Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur keqardhje që Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmëri të Kosovës kanë refuzuar ftesat për takimin të martën. Ajo ka thënë se ky refuzim është gabuar dhe i pamatur.
Ajo ka thënë se qytetarët e Kosovës po flasin vazhdimisht qartë përmes zgjedhjeve, ndërsa është detyrë e udhëheqësve të partive të zbatojnë në praktikë vullnetin e qytetarëve.
“Më lejoni të shpreh keqardhjen time të plotë që pavarësisht ftesës sime të sinqertë, subjektet politike si PDK dhe AAK refuzuan të njëjtën. Këtë refuzim e konsideroj veprim të gabuar, të pamatur dhe mbi të gjitha mungesë të vullnetit për të tejkaluar pozicionimet barrikaduese. Të tilla pozicione nuk e ndihmojnë askënd, aq më pak Republikën tonë. Qytetarët e vendit vazhdimisht janë duke folur qartë përmes zgjedhjeve, ndërkaq është detyrë e jona si përfaqësues të tyre e si udhëheqës partish e institucionesh politike ta zbatojmë atë në praktikë. Kosova ka nevojë për shumë punë. Zgjedhjet do të duhej të ishin opsioni i fundit nëse jo fare opsion. Mbetem me shpresën që deri të martën të kemi reflektim e takimi të jetë sa më i dobishëm drejt gjetjes së një zgjidhje”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Haxhiu kishte ftuar liderët e partive politike ose përfaqësuesit e tyre për një takim të përbashkët të martën në ora 9:00.
Takimi, sipas thirrjes së Haxhiut, është konsultativ dhe mbahet në lidhje me zhvillimet aktuale politike e institucionale dhe për rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për presidentin konsensual, e edhe për formimin e institucioneve të tjera.
Edhe
Deputetët çojnë vendin sërish në zgjedhje
Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se ftesa përbën tentativë manipulimi për afatet dhe se subjekti politik që i përket nuk do të dërgojë përfaqësues në takim.
“Haxhiu më mirë do të ishte t’i kishte shkruar letër (kryesuesit të seancës konstituive, Avni) Deharit që ta thërrasë seancën. Çfarë logjike ka, si mund të ushtrosh mandate dhe të dërgosh letra, kur është dashtë që letrën e parë t’ia dërgojë Deharit. PDK-ja nuk do të jetë në atë takim, ne do të jemi në Kuvend”, ka thënë ai në një konferencë për shtyp.
Po ashtu, edhe kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, e ka refuzuar kërkesën e Haxhiut për takim, e edhe të Kurtit, i cili po ashtu ka ftuar liderët e subjekteve politike për t’u takuar, me synimin që të gjejnë një kandidat apartiak e konsensual për president.
“Ju nuk jeni presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk keni mandat të luani rolin e unifikueses së spektrit politik. Ju e Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtorë për vendimin tuaj që veçse e keni marrë, për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional”, ka shkruar Gjini në Facebook.
Gjini nuk i është përgjigjur pozitivisht Kurtit në asnjë ftesë.
Edhe
Tri blic-vërejtjet e BE-së
Ndërkaq, Lidhja Demokratike është partia e vetme që ka realizuar një numër takimesh me përfaqësues të Vetëvendosjes, për mundësinë e bashkëqeverisjes. E këtë javë, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se përfundimisht heq dorë nga kërkesa që posti i presidentit t’i takojë LDK-së, dhe ka shprehur gatishmërinë për negociata për të gjetur kandidat konsensual. Në këtë parti nuk kanë treguar të shtunën nëse do të marrin pjesë në takimin e së martës, të thirrur nga Haxhiu, ndërkaq një ditë më parë kanë shprehur gatishmërinë për ta takuar Kurtin.
E kryesuesi i seancës konstituive, deputeti i Vetëvendosjes, Avni Dehari, nuk i është bindur thirrjes së subjekteve politike oponente që ta vazhdojë seancën për konstituimin e legjislaturës së njëmbëdhjetë.
Në vijë me qëndrimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ai ka thënë të shtunën se fillimisht duhet të arrihet marrëveshja për presidentin, e pastaj do t’i dërgojë ftesat për vazhdimin e seancës.
“Si kryesues i seancës konstitutive u bëj thirrje të gjitha partive politike që të ulen së bashku, ta marrin përgjegjësinë që u takon dhe ta gjejnë zgjidhjen politike që i hap rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe marrëveshjes për presidentin konsensual. Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme, diçka që duhet ta evitojmë”, ka shkruar Dehari në Facebook.
Dehari, tek ka argumentuar vendimin e tij për të mos e vazhduar seancën, ka thënë se po të veprojë ndryshe, mund të rriten tensionet.
Edhe
Nafta shtrenjtohet për një cent
“Ajo që ndodhi para tri ditëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës është pikërisht ajo për të cilën kam paralajmëruar. Çdo përpjekje për ta vazhduar seancën pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon më tej situatën dhe e rrit rrezikun e përplasjeve, madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit”, ka thënë Dehari.
Arsyetimi i Deharit ka ngjallur reagime nga deputetë të PDK-së dhe AAK-së.