Më pas, në vitin 2024, muzeu u mbyll sërish, kësaj radhe për t’iu nënshtruar renovimit. Tani, rihapja e tij është caktuar për 1 dhjetor. “The Art Newspaper” ka raportuar se muzeu do të hapet me disa galeri të reja, si ato të periudhës abasite (prej vitit 750 deri më 1258) dhe të artit islam. Gjithashtu, do të ketë edhe hapësira ekspozuese të kuruara veçmas. Në muze do të ekspozohen artefakte të ndryshme, përfshirë demat me krahë dhe gdhendje në gurë që paraqesin monarkë legjendarë asirianë, pllaka të lashta prej argjile dhe prizma historikë ku janë regjistruar kode ligjore, gdhendje në gurë, punime prej qelqi dhe mozaikë, të cilët janë restauruar. Sipas gazetës “Iraqi News”, dyert e muzeut do të jenë të hapura për vizitorët vendas, turistët ndërkombëtarë dhe studiuesit nga e gjithë bota. Rihapja e muzeut është pritur prej kohësh. Në vitin 2003, Muzeu Kombëtar u bë cak i plaçkitjeve gjatë pushtimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Ali Al-Dakhili, ministri i Turizmit dhe i Antikiteteve i Irakut, ka deklaruar se rihapja e muzeut në dhjetor, në vend të janarit 2027, është prioritet. Ai ka bërë të ditur se ka gjithashtu plane për ndërtimin e “një godine të re, që i përgjigjet vlerave historike dhe qytetëruese të Irakut”.
Paul Collins, përgjegjës i Departamentit të Lindjes së Mesme në Muzeun Britanik, i ka thënë gazetës “The Art Newspaper” se rihapja e muzeut “është një moment i rëndësishëm, që pasqyron përkushtimin e fortë të Irakut për ruajtjen e trashëgimisë së tij kulturore, të njohur në mbarë botën, si dhe për promovimin e turizmit kulturor”. Muzeu Kombëtar i Irakut u themelua në vitin 1923, me nismën e arkeologes dhe studiueses britanike Gertrude Bell.
Përderisa Iraku po rimëkëmbet pas vitesh trazirash politike, rihapja e muzeve përbën një hap të rëndësishëm për sektorin kulturor të vendit.
Pallati Abasid në Bagdad i hapi dyert më 15 nëntor, ndërsa muzeu i parë hebraik i Irakut, Muzeu Shamash, u hap më 22 tetor. Shumë prej muzeve të Irakut ndodhen gjithashtu pranë monumenteve madhështore, të cilat janë pjesë e veçantisë së qytetit. Ndër to janë Monumenti Al-Shaheed, i projektuar nga skulptori irakian Ismail Fatah al-Turk, “Monumenti i Ushtarit të Panjohur”, i projektuar nga Khaled al-Rahal dhe Marcello D’Olivo; si dhe “Monumenti i Shpëtimit të Kulturës Irakiane”, i projektuar nga Mohammed Ghani Hikmat.
Marrë nga “ArtNews”. Përktheu: KOHA