I akuzuari që e pranoi fajësinë për kanosjen e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, u dënua të mërkurën me gjashtë muaj burgim efektiv. Në dënimin që ai do të vuajë është përllogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar të mërkurën mërgimtarin Blerim Avdiu me gjashtë muaj burgim efektiv për kanosjen e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci. Tek e ka lexuar aktgjykimin, gjyqtarja Valbonë Fejza ka konstatuar se i pandehuri i është drejtuar ministrit Peci në Facebook me fjalor kërcënues, 2 marsin e vitit të sivjetmë.
“Me rastin e postimit të një foto-storie në Facebook nga i dëmtuari Faton Peci si ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural lidhur me aktivitetin e tij si ministër, i pandehuri Blerim Avdiu nga profili i tij në Facebook me dashje e ka kanosur seriozisht të dëmtuarin Faton Peci, ministër i Bujqësisë, duke i dërguar mesazh me fjalë fyese dhe kanosëse si ‘Si kryekriminel ti q’ edhe ata të vdekurit unë kam me të vra jo tjetërkush, kryekriminel ti gjallë e unë gjallë nuk kemi me jetu, jo pot them qat ditë se të mbërrij në KS asnjani nuk kena me kanë këtë jetë o bir shkine o bir shkavi ta dish edhe vorrin e nenës, kryeminel mos harro me 28 maj jam në kufi veç me ardhë me të vra ty kena me ardhë dije mirë’ me ç’rast tek i dëmtuari ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe ankthit për jetë”, ka thënë gjyqtarja Fejza.
Në dënimin e shqiptuar gjykata ia ka llogaritur të pandehurit edhe ditët e kaluara në paraburgim e arrest shtëpiak.
“Në dënimin me burgim i llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 14 mars 2025 deri më 26 mars 2025, si dhe në masën e arrestit shtëpiak nga masa 26 mars 2025 deri më datë 13 prill 2025”, theksoi gjyqtarja Fejza.
Ajo pohoi se dënimi hyn në fuqi pasi që e merr formën e prerë dhe se palët mund të parashtrojnë ankesë për lartësinë e dënimit, në afat prej 30 ditësh që pas pranimit të aktgjykimit.
Gjatë shqyrtimit fillestar të rastit, që u mbajt të hënën, Avdiu e ka pranuar fajësinë mbi akuzat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë teksa ka thënë të ketë qenë i dehur dhe që nuk e ka ditur se çfarë ka bërë.
Por ministri në detyrë, Faton Peci, u pati shprehur se arsyeja që e shtyri të akuzuarin ta pranojë fajësinë është përfitimi nga dënimi më i ulët.
Aktgjykimi për rastin është nxjerrë një ditë pasi që ministri në detyrë i Bujqësisë është intervistuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të dyshuarit lidhur me keqpërdorimin e dyshuar të kontratës për dhënien me qira të impiantit të mbetjeve shtazore.