LAJMET E MBRËMJES

BQK-ja parashikon rritje ekonomike 3.2 për qind në vitin 2023

Fehmi Mehmeti - BQK

Rritja ekonomike në Kosovë, në vitin 2023 pritet të jetë 3.2 për qind. Parashikimin e ka dhënë të hënën guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, në konferencën për media, në të cilën ka folur edhe për arritjet e tij gjatë 5 vjetëve të fundit, sa ishte në krye të këtij institucioni. Ka përmendur sidomos sigurimin e sistemit të qëndrueshëm financiar dhe likuid.

“Nga 10 banka sa ishin në vitin 2018 sot i kemi 12 banka. Sektori bankar përgjatë periudhës 2018-2022 ka arritur të ketë rritje të aseteve për 2.6 miliardë euro apo me një rritje prej 61.6 për qind. Vlera totale e aseteve në fund të vitit 2022 shënon 6.76 miliardë euro nga 4.18 miliardë që ishte në fund të viti 2018”, ka thënë Mehmeti.

Guvernatori i BQK-së ka folur edhe për nivelin e kredive aktive, për të cilat tha se gjatë 5 vjetëve u rritën për 1.6 miliardë euro apo 57.9 për qind.

“Rritja e kredive është mbështetur kryesisht nga rritja e depozitave, të cilat në dhjetor të vitit 2022 shënuan 5.55 miliardë euro, apo për një rritje rreth 65.1% nëse e shohim për këta pesë vjet. Shprehur në vlerë i bie rritje rreth 2.19 miliardë euro”, është shprehur ai.

Mehmeti e përfundon mandatin si guvernator këtë muaj. Për eliminimin e tij nga gara edhe për një mandat tjetër ai ka thënë se është në përgjegjësinë e panelit vlerësues.

“Kjo çështje i përket panelit, është çështje që i përket Komisionit për Buxhet, Punëve dhe Transferave, është çështje që i përket Kuvendit të Republikës së Kosovës, presidentes dhe kështu me rend. Unë çfarëdo vendimi që merret qoftë prej panelit, qoftë prej Kuvendit, qoftë prej Presidencës, gjithmonë jam për ta zbatuar dhe respektuar”, ka deklaruar Mehmeti.

Në listën e ngushtë për pozitën e guvernatorit të Bankës Qendrore janë: Ahmet Ismaili, Lulzim Ismajli, Nexhat Kryeziu dhe Shkëndije Himaj.