Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Xhandarmëria do ta plotësojë boshllëkun mes Policisë dhe FSK-së

albin kurti

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se krijimi i Xhandarmërisë është i domosdoshëm për të adresuar sfidat aktuale të sigurisë dhe për të plotësuar boshllëkun mes Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Duke folur për situatën e sigurisë, Kurti ka thënë se ajo po evoluon me shpejtësi dhe se kërcënimet aktuale nuk janë të njëjta me ato të një dekade më parë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Gjendja e sigurisë po evoluon me shpejtësi. Kërcënimet me të cilat përballemi sot nuk janë ato të një dekade më parë. Sfidat kryesore përfshijnë grupe të armatosura paraushtarake dhe kapacitete superiore ndaj atyre policore, kontrabandë të vazhdueshme me armë e mallra që cenojnë sigurinë përgjatë vijës kufitare, si dhe infiltrime të grupeve të armatosura që kërcënojnë sovranitetin tonë”, u shpreh Kurti në një konferencë për shtyp të enjten bashkë me ministrin e Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla.

Ai përmendi gjithashtu përdorimin e teknologjive moderne, përfshirë dronët, në sulme ndaj sovranitetit të Kosovës dhe për këtë shprehu nevojën për mbikëqyrje të vazhdueshme të terrenit dhe infrastrukturës kritike.

Sipas tij, Policia e Kosovës po kryen punë të jashtëzakonshme, por ka mandat të kufizuar në ruajtjen e rendit publik dhe luftimin e krimit.

“Kemi pasur sulme të vazhdueshme gjatë viteve të fundit, veçanërisht në veri, ndaj institucioneve të Kosovës, Policisë, qytetarëve dhe misioneve ndërkombëtare. Kjo tregon se grupet e armatosura me organizim paraushtarak kanë rrezikuar dhe mund të rrezikojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

Kurti theksoi se përballja me këto sfida kërkon krijimin e një strukture të re të specializuar.

“Me qëllim të adresimit të këtyre sfidave dhe rreziqeve, themelimi i Xhandarmërisë si strukturë e re, e specializuar, moderne dhe e disiplinuar është domosdoshmëri e kohës. Ajo do të plotësojë boshllëkun mes Policisë dhe Ushtrisë, përkatësisht FSK-së”, deklaroi Kurti.

Sipas tij, Xhandarmëria do të ketë mandat të qartë për sigurimin e vijës kufitare tokësore, ujore dhe ajrore, operacionet kundër grupeve terroriste dhe të armatosura, luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

Ai shtoi se modeli i Xhandarmërisë është praktikë e njohur evropiane, duke përmendur Francën, Italinë, Spanjën dhe Portugalinë si vende që kanë struktura të ngjashme.

“Po ndjekim praktikat më të mira evropiane, por modeli i Kosovës do të ndërtohet sipas sistemit tonë kushtetues, specifikave dhe rrethanave tona”, përfundoi Kurti.

Ndërkohë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në konferencën për media me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ka deklaruar se grupi punues i themeluar, po merret me analizimin e të gjitha çështjeve si në aspektin ligjor, ashtu edhe financiar e operacional për krijimin e xhandarmërisë.

“Kam themeluar grupin punues për analizimin dhe propozimin e modaliteteve për themelimin e xhandarmërisë, me qëllim të forcimit të kontrollit të vijës kufitare, mbrojtjes së integritetit territorial dhe sovranitetit si dhe reagimin e shpejt ndaj kërcënimeve të përmasave të nivelit të lartë. Tashmë grupi punues është duke punuar në analizimin e aspekteve ligjore, institucionale, organizative, financiare dhe operacionale të themelimit të xhandarmërisë si agjenci ekzekutive në kuadër të Minstrisë së Punëve të Brendshme përmes ligjit të veçantë”, është shprehur Sveçla.

Sveçla ka bërë të ditur po ashtu se po analizohen shtetet anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe praktikat e tyre në organizimin e xhandarmërisë.

Ministri i Brendshëm në detyrë, theksoi se pjesë e grupit punues janë përfaqësues të të gjitha institucioneve të sigurisë.

