Arbëri

Eksperti i komunikacionit konstaton se Gashi u bë shkaktar për aksidentin me fatalitet

Eksperti i komunikacionit, Ahmet Maxhuni, ka thënë se i akuzuari Vullnet Gashi është shkaktar i aksidentit të ndodhur në vitin 2023, ku mbeti i vdekur këmbësori Ferhat Bejtullahu. Ekspertiza e tij u kritikua nga mbrojtja e të akuzuarit, meqë thanë se është e pakuptueshme përmbajtja e saj. Kritika pati edhe pala e dëmtuar

Me polemika është përcjellë seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarit Vullnet Gashi për goditjen e këmbësorit, që për pasojë mbeti i vdekur Ferhat Bejtullahu në dhjetor të 2023-tës në rrugën “Bill Clinton”, në kryeqytet.

Në seancë ishte i pranishëm eksperti i komunikacionit, Ahmet Maxhuni, i cili para trupit gjykues e dha ekspertizën e tij për kohën kur ndodhi aksidenti.

“Ai ka ardhur pasi që Gashi ka qenë (duke vozitur v.j.) nga 50 deri në 60 kilometra në orë dhe se ngasësi i automjetit në kohën kur ka ndodhur aksidenti e ka pasur të konfiskuar patentë shoferin, andaj mbi bazën e kësaj ngasësi i automjetit kur iu konfiskohet patentë shoferi nuk ka të drejtë të drejtojë automjetin”, ka thënë Maxhuni.

Por Maxhuni u kritikua nga mbrojtja e të akuzuarit për përmbajtjen e ekspertizës.

“Ti veç ki m’u përgjigj çka të pyesim, se këtu një njeri e ka humbur jetën. Ky njeri është duke u gjykuar e ky shkon në burg me ekspertizat e tua, ke me i pa pasojat”, i ka thënë Driton Muharremi, i cili është avokat i të akuzuarit.

Kritika për Maxhunin pati edhe pala e dëmtuar.

“Për ekspertin videoincizimet, sa i posedon, sa ki videoincizime? Mua më është tregu vetëm një pas momentit të goditjes, se unë e kam një videoincizim”, ka thënë Vlora Bejtullahu, e cila ka qenë bashkëshorte e viktimës.

Por Maxhuni iu përgjigj duke thënë se ai ka të njëjtin incizim dhe në bazë të saj ka bërë vlerësimin.

Në seancën e radhës pritet ta japë ekspertizën e tij një ekspert tjetër i komunikacionit i propozuar nga mbrojtja e të akuzuarit. 

Sipas aktakuzës, i pandehuri Vullnet Gashi më 2 dhjetor 2023, në rrugën “Bill Clinton”, në Prishtinë, derisa ishte duke vozitur veturën pa pasur patentë shofer, nga pakujdesia ka vepruar në kundërshtim me rregullat e trafikut, duke mos e përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës. 

Në aktakuzë thuhet po ashtu se tashmë viktima u godit nga vetura teksa po e kalonte rrugën jashtë vendkalimit të këmbësorëve.