I akuzuari për kanosje të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, Blerim Avdiu, e ka pranuar fajësinë.
Në seancën që është mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurori i Prokurorisë Themelore, Besart Mustafa i ka propozuar gjykatës që ta aprovojë pranimin e fajësisë dhe ta dënojë të akuzuarin në përputhje me ligjin.
Gjyqtarja e restit Valbonë Fejza e ka aprovuar pranimin e fajësisë.
Avokati i të pandehurit, Halim Shala, ka thënë se Avdiu nuk ka të kaluar kriminale. “Është hera e parë që bie ndesh me ligjin dhe natyrshëm nuk i ka kuptuar pasojat e veprimeve të tij dhe nuk e ka kuptuar as pozitën e personit që ia ka drejtuar kanosjen”, është shprehur Shala.
Prokurori Mustafa ka theksuar se disa herë brenda fjalëve kanosëse i akuzuari i është drejtuar të dëmtuarit me fjalët se “do ta vrasë” kurse si rrethanë lehtësuese të merret për bazë pranimi i fajësisë.
Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 28 maj.