“Themelimi dhe funksionalizimi i xhandarmërisë do t’i mundësojë Policisë së Kosovës parandalimin dhe hetimin e krimit, sigurinë në komunikacion si dhe në detyrat e tjera sipas autorizimeve ligjore. Grupi punues ka për detyrë të analizojë kornizën ligjore në fuqi dhe nevojën për krijimin e bazës së re ligjore për themelimin e xhandarmërisë, si njësi e veçantë. Do të analizohen praktikat ndërkombëtare që kanë modele të ngjashme të organizimit të xhandarmërisë, me theks të veçantë vendeve anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Pjesë e grupit punues janë përfaqësues të institucioneve të Kosovës duke filluar nga Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, AME-ja dhe të gjitha institucionet që kanë të bëjnë me sigurinë”, ka deklaruar Sveçla.

Kurti: Në vend të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, do ta kemi mbrojtjen gjithëpërfshirëse

40 min. më parë / 28 maj 2026 12:48
Albin Kurti

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se në vend të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, vendi do të fokusohet në modelin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse, të cilin e ka cilësuar si më të përshtatshëm për rrethanat aktuale të sigurisë. Ai s'ka dhënë detaje se kur do të nisë zbatimi i këtij plani, që ishte miratuar në Qeveri në shtator të vitit 2024. 

Kurti ka thënë se, ndonëse shërbimi i detyrueshëm ushtarak mbetet një opsion për të ardhmen, aktualisht është vlerësuar se modeli i mbrojtjes totale është më funksional.

“Është temë e gjatë, por mos harroni çfarë kemi bërë dhe kjo nuk do të thotë që s’do ta bëjmë një ditë shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Por për momentin kemi vlerësuar se më mirë është të kemi mbrojtje gjithëpërfshirëse apo mbrojtje totale”, ka thënë Kurti në një konferencë për shtyp të enjten.

Ai e përshkroi këtë model si të ngjashëm me atë të Finlandës dhe vendeve baltike (Estonia, Letonia e Lituania v.j.), ku qytetarët nuk trajnohen vetëm në mënyrë masive ushtarake, por përgatiten për role dhe detyra konkrete në raste emergjencash. Sipas tij, ky sistem përfshin edhe përgatitjen për fatkeqësi natyrore dhe situata lufte, duke i ndarë përgjegjësitë në mënyrë të organizuar për qytetarët.

“Por kjo do të thotë që tash për tash, situatën në të cilën ndodhemi, kemi vlerësuar se më mirë të kemi mbrojtjen gjithëpërfshirëse apo mbrojtjen totale, një model që i ngjan atij të Finlandës dhe të vendeve baltike – ku ti nuk e bën ushtrinë një grumbuj të madh njerëzish, ku mandej duhesh ta strukturosh dhe ta pajisesh, por në vend të kësaj përcakton funksione, detyra konkrete dhe vende të caktuara për qytetarët e Republikës në rast të rreziqeve të ndryshme nga fatkeqësitë natyrore deri te lufta e armatosur”, u shpreh ai.

Kurti ka thënë se kjo qasje plotësohet edhe me një program të edukimit për siguri në shkolla të mesme, i frymëzuar nga shembulli i Polonisë, që synon t’i përgatisë të rinjtë për reagim në raste emergjente.

Po ashtu, ai përmendi edhe krijimin e rezervës vullnetare, e cila do t’u mundësonte qytetarëve që të bëhen rezervistë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), me pajisje të gatshme në dispozicion në rast nevoje.

“Do ta kemi edhe një model për shkollat e mesme që quhet edukimi për siguri, i frymëzuar nga shembulli i Polonisë e që mundëson që të rinjtë të mësojnë sa më shumë dhe më saktë reagimet që duhet t’i kenë në rast të fatkeqësive natyrore apo luftërave. Do ta kemi edhe rezervën vullnetare e cila mundëson që qytetarët e Republikës që do të bëhen rezervista të FSK-së t’i kenë pajisjet nga çizmet deri tek arma e tyre në një adresë të caktuar te FSK-ja. Kjo çfarë po bëjmë është shumë më e mirë se shërbimi i detyrueshëm ushtarak”, u shpreh Kurti.