“Qytetarët e vendit vazhdimisht janë duke folur qartë përmes zgjedhjeve, ndërkaq është detyrë e jona si përfaqësues të tyre e si udhëheqës partish e institucionesh politike ta zbatojmë atë në praktikë”, ka shkruar u.d. e presidentes, Albulena Haxhiu, pas përgjigjeve refuzuese të PDK-së dhe Aleancës ndaj ftesës së saj për takim konsultativ. Deputetët e PDK-së dhe Aleancës, ashtu si edhe një ditë më parë, kanë përsëritur qëndrimin se çështja e zgjedhjes së presidentit mund të trajtohet vetëm pasi të funksionalizohet Kuvendi
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur keqardhje që Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë refuzuar ftesat për takimin të martën.
Ajo ka thënë se qytetarët e Kosovës po flasin vazhdimisht qartë përmes zgjedhjeve, ndërsa është detyrë e udhëheqësve të partive të zbatojnë në praktikë vullnetin e qytetarëve.
“Më lejoni të shpreh keqardhjen time të plotë që pavarësisht ftesës sime të sinqertë, subjektet politike si PDK-ja dhe Aleanca refuzuan të njëjtën. Këtë refuzim e konsideroj veprim të gabuar, të pamatur dhe mbi të gjitha mungesë të vullnetit për të tejkaluar pozicionimet barrikaduese. Të tilla pozicione nuk e ndihmojnë askënd, aq më pak Republikën tonë. Qytetarët e vendit vazhdimisht janë duke folur qartë përmes zgjedhjeve, ndërkaq është detyrë e jona si përfaqësues të tyre e si udhëheqës partish e institucionesh politike ta zbatojmë atë në praktikë. Kosova ka nevojë për shumë punë. Zgjedhjet do të duhej të ishin opsioni i fundit nëse jo fare opsion. Mbetem me shpresën që deri të martën të kemi reflektim e takimi të jetë sa më i dobishëm drejt gjetjes së një zgjidhje”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Haxhiu kishte ftuar liderët e partive politike ose përfaqësuesit e tyre për një takim të përbashkët të martën në ora 9:00.
Takimi, sipas thirrjes së Haxhiut, është konsultativ dhe mbahet në lidhje me zhvillimet aktuale politike e institucionale dhe për rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për presidentin konsensual, e edhe për formimin e institucioneve të tjera.
Edhe
Kuvendi e vlerëson Qosjen si ndër figurat më të rëndësishme të kombit shqiptar
E nga PDK-ja kanë thënë se çështja e zgjedhjes së presidentit mund të trajtohet vetëm pasi të funksionalizohet Kuvendi.
Deputeti i kësaj partie, Arian Tahiri, ka kundërshtuar rolin e Haxhiut në organizimin e takimit me partitë, duke thënë se ajo aktualisht është deputete.
“Pasi të funksionalizohet Kuvendi, hapen temat e reja, pra ajo është një deputete që po i jep vetes autoritet dhe po e përdor pozitën paraprake të saj si presidente për të marrë rol brenda menaxhimit ose organizimit të subjekteve politike. Kjo i bie si me thirr edhe unë. Është deputete, ka votuar për prezencë, qysh kam votuar edhe unë bashkë me Albin Kurtin, ka votuar për prezencë. Ligji e parasheh se nuk mundesh edhe deputet edhe president”, ka thënë deputeti i PDK-së.
Një ditë më parë, deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se ftesa përbën tentativë manipulimi për afatet dhe se subjekti politik që i përket nuk do të dërgojë përfaqësues në takim.
“Haxhiu më mirë do të ishte t’i kishte shkruar letër (kryesuesit të seancës konstituive, Avni) Deharit që ta thërrasë seancën. Çfarë logjike ka, si mund të ushtrosh mandate dhe të dërgosh letra, kur është dashtë që letrën e parë t’ia dërgojë Deharit. PDK-ja nuk do të jetë në atë takim, ne do të jemi në Kuvend”, ka thënë ai në një konferencë për shtyp.
Të njëjtin qëndrim e ka shprehur edhe në Aleancë, e cila që nga fillimi ka refuzuar të shkojë në takimet e thirrura edhe nga kreu i Vetëvendosjes.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë se partitë opozitare nuk duhet të fajësohen për refuzimin e takimit, pasi sipas tij, kërkesa e tyre është e qartë: funksionalizimi i Kuvendit.
“Me na vendos neve në një pozicion që na jemi fajtorë që s’po shkojmë, ne jemi këtu çdo të dytën ditë. Na po jemi këtu që po themi hape derën… Në qoftë se do të kishte pasur nevojë për të pasur një tryezë të partive parlamentare për president, atëherë dihet si bëhet kjo. Konstituohet, dihet se kush janë grupet parlamentare, kush janë kryetarët e partive. Ajo tryezë ulet dhe e konstituon profilin e një kandidati konsensual, kriteret edhe zgjidhet, e jo na me shku atje çka me ba. Qele derën, maje seancën. Kjo është kërkesa jonë, jo takime pro forma”, ka deklaruar Besnik Tahiri të dielën.
Edhe
LVV-ja i kërkon Kushtetueses ta shpallë të papranueshme kërkesën e Listës Serbe
Po ashtu, edhe kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, të shtunën ka folur për kërkesën e Haxhiut edhe të Kurtit për takim, e edhe të Kurtit.
“Ju nuk jeni presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk keni mandat të luani rolin e unifikueses së spektrit politik. Ju e Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtorë për vendimin tuaj që veçse e keni marrë, për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional”, ka shkruar Gjini në Facebook.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike është partia e vetme që ka realizuar një numër takimesh me përfaqësues të Vetëvendosjes, për mundësinë e bashkëqeverisjes. E këtë javë, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se përfundimisht heq dorë nga kërkesa që posti i presidentit t’i takojë LDK-së, dhe ka shprehur gatishmërinë për negociata për të gjetur kandidat konsensual. Në këtë parti nuk kanë treguar të shtunën nëse do të marrin pjesë në takimin e së martës, të thirrur nga Haxhiu, ndërkaq një ditë më parë kanë shprehur gatishmërinë për ta takuar Kurtin.
E kryesuesi i seancës konstituive, deputeti i Vetëvendosjes, Avni Dehari, nuk i është bindur thirrjes së subjekteve politike oponente që ta vazhdojë seancën për konstituimin e legjislaturës së njëmbëdhjetë.
Në vijë me qëndrimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ai ka thënë të shtunën se fillimisht duhet të arrihet marrëveshja për presidentin, e pastaj do t’i dërgojë ftesat për vazhdimin e seancës.
“Si kryesues i seancës konstitutive u bëj thirrje të gjitha partive politike që të ulen së bashku, ta marrin përgjegjësinë që u takon dhe ta gjejnë zgjidhjen politike që i hap rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe marrëveshjes për presidentin konsensual. Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme, diçka që duhet ta evitojmë”, ka shkruar Dehari në Facebook.
Dehari, tek ka argumentuar vendimin e tij për të mos e vazhduar seancën, ka thënë se po të veprojë ndryshe, mund të rriten tensionet.
Edhe
Opozita vlerëson se Basha shkeli Kushtetutën dhe Rregulloren
“Ajo që ndodhi para tri ditëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës është pikërisht ajo për të cilën kam paralajmëruar. Çdo përpjekje për ta vazhduar seancën pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon më tej situatën dhe e rrit rrezikun e përplasjeve, madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit”, ka thënë Dehari.
Arsyetimi i Deharit ka ngjallur reagime nga deputetë të PDK-së dhe Aleancës.