Bandat kriminale në Marsejë po rekrutojnë gjithnjë e më shumë të mitur nga e gjithë Franca, duke i joshur me premtime për para të lehta. Por shumë prej tyre përfundojnë të përfshirë në trafik droge, rrëmbime, tortura dhe vrasje me pagesë.
Edhe pse sapo kishte blerë hashash nga një shpërndarës droge, një grua vendosi të njoftonte policinë.
Arsyeja ishte një shënim që shitësi i ri i kishte dhënë bashkë me drogën, gjatë takimit të tyre të shkurtër në një lagje banimi në Marsejë, në vitin 2022.
“Po na mbajnë të mbyllur me forcë dhe kemi nevojë për ndihmë. Jam 15 vjeç”, shkruhej në letër.
Sipas asaj që u bë e ditur në një gjykatë franceze në fillim të këtij viti, adoleshenti që shiste drogë ishte njëri nga dy djemtë që mbaheshin të burgosur nga një bandë kriminale. Të dy fillimisht i ishin drejtuar grupit për të kërkuar punë me pagesë, ndonëse bëhej fjalë për veprimtari të paligjshme.
Njëri prej tyre ishte ngarkuar me menaxhimin e parave, ndërsa tjetri shpërndante drogë në rrugët përreth lagjes Frais-Vallon. Megjithatë, pas një kohe, drejtuesit e bandës nisën t'i shantazhonin se do t’i mbanin përgjegjës për mungesën e parave nga të ardhurat e shitjes së drogës.
Edhe
Rikthehen protestat e nxënësve, bllokohen disa shkolla të mesme në Paris
Pas kësaj, sipas dëshmive në gjykatë, djemtë rriheshin vazhdimisht dhe detyroheshin të kërcenin lakuriq para kamerës, pamje që banda i përdorte për t'i shantazhuar. Njëri prej tyre ishte edhe viktimë e përdhunimit.
Disa orë pasi gruaja kishte marrë shënimin, dy adoleshentët tentuan të arratiseshin nga dritarja e një apartamenti në katin e dytë, por u lënduan gjatë përpjekjes. Njëri arriti të ikte, ndërsa tjetri u kap nga pjesëtarët e bandës, u rrah dhe u godit me thikë. Megjithatë, arriti të mbijetonte.
Pas kësaj ngjarjeje, policia kreu arrestime. Në telefonin e njërit prej personave të dyshuar për torturimin e djemve u gjetën fotografi të disa të rinjve të tjerë, të cilët dukeshin në gjendje të ngjashme. Gjashtë burra janë dënuar më pas me burgime të rënda për atë që u kishin bërë dy adoleshentëve.
Historia e këtyre dy djemve tregon ndikimin e madh që bandat e drogës kanë në disa pjesë të Marsejës, qytetit të dytë më të madh të Francës.
Realitet ndryshe
Kultura mesdhetare, arti i rrugës dhe skena e muzikës hip-hop e kanë kthyer Marsejën në një destinacion të pëlqyer për turistët. Por, larg qendrës së qytetit, realiteti është krejt ndryshe.
Pas disa muajsh përpjekjesh, një ekip i BBC-së arriti të depërtonte në këtë botë të rrezikshme, të përqendruar në lagjet e varfra dhe ndërtesat e larta të banimit në qytetin port. Këto janë zona ku edhe policia nuk ndërhyn lehtë.
Ekipi gjeti një realitet ku bandat e pamëshirshme joshin të rinjtë në gjendje të vështirë, duke u premtuar para të lehta, por më pas i fusin në një botë të mbushur me trafik droge, dhunë dhe shfrytëzim.
BBC-ja dokumentoi mënyrën se si bandat përdorin rrjetet sociale për të rekrutuar persona që kryejnë vrasje me pagesë, si dhe bisedoi me disa të rinj të përfshirë në këtë valë dhune. Një pjesëtar bande, i dyshuar për përfshirje në disa vrasje, tregoi nga burgu se si gjakftohtësia dhe mungesa e mëshirës e kishin ndihmuar të ngjitej në hierarkinë e organizatës kriminale.
Banda më e fuqishme e qytetit, DZ Mafia, doli fituese nga një luftë e përgjakshme për kontrollin e territorit dhe tashmë është shndërruar në një nga organizatat kriminale më të frikshme në Francë.
Shkurtesa DZ është kodi zyrtar i internetit për Algjerinë, vendin ku njëri prej themeluesve të bandës, Mehdi Laribi, shtetas franko-algjerian, u ndalua në fillim të këtij viti, në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga autoritetet franceze.
Sipas Dimitri Zoulas, drejtuesit të njësisë franceze kundër trafikimit të drogës, organizata u bë e njohur në vitin 2023, kur ishte banda e parë në Francë që shfrytëzoi famën e krijuar për të publikuar deklarata në video dhe për ta promovuar veten në rrjetet sociale, duke e kthyer emrin e saj në një markë kriminale.
Deklarata e saj më e fundit u publikua në korrik, pasi kryetari i bashkisë së një qyteti pranë Marsejës u vendos nën mbrojtjen e policisë. Shërbimet e inteligjencës kishin informacione se ai mund të ishte shënjestër e bandës.
Në një video të publikuar në internet, gjashtë burra të maskuar dhe të veshur me të zeza qëndronin pas një tavoline, ndërsa njëri prej tyre lexonte një deklaratë, përmes së cilës mohohej përfshirja e DZ Mafia-s në këtë rast.
Zgjerimi i tregut të paligjshëm të drogës në Francë, ku është rritur ndjeshëm importi i kokainës, krahas sasive të mëdha të kanabisit dhe drogave sintetike, ka ndihmuar gjithashtu në rritjen e shpejtë të kësaj bande.
Numri i përdoruesve të kokainës në Francë pritet së shpejti të arrijë në dy milionë, krahasuar me 600 mijë në vitin 2017, thotë Zoulas. Sipas tij, trafikimi i drogës në Francë gjeneron rreth shtatë miliardë euro në vit dhe përfshin afërsisht 200 mijë persona.
Shumë prej personave që merren me shpërndarjen e drogës janë fëmijë. Autoritetet franceze thonë se numri i të miturve të përfshirë në këtë veprimtari po rritet. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025, më shumë se 10 mijë fëmijë ishin përfshirë në një formë të trafikimit të drogës.
BBC-ja ka zbuluar se tashmë organizata po rekruton të rinj nga e gjithë Franca, jo vetëm për të shitur drogë, por edhe për të kryer rrëmbime, tortura dhe vrasje.
Bëhet fjalë për një brez të rinjsh që drejtuesit e bandave i konsiderojnë të lehtë për t'u manipuluar dhe korruptuar, por edhe të zëvendësueshëm. Këta drejtues zakonisht vazhdojnë t'i kontrollojnë aktivitetet kriminale nga burgu ose nga jashtë vendit.
Adoleshentët e përfshirë
Pak njerëz e njohin më mirë se nëna Karine Brouillard pasojat njerëzore të veprimtarisë së bandave kriminale të Marsejës. Ajo jeton në skajin tjetër të Francës, pothuajse në pikën më të largët nga bregdeti i Mesdheut.
Djali i saj, Hugo, ishte larguar për herë të parë nga shtëpia në moshën 15-vjeçare, pas një zënke me familjen. Ai jetonte në një fshat në pjesën e njohur si Nord të Francës. Tri ditë më vonë, policia e gjeti në Marsejë, afro 1.000 kilometra larg shtëpisë, me para dhe kanabis në posedim. Më pas, ai u kthye në shtëpi.
Disa vite më vonë, në vitin 2023, Hugo planifikoi të shkonte sërish në jug të Francës. Prindërve u tha se kishte siguruar një punë sezonale në një restorant pranë Marsejës.
“Ai na mbante vazhdimisht të informuar. Më telefononte dhe më thoshte se gjithçka po shkonte mirë”, kujton Karine.
Tri javë më vonë, ajo mori një telefonatë nga një mjek. Karine thotë se nuk do t'i harrojë kurrë fjalët e tij: “Djali juaj ka mbërritur mbrëmë. Është qëlluar me plumb në kokë”.
Policia beson se Hugo ishte dërguar për ndihmë mjekësore nga një zonë e kontrolluar nga bandat dhe dyshon se ai ishte i përfshirë në veprimtarinë e njërës prej tyre.
Kjo zonë quhet Quartier Nord.
Për të hyrë në Quartier Nord, ku DZ Mafia ushtron ndikim të madh, ekipi i BBC-së u ndihmua nga banorja e zonës, 41-vjeçarja Fadella Ouidef, nënë e katër fëmijëve, e cila i shoqëroi gjatë vizitës.
Por, vetëm 37 sekonda pasi hynë në një kompleks banimi, u gjendën të bllokuar.
Sapo vetura Peugeot e Fadellës kaloi një pikë kontrolli të ngritur nga banda, u dëgjuan boritë e veturave. Adoleshentët që qëndronin aty e vunë re menjëherë kamerën e BBC-së.
“Prit, ndalo së filmuari”, paralajmëroi Fadella, ndërsa një veturë e madhe gri e tipit 4x4 i detyroi të ndaleshim në anë të rrugës.
“Po përgatis një raport për shoqatën e banimit”, i tha ajo shoferit, i cili kërkonte të dinte arsyen e pranisë sonë. Në fund, ai pranoi të na linte të largoheshim, me kusht që të ndalonim filmimin.
Ishte shqetësuese të shihje një veturë private që sillej me aq autoritet, ndërsa largimi i saj na solli lehtësim.
“Kohët e fundit, bandat janë bërë shumë agresive”, shpjegon Fadella. “Ne thjesht përpiqemi t'i bëjmë të rinjtë tanë të kuptojnë se ajo që po ndodh është e gabuar”.
Fjalët e Fadellës pasqyrojnë frikën e shumë familjeve të zonës se fëmijët e tyre po joshen me shuma të mëdha parash për t'u futur në rrugën e krimit, duke humbur kështu pafajësinë e tyre.
Edhe
“Prerësi i gishtave” përballë “Eskobarit brazilian”: Historia e një rrjeti ndërkombëtar droge
Pikërisht paratë e shtynë një të ri të kalonte vitet e adoleshencës në radhët e DZ Mafia-s.
Camil (emri i të cilit nuk është i vërtetë) tregon se ishte ngjitur gradualisht në hierarkinë e bandës, derisa mori përsipër organizimin e sigurisë në një nga zonat që ajo kontrollonte.
I riu, tashmë 20-vjeçar, pretendon se është larguar nga grupi. Ndonëse shfaq dyshime për praninë e ekipit të BBC-së, ai pranon të tregojë se si banda rekruton anëtarë të rinj.
“Ata dinë si të depërtojnë në mendjen tënde. Çfarëdo që dëshiron, ta japin”, thotë ai. Sipas tij, premtimet përfshijnë vetura luksoze, apartamente të mëdha, drogë dhe prostituta.
“Për shkak të gjithçkaje që të japin, ndien se u ke borxh dhe bëhesh besnik ndaj tyre. Qëndron me ta deri në fund, derisa të vdesësh ose të përfundosh në burg”.
Camil shpjegon edhe se çfarë ndodh kur banda vëren ndonjë dobësi te një person që sapo është rekrutuar.
“Ata do ta shfrytëzojnë atë. Bëhesh vegël e tyre dhe gjithçka merr fund”, thotë ai.
Një tjetër pjesëtar i DZ Mafia-s, të cilin do ta quajmë Adam, pasi ky nuk është emri i tij i vërtetë, i tregoi ekipit të BBC-së, gjatë një bisede me video në Snapchat, se kishte qenë pjesë e një grupi të bandës që kryente vrasje me pagesë.
Ai aktualisht ndodhet në burg dhe pret të dalë para gjykatës, pasi është përfshirë në hetimet për disa vrasje.
“Njerëzit vunë re vendosmërinë dhe gjakftohtësinë time. Pa e kuptuar as vetë, u ngjita në hierarkinë e bandës”, thotë Adami. “Ajo u bë bota ime dhe duhej të vazhdoja në atë rrugë”.
Gjatë bisedës me ekipin e BBC-së, ai pranon se vrasjet për të cilat akuzohet kanë qenë “mjaft tronditëse”.
“Sulme në mes të ditës, në trafik të dendur... Ndonjëherë bëhet fjalë vetëm për të shkuar dhe për ta goditur dikë, ndërsa në raste të tjera mund ta marrin para syve të nënës së tij dhe ta djegin brenda një veture. Mendoj se kam vetëkontroll të mirë dhe arrij t'i përballoj këto situata”, thotë ai.
Gazetari i BBC-së e pyeti Adamin nëse ndiente pendesë për përfshirjen në akte të tilla brutale dhune.
Ai thotë se ndihet “pjesërisht fajtor”, por pretendon se nuk pendohet për atë që ka bërë.
“Nëse nuk do t'i kisha bërë unë të gjitha këto, do të kishte pasur të tjerë që do t'i bënin në vendin tim. Unë jam vetëm një hallkë tjetër në këtë zinxhir”, thotë ai.
Ashtu si shumë adoleshentë të tjerë nga Marseja, edhe ai e dinte se përmes trafikimit të drogës mund të fitoheshin shuma të mëdha parash në një kohë të shkurtër. Tashmë në të njëzetat, ai pranon se mjedisi ku ishte përfshirë kishte qenë një “kurth”.
Në një pikë të shitjes së drogës, të vendosur në një kompleks banimi social dhe të kontrolluar nga DZ Mafia, çmimet e kokainës, hashashit dhe marijuanës janë shkruar me grafite në një mur.
Kompleksi shërben si një lloj fortese natyrore për trafikantët. Me vetëm një rrugë kryesore hyrëse dhe dalëse, ata mund të kontrollojnë lëvizjen e klientëve dhe të vërejnë nëse po afrohet policia.
Në këto zona, nuk është e pazakontë që gjatë natës të dëgjohen të shtëna me armë automatike.
Pas disa muajsh negociatash, një përgjegjës i një pike të shitjes së drogës, pjesëtar i një bande rivale, pranoi të takohej me ekipin e BBC-së në vendin ku ushtronte aktivitetin.
Ekipi hyri në kompleks herët në mëngjes. Kënga e zogjve dhe fëmijët që shkonin në shkollë krijonin një kontrast të fortë me aktivitetin kriminal në shkallë të gjerë që zhvillohej aty.
Joe, emri i të cilit gjithashtu është ndryshuar, tregon se në moshën 13-vjeçare fitonte 3.000 euro në muaj. Tani, sipas tij, të ardhurat mujore i janë rritur në 5.000 deri në 10.000 euro.
Ai duket se e konsideron këtë rrugë si diçka të paracaktuar për të, ndonëse fitimprurëse.
Sipas Dimitri Zoulