LAJMET E MBRËMJES

I akuzuari për goditjen vdekjeprurëse të këmbësorit deklarohet i pafajshëm

Është mbajtur seanca e parë gjyqësore ndaj V. G., i akuzuar se më 2023 goditi me veturë për vdekje këmbësorin Ferhat Bejtullahu. Prokurori e avokati i familjes së viktimës kërkuan shpalljen fajtor të të akuzuarit, derisa vetë ai u shpreh i pafajshëm për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”

I akuzuari për goditjen e këmbësorit, që për pasojë humbi jetën në dhjetor të 2023-tës, në rrugën “Bill Clinton” në kryeqytet, është deklaruar i pafajshëm.

Seanca e parë gjyqësore lidhur me rastin është mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe i pandehuri V.G. akuzohet për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”.

“I pafajshëm”, është shprehur i akuzuari në pyetjen e kryetares së trupit gjykues Naime Krasniqi nëse ndihet i fajshëm apo i pafajshëm.

Mirëpo prokurori Rrahim Podgorica ka thënë se organi i akuzës ka siguruar prova të mjaftueshme, në bazë të të cilave vërtetohet fajësia e të akuzuarit V.G.

“Prokuroria mbetet pranë aktakuzës kundër të pandehurit dhe pretendojmë se kemi siguruar prova të mjaftueshme personale dhe materiale nga të cilat rezulton se këtu i pandehuri ka kryer veprën penale, ashtu siç është përshkruar në dispozitiv të aktakuzës, kur e themi këtë mendojmë në deklaratën e të dëmtuarës, raportin e autopsisë, deklaratën e ekspertit të komunikacionit, fotografitë e video-incizimet të siguruara në vendin e ngjarjes. E pas administrimit të të cilave do të vërtetohet se këtu i akuzuari e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet”, ka thënë Podgorica.

Emrush Kastrati, avokat i familjes së viktimës Ferhat Bejtullahu, është shprehur se gjykata duhet ta shpallë fajtor e t’i japë dënim meritor të akuzuarit, meqë sipas tij, ekzistojnë prova.

“Kjo gjykatë do ta shpallë fajtor të akuzuarin për veprën penale që akuzohet. Ka prova të mjaftueshme, janë deklaratat e të pandehurit që i ka dhënë në polici, mendimi i ekspertit të komunikacionit, që është baza kryesore që të deklarohet për fajësinë e të pandehurit, pra kemi edhe prova të tjera që do të administrohen gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor”, ka deklaruar avokati Kastrati..

E Driton Muharremi, njëri nga avokatët e të akuzuarit, ka deklaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet që klienti i tij është i pafajshëm.

“Me veprimet e të mbrojturit tim V.G. nuk qëndrojnë elementet e veprës penale për të cilën është akuzuar. Vetë Vullneti, por edhe mbrojtja shprehin keqardhje dhe ngushëllime për rastin që ka ndodhur. Do të mundohemi që në shqyrtimet kryesore me kontestua kredibilitetin e ekspertit të komunikacionit, Ahmet Maxhuni, që është totalisht joprofesionale dhe e mangët”, ka thënë Muharremi.

Sipas aktakuzës, i pandehuri V. G. më 2 dhjetor 2023, në rrugën “Bill Clinton”, në Prishtinë, derisa ishte duke vozitur veturën pa patentë shofer, nga pakujdesia ka vepruar në kundërshtim me rregullat e trafikut, duke mos përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës. 

Në aktakuzë thuhet po ashtu se tashmë viktima u godit nga vetura teksa po e kalonte rrugën jashtë vendkalimit të këmbësorëve.