Një ditë pasi në KTV kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se do të formohet Xhandarmëria e Kosovës, të martën është vënë hapi i parë në funksion të krijimit të kësaj trupe. Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ka nënshkruar vendimin për themelimin e grupit punues që do të analizojë dhe propozojë modalitete se si duhet të funksionojë Xhandarmëria
Pak orë pas premtimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se në mandatin e radhës, do krijohet Xhandarmëria e Kosovës, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të martën ka nënshkruar vendimin për themelimin e grupit punues që do të analizojë dhe propozojë modalitete se si duhet të funksionojë kjo trupë e re.
Sveçla në Facebook ka shkruar se Xhandarmëria do të funksionojë si agjenci brenda MPB-së dhe ka bërë të ditura disa kompetenca që do t’i ketë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Xhandarmëria përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës sonë të sigurisë, me mision të qartë për të garantuar prezencë të fuqishme shtetërore në funksion të ruajtjes së kufijve, integritetit dhe sovranitetit tonë territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike”, ka thënë ai.
Premtimi i Kurtit bërë në intervistën dhënë KOHË-s, të hënën mbrëma, ka nxitur reagime të shumta.
E ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, ka thënë se xhandarmëritë janë forca që në disa vende janë pjesë e ushtrisë, e në të tjera të policisë.
“Xhandarmëria si koncept nënkupton një forcë paraushtarake e ndërmjetme, pra në mes të policisë dhe ushtrisë dhe varësisht prej specifikave të vendit, rendit kushtetues, rregullimit ligjor ajo dallon, gjegjësisht komanda e saj mund të jetë nën ministrinë e punëve të brendshme ose nën Ministrinë e Mbrojtjes por ka edhe një model që i dyzon këto kompetenca”, ka thënë Hoxha.
Lidhur me përbërjen e xhandarmërisë, Hoxha ka thënë se për formimin e këtij entiteti duhet të përdoren kapacitetet që veçse i kanë organet e sigurisë.
“Duhet t’i shfrytëzoj kapacitetet ekzistuese qoftë të Njësiteve Speciale Intervenuese apo Njësiteve Speciale Operative në polici apo edhe në Policinë Ushtarake brenda FSK-së për t’i modifikuar dhe shtuar kompetencat e tyre duke gjeneruar një formacion të ri”, është shprehur ai.
Në shtator të vitit 2023, në Banjskë të Zveçanit një grup i armatosur terrorist, ka sulmuar policinë e Kosovë ku ka mbetur i vdekur rreshteri Afrim Bunjaku.
Sulmin e më shumë se 40 terroristëve e ka udhëhequr ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radjoçiq. Me ta janë përballur njësitet speciale të policisë, pasi Forca e Sigurisë së Kosovës, ndonëse që nga 2018-ta ka mandat ushtarak, nuk mund të zbarkojë në veri të vendit pa lejen e KFOR-it.
E pikërisht ruajtjen e kufirit do ta ketë ndër detyrat kryesore, sipas Kurtit.
“Do ta formojmë xhandarmërinë në mandatin e ardhshëm. Xhandarmëria do të kujdeset për luftimin e krimit dhe korrupsionit në zonat kufitare kryesisht. Do ta luftojë terrorizmin. Xhandarmëria është diçka mes policisë e ushtrisë, është më shumë se polici e më pak se ushtri. E dini Italia i ka karabinierët e Franca i ka xhandarët. Ne do ta kemi xhandarmërinë tonë në Republikën e Kosovës”, ka thënë Kurti në “Interaktiv” të KTV-së.