Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se zgjedhja e presidentit duhet të jetë prioritet, duke kundërshtuar që kjo çështje të kushtëzohet me votimin e ndryshimeve ligjore të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës për Dhomat e Specializuara.
Haxhiu ka deklaruar se nuk është për “pazare” për çështjen e presidentit, ndërsa ka thënë se të gjitha partitë politike duhet të ulen dhe të diskutojnë për prioritetet që kanë përpara.
“Unë kam përcjellë disa prej qëndrimeve të Partisë Demokratike të Kosovës, natyrisht që nuk janë gjithmonë të njëjta, ndërrojnë nga dita në ditë, nga përfaqësuesi në përfaqësues. Pra nuk ka një konsistencë në qëndrimet e tyre. Sa i përket deklaratës së zotit Hamza, meqë është kryetari i partisë po e marr si të mirëqenë, unë nuk jam që të bëhem pazare për këtë çështje. Unë mendoj që të gjithë me përgjegjësinë më të lartë që kemi duhet të ulemi dhe të flasim për prioritetet që i kemi, sepse për mua më e rëndësishme është që ta zgjedhim presidentin, sesa që ta votojmë ligjin (ndryshimet ligjore të iniciuara nga PDK-ja për ligjin për Dhomat e Specializuara)”, tha ajo, raporton.
Sipas Haxhiut, pas zgjedhjes së presidentit do të ketë mundësi që të trajtohet edhe projektligji për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, si dhe kërkesa e Kuvendit për një strategji të përbashkët institucionale.
“Pse po e them thënë këtë? Sepse në qoftë se zgjidhet presidenti, atëherë do të kemi mundësi ta trajtojmë projektligjin, do të kemi mundësi që ta adresojmë kërkesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për një strategji të përbashkët. Dhe për bindjen time më e qëlluar është strategjia e përbashkët ku mblidhen përfaqësuesit e institucioneve, ekspertë të fushës, ekipet mbrojtëse dhe përgatitemi e jemi në shërbim të ekipeve mbrojtëse në procesin e ankimimit në Gjykatën e Apelit, se sa të procedojmë nisma që ata vetë e dinë që mund të mos çojnë kurrkund”, tha ajo.
Edhe
Haxhiu kërkon marrëveshje për presidentin
Haxhiu ka theksuar se, sipas saj, prioritet duhet të jetë zgjedhja e presidentit, duke argumentuar se dërgimi i vendit në zgjedhje do ta rikthente sërish çështjen e zgjedhjes së kreut të shtetit.
“Prandaj prioritet mbi prioritetet është që ta kemi presidentin sepse edhe vetë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi nuk mendoj që do të ndiheshin që e kanë mbështetjen e shtetit në qoftë se ne me vetëdije të plotë e çojmë vendin në zgjedhje. Dhe sidomos, ju e dini shumë mirë që edhe pas zgjedhjeve situata nuk do të ndryshojë dhe sërish problemin e njëjtë do ta kemi në tavolinë. Atëherë pse jo tash? Pse duhet për të dytën herë na çojë çështja e presidentit në zgjedhje?”, tha ajo
Haxhiu gjithashtu ka bërë të ditur se po e shqyrton mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për çështjen e mandatit të saj si ushtruese e detyrës së presidentes, në rast se vendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri brenda afatit kushtetues.
Haxhiu tha se ende nuk ka marrë vendim përfundimtar, ndërsa pret edhe një sugjerim nga ekipi i saj.
Ajo u shpreh se shpreson që të mos krijohet situata që të ketë ushtrues detyre edhe pas 6 tetorit dhe që të arrihet konsensus për zgjedhjen e presidentit.
Javën e shkuar, Gjykata Kushtetuese vendosi që afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor. Vendimin e arsyetoi duke konstatuar se Kuvendi u konstituua përtej afatit kushtetues 30 ditor, dhe se ky afat ka nisur ta rrjedhë afatin 60 ditor për zgjedhjen e presidentit.
Edhe
Haxhiu: Të nisim të flasim me emra për president
Partia Demokratike, si e dyta më e madhja në Parlament, ka thënë se tani është e gatshme të diskutojë për president, me kushtin që në Kuvend të miratohet ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.
PDK-ja ka kërkuar që Kuvendi të ndryshojë Ligjin për Gjykatën Speciale, duke ia kufizuar mandatin, pas dënimit të Hashim Thaçit e Jakup Krasniqit me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselit me 18 e Rexhep Selimit me 13. Ata u dënuan për krime lufte. Me anë të ndryshimeve ligjore PDK-ja synon që mandati i Gjykatës Speciale të kufizohet në trajtimin e krimeve të pretenduara në raportin e Dick Martyt, si dhe të vendoset monitorim ndërkombëtar i punës së saj. Ndërsa për krimet e luftës, për të cilat u dënuan katër ish-krerët e UÇK-së, projektligji i propozuar parasheh që ato të gjykohen në Kosovë.