Në selinë e NATO-s në Bruksel kanë sqaruar edhe një herë arsyet të cilat kanë çuar deri tek vendimi për optimizimin e pranisë së përgjithshme në Kosovë dhe tranzicionin gradual të pranisë së KFOR-it në urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Ndërsa lidhur me letrën që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka dërguar sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, duke kërkuar që të parandalojë hapjen e urës, në NATO vetëm janë përgjigjur se “sekretari i përgjithshëm i NATO-s është në kontakte të rregullta me presidentin Vuçiq”.
Një zyrtar i NATO-s ka thënë në përgjigje për KOHËN se lëvizjen në praninë e KFOR-it janë duke u zbatuar me transparancë të plotë dhe me përfshirjen e të gjitha palëve përkatëse.
“KFOR-i ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së përhershme në urën kryesore në Mitrovicë, në përputhje me situatën e përmirësuar të sigurisë në Kosovë. Kjo është pjesë e procesit të optimizimit të pranisë së KFOR-it i cili po zhvillohet me transparencë të plotë nga të gjitha palët e përfshira dhe me lidership inkluziv të komandantit të KFOR-it, gjeneralmajorit Ulutas”, thuhet në përgjigjen e këtij zyrtari të NATO-s.
Më tej ky zyrtar i NATO-s sqaron se procesi është gradual, i bazuar në kushte dhe i kthyeshëm nëse një gjë e tillë do të nevojitet në bazë të situatës së sigurisë.
“Kjo është koordinuar për së afërmi me të gjithë pjesëmarrësit relevantë, përfshirë edhe përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe organizatat ndërkombëtare, sikurse dhe të policisë së Kosovës dhe misionin e BE-së në sundimin e ligjit EULEX. Pjesëtarë lokalë po ashtu ishin përfshirë dhe informuar rregullisht, përfshirë Listën Srpska të cilën komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ulutas i takoi më 11 gusht me kërkesë të tyre”, thotë ky zyrtar i NATO-s në Bruksel. “Personeli ynë është i pranishëm në mënyrë të duhur për t’u përgjigjur ndaj çfarëdo zhvillimi relevant sipas mandatit të gjatë të OKB-së për KFOR-in. KFOR-i do të mbajë një prani të dukshme në jug dhe veri të Mitrovicës dhe do të vazhdojë kontributin e tij për të mbajtur një ambient të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë. Çfarëdo vendimi potencial për rihapjen e urës për automjete duhet të adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve lokale. KFOR-i do të vazhdojë të monitorojë zhvillimet në nivel lokal dhe do të mbetet plotësisht i fokusuar në implementimin ditor të mandatit bazuar në Rezolutën 1244 të OKB-së nga viti 1999 për të siguruar ambient të qetë dhe sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet më tej nga zyrtari i NATO-s.
Güncellemedeki öğe...
-
Bir Rus Sırpla nasıl geçinilir?
-
Özel Mahkeme kararından dört gün önce, "Kosova bekliyor" sloganıyla bir yürüyüş düzenlendi.
-
Tahiri: KEK'te işçi ölümleri, kurumsal başarısızlığın kanıtı
-
Arnavutluk, Makedonya marşının çalındığı ancak Arnavutluk marşının çalınmadığı etkinliği eleştirdi.
-
Nëse Thaçi bir çöp kutusu ve bir çöp kutusu mu?