Gjykata Themelore në Prishtinë e ka miratuar pranimin e fajësisë për të akuzuarin që e kërcënoi ministrin në detyrë të Bujqësisë Faton Peci. I akuzuari, Blerim Avdiu, ka thënë se ishte në gjendje të dehur kur e ka kërcënuar ministrin. E vetë Peci i ka kërkuar gjykatës të mos e marrë parasysh si rrethanë lehtësuese nivelin e shkollimit të të pandehurit
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka miratuar pranimin e fajësisë së Blerim Avdiut për kanosjen e ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.
E, në prag të këtij vendimi, të hënën, prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Besart Mustafa, ka lexuar edhe kërcënimet dhe fjalët e rënda me të cilat mërgimtari i është drejtuar ministrit në Facebook, më 2 mars 2025.
“Duke i dërguar mesazh me fjalë fyese dhe kanosëse si ‘kryekriminel t’i q’ edhe ata të vdekurit, unë kam me t’vra, jo tjetërkush. Kryekriminel, ti gjallë e unë gjallë nuk kemi me jetu. Një po t’thom. Qat ditë si t’mrrij më Kosovë asnjani nuk kena me kanë n’këtë jetë o bir shkine, o bir shkavi…’”, ka lexuar mesazhet prokurori Mustafa.
I pandehuri Avdiu ka thënë se ishte i dehur dhe i papunë kur e ka kryer veprën penale.
“Nuk kam ditur as vetë çfarë kam shkruar. Të nesërmen kam dashur t’i kërkoj falje, por s’kam mundur. Të nesërmen e pashë telefonin, e kam thyer dhe kam kërkuar ndihmë nga mjekët kroatë...S’e di as vetë se si e kam bërë atë veprim. Kam qenë i pirë të të them të drejtën. Falje i kërkova”, ka thënë i akuzuari Avdiu.
Edhe
I akuzuari për kanosjen e ministrit Peci e pranon fajësinë
Halim Shala, avokati i të akuzuarit, ka kërkuar që të merret parasysh gjendja e tij ekonomike, niveli i shkollimit dhe fakti që nuk është dënuar më herët.
“Kjo është hera e parë që bie ndesh me ligjin dhe natyrshëm që nuk i ka kuptuar drejt veprimet me të cilat ka konsumuar veprën penale kanosje dhe sigurisht nuk e ka kuptuar pozitën e personit ndaj të cilit ka drejtuar këtë kanosje. Andaj, Gjykatës i propozojmë ta aprovojë fajësinë”, ka thënë ai.
Argumentet e mbrojtjes i ka kundërshtuar ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, që është palë e dëmtuar në këtë gjykim.
“Pranimi i fajësisë nuk ka alternativë dhe mendoj që është bërë për shkak të përpjekjes për ta pasur një rrethanë lehtësuese. Ndërsa deklarimi se ka qenë i dehur, mendoj se është i pasaktë dhe i pavërtetë, për shkak se kërcënimi është përsëritur tri herë dhe atë në interval kohor me shumë distancë mes orëve. E gjendja e një të dehuri nuk zgjat më shumë se 30 orë sa ka mundur të jetë kërcënimi”, ka thënë Peci.
Edhe
Gjashtë muaj burgim efektiv për mërgimtarin e akuzuar për kërcënimin e ministrit Peci
Ministri në detyrë, Peci, ka deklaruar se fajtore për kërcënimin është edhe atmosfera e krijuar kundër tij, përmes asaj që ai e ka quajtur “luftë hibride nga pseudogazetarët”.
Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 28 maj.