Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Pesë raste të dhunës në familje u raportuan brenda 24 orëve në rajonin e Gjakovës, tri në Prishtinë

Dhune ne familje

Pesë raste të dhunës në familje dhe kanosjes janë raportuar në rajonin e Gjakovës brenda 24 orëve në Policinë e Kosovës.

Katër raste të dhunës u raportuan në Gjakovë, ndërsa një në Malishevë.

Sipas raportit të Policisë, në Gjakovë një grua ka raportuar se për një periudhë të vazhdueshme ishte përballur me dhunë psikike dhe fizike nga djali i saj. Ajo ka refuzuar strehimin, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër në Gjakovë është raportuar për dhunë psikike ndaj bashkëshortes, për çka i dyshuari është arrestuar, por pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, edhe në Malishevë është raportuar për një rast të dhunës psikike, ku një burrë dyshohet se kishte fyer dhe kanosur bashkëshorten e tij. I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit.

Edhe Katër raste të dhunës në familje brenda një dite në Kosovë Kronikë Katër raste të dhunës në familje brenda një dite në Kosovë

Në Gjakovë është raportuar edhe një rast i kanosjes përmes telefonit, ku një grua dyshohet se kishte kanosur personin me të cilin bashkëjeton. E dyshuara është arrestuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa viktimës i është lëshuar urdhër mbrojtës emergjent.

Po ashtu, në një rast tjetër në Gjakovë, një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje, e cila ka pranuar trajtim mjekësor. I dyshuari është dërguar në mbajtje pas konsultimit me prokurorin.

Tri raste të dhunës në familje u raportuan edhe në rajonin e Prishtinës. 

Një person u arrestua mesditën e djeshme nën dyshimin që i njëjti ka ushtruar dhunë psikike ndaj prindit të tij viktimës. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari u lira dhe rasti shkoi në procedurë të rregullt.

Në një tjetër rast në Prishtinë, dyshohet se ish bashkëshorti i ankueses e kishte sulmuar fizikisht atë, si dhe i kishte lënë në rrugë pa përkujdesje tre fëmijët e tyre të mitur. 

Edhe Gjashtë raste të dhunës në familje për 24 orë Kronikë Gjashtë raste të dhunës në familje për 24 orë

Ndërkohë në Podujevë u arrestua një i dyshuar pasi që i njëjti kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Viktima pranoi tretman mjekësor, ndërsa gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit u gjetën dhe konfiskuan një pistoletë me karikator, katër fishekë dhe një thikë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari u dërgua në mbajtje.

Të gjitha rastet janë iniciuar nga organet kompetente.