Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar nga Policia e Kosovës në raportin 24-orësh të së premtes, më 20 mars.
Në shumicën e rasteve viktima kanë qenë gratë.
Në Obiliq, një grua është raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari nuk është arrestuar. Për rastin është njoftuar prokurori.
Në Gjilan, një person ka kanosur familjarët e tij pas një mosmarrëveshjeje. I dyshuari është arrestuar dhe gjatë kontrollit në veturën e tij është gjetur dhe konfiskuar një revole pa fishek. Ai është dërguar në mbajtje, ndërsa pos për veprën e dhunës në familje, ai dyshohet edhe për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
Ndërkaq në Pejë, një burrë është raportuar se është kanosur nga djali i tij. Rasti po trajtohet në procedurë të rregullt.
Rajoni i Gjakovës ka pasur tri raste të dyshuara për dhunë në familje.
Edhe
Pesë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit
Në Rahovec në një rast të para disa ditësh, një grua dyshohet se ishte sulmuar fizikisht nga babai dhe motra e saj. Të dyshuarit janë intervistuar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.
E në qytetin e Gjakovës janë raportuar dy raste. Në njërin, një burrë dyshohet se ka keqtrajtuar bashkëshorten. Viktima bashkë me katër fëmijët janë strehuar në një shtëpi të sigurt, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Edhe në rastin tjetër në këtë qytet, një burrë është arrestuar po ashtu për dyshimet për keqtrajtim të familjarëve. Edhe ky është dërguar në mbajtje.