LAJMET E MBRËMJES

Rritja ekonomike më 2025 - 3.9%, më e ulët se më 2024-n kur ishte 4.4%

bqk

Ekonomia e Kosovës këtë vit është rritur me 3.9 për qind, duke shënuar një ritëm më të ngadaltë krahasuar me vitin e kaluar. Inflacioni ka vazhduar të rritet, duke u ndalur në 3.8 për qind, me çmimet e ushqimeve dhe energjisë si shtysat kryesore. Rritja ekonomike vitin e ardhshëm pritet të jetë 4.1 për qind

Ekonomia e Kosovës sivjet është rritur me një ritëm më të ngadaltë sesa vitin e shkuar.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, rritja ekonomike këtë vit është 3.9 për qind apo 0.5 pikë përqindjeje më e ulët sesa më 2024.

Për vitin 2026, sipas guvernatorit të BQK-së, Ahmet Ismaili, parashikohet që rritja ekonomike të jetë  4.1 për qind, e mbështetur kryesisht nga konsumi privat.

“Sigurisht, rreziqet dhe pasiguritë mbeten, ato kanë të bëjnë me faktorët e brendshëm që karakterizojnë sistemin tonë ekonomik dhe politik. Po ashtu, edhe nga rreziqet e jashtme dhe tensionet e tjera gjeopolitike, si dhe rritja e ngadaltë e eurozonës. Duke qenë një ekonomi e varur nga importi dhe gjithashtu e varur nga bashkëpunimi me BE-në, kjo është evidente se do të ketë ndikim”, ka thënë Ismaili të hënën.

Mesatarja e rritjes ekonomike nga viti 2021, e për çka është lavdëruar disa herë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është rreth 5.4 për qind, porse kjo është ndikuar pas rritjes së madhe që është shënuar më 202ë, që ishte vit i rikuperimit pas pandemisë.

Por, në vitet pas 2022-tës, rritja mesatare ishte rreth 4.1 për qind.

E krahas rritjes ekonomike pati edhe rritje të çmimeve.

“Sa i përket inflacionit, sipas të dhënave deri në muajin tetor, inflacioni në Kosovë ishte 3.6 për qind, ndërsa pritet që të mbyllet viti me rreth 3.8 për qind. Ndërsa, për vitin 2026 ne presim që inflacioni të zbutet në 3.4 për qind. Rritja e inflacionit ka qenë kryesisht nga rritja e çmimeve të ushqimit, ka qenë gjithashtu në linjë me dinamikat rajonale dhe evropiane”, ka thënë Ismaili.

Rritja e çmimeve në Kosovë është shënuar kryesisht në pjesën e dytë të vitit.

Trendi i rritjes, sipas të dhënave të ASK-së, filloi nga muaji maj, kur hynë në fuqi tarifat e reja të energjisë, e që konsiderohet njëri nga faktorët në rritjen e çmimeve.

Ani se viti filloi me një rritje prej 1.4 për qind, në nëntor rritja e çmimeve arriti në 5.3 për qind.

Çmimet e ushqimeve dhe të energjisë elektrike, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), e përbëjnë shtysën kryesore të inflacionit në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, ku bën pjesë edhe Kosova.

Rritja e kostos së jetesës përbën shqetësimin kryesor për rreth 70 për qind të qytetarëve të Kosovës, ka treguar një hulumtim i “Valicon”-it, kompani kjo që bën kërkime dhe analiza të tregut dhe që operon në rajonin e Ballkanit Perëndimor.