Në selinë e NATO-s në Bruksel kanë sqaruar edhe një herë arsyet të cilat kanë çuar deri tek vendimi për optimizimin e pranisë së përgjithshme në Kosovë dhe tranzicionin gradual të pranisë së KFOR-it në urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Ndërsa lidhur me letrën që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka dërguar sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, duke kërkuar që të parandalojë hapjen e urës, në NATO vetëm janë përgjigjur se “sekretari i përgjithshëm i NATO-s është në kontakte të rregullta me presidentin Vuçiq”.
Një zyrtar i NATO-s ka thënë në përgjigje për KOHËN se lëvizjen në praninë e KFOR-it janë duke u zbatuar me transparancë të plotë dhe me përfshirjen e të gjitha palëve përkatëse.
“KFOR-i ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së përhershme në urën kryesore në Mitrovicë, në përputhje me situatën e përmirësuar të sigurisë në Kosovë. Kjo është pjesë e procesit të optimizimit të pranisë së KFOR-it i cili po zhvillohet me transparencë të plotë nga të gjitha palët e përfshira dhe me lidership inkluziv të komandantit të KFOR-it, gjeneralmajorit Ulutas”, thuhet në përgjigjen e këtij zyrtari të NATO-s.
Më tej ky zyrtar i NATO-s sqaron se procesi është gradual, i bazuar në kushte dhe i kthyeshëm nëse një gjë e tillë do të nevojitet në bazë të situatës së sigurisë.
“Kjo është koordinuar për së afërmi me të gjithë pjesëmarrësit relevantë, përfshirë edhe përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe organizatat ndërkombëtare, sikurse dhe të policisë së Kosovës dhe misionin e BE-së në sundimin e ligjit EULEX. Pjesëtarë lokalë po ashtu ishin përfshirë dhe informuar rregullisht, përfshirë Listën Srpska të cilën komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ulutas i takoi më 11 gusht me kërkesë të tyre”, thotë ky zyrtar i NATO-s në Bruksel. “Personeli ynë është i pranishëm në mënyrë të duhur për t’u përgjigjur ndaj çfarëdo zhvillimi relevant sipas mandatit të gjatë të OKB-së për KFOR-in. KFOR-i do të mbajë një prani të dukshme në jug dhe veri të Mitrovicës dhe do të vazhdojë kontributin e tij për të mbajtur një ambient të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë. Çfarëdo vendimi potencial për rihapjen e urës për automjete duhet të adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve lokale. KFOR-i do të vazhdojë të monitorojë zhvillimet në nivel lokal dhe do të mbetet plotësisht i fokusuar në implementimin ditor të mandatit bazuar në Rezolutën 1244 të OKB-së nga viti 1999 për të siguruar ambient të qetë dhe sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet më tej nga zyrtari i NATO-s.
Edhe
Si të merresh vesh me një Serbi ruse?
“KFOR-i po ashtu vazhdon të ofrojë mbështetje të nevojshme të sigurisë për ecjen përpara të përpjekjeve diplomatike të udhëhequra nga BE-ja. Për çfarëdo komenti tjetër për statusin e urës referohuni drejt BE-së dhe institucioneve në Kosovë. KFOR-i nuk ka mandat zbatimi të ligjit. Vazhdon të punojë për së afërmi me organizatat e sigurisë në Kosovë, përfshirë policinë e Kosovës, në përputhje me standardet më të larta operacionale dhe parimet e trajtimit të barabartë të të gjitha komuniteteve”, thuhet nga ky zyrtar i NATO-s.
Në fund të përgjigjes së tij ky zyrtar i NATO-s thotë se KFOR-i do të mbajë një prani robuste dhe të dukshme në veri të Kosovës “në dobi të të gjitha komuniteteve, përfshirë edhe komunitetit serb”.
“Po ashtu ekipi për ndërlidhje dhe monitorim do të vazhdojë aktivitetet e tij të përditshme nëpër gjithë Kosovën, përmes angazhimit të rregullt me komunitetet lokale. Kjo ndihmon për të siguruar që KFOR-i të jetë mirë i vendosur për të adresuar nevojat lokale të sigurisë në përputhje me mandatin e tij”, thuhet nga ky zyrtarë i Aleancës.