Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Gratë e moshës së mesme e kanë më të vështirë ta lënë duhanin

Duhani

Duhani

Gratë e moshës 45 deri në 60 vjeç janë grupi që e ka më të vështirë të heqë dorë nga duhani, sipas një studimi të realizuar nga studiuesit e University College London (UCL) në Angli, ka shkruar The Guardian.

Studiuesit analizuan të dhënat e afro 8 mijë grave që kishin tentuar seriozisht të linin duhanin gjatë periudhës 2013-2026. Rezultatet treguan se vetëm 18 për qind e grave të moshës 45-60 vjeç ia kishin dalë me sukses.

Në krahasim, duhanin e kishin lënë rreth 22 për qind e grave nën moshën 45 vjeç dhe gati 21 për qind e atyre mbi 60 vjeç. Gratë e moshës së mesme kishin gjithashtu më pak gjasa ta linin duhanin sesa burrat e së njëjtës grupmoshë.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore BMC Medicine, ka zbuluar edhe një dallim të rëndësishëm mes grave me të ardhura të ulëta dhe atyre në gjendje më të mirë ekonomike.

Vetëm 15.8 për qind e grave të moshës së mesme nga shtresat më të pafavorizuara ia dolën të linin duhanin, krahasuar me 21.2 për qind të grave me të ardhura më të larta.

Sipas autores kryesore të studimit, doktoreshës Sarah Jackson nga UCL, gratë në këtë periudhë të jetës përballen shpesh me disa vështirësi njëkohësisht, të cilat e bëjnë më të vështirë shkëputjen nga nikotina.

“Gratë e moshës së mesme përballen shpesh me një kombinim presionesh që mund ta bëjnë veçanërisht të vështirë lënien e duhanit. Stresi nga puna dhe problemet financiare, si dhe përgjegjësitë për t’u kujdesur për familjen, mund të bëjnë që ato të mos gjejnë kohë për shëndetin e tyre”, ka shpjeguar ajo.

Studiuesit përmendin edhe ndryshimet që shoqërojnë menopauzën, si çrregullimet e gjumit, luhatjet e humorit dhe shtimi i stresit. Gjithashtu, varësia më e lartë nga nikotina te gratë në kushte të vështira ekonomike mund ta bëjë edhe më të vështirë lënien e duhanit.

Michelle Mitchell, drejtoreshë ekzekutive e organizatës Cancer Research UK, e cila financoi studimin, ka theksuar se varësia nga duhani është veçanërisht e vështirë për t’u kapërcyer në moshën e mesme.

“Të gjithë duhet të kenë mundësi të marrin ndihmën e nevojshme për të lënë duhanin, pavarësisht moshës, vendbanimit apo rrethanave ekonomike”, u shpreh ajo.

Ekspertët kërkojnë më shumë mbështetje dhe programe të përshtatura për gratë e kësaj grupmoshe, sidomos për ato që përballen me vështirësi financiare dhe përgjegjësi të shumta familjare.

Sipas tyre, vetëm këshillimi për të lënë duhanin nuk mjafton. Është e nevojshme që ndihma të marrë parasysh realitetin e përditshëm të grave dhe pengesat me të cilat ato përballen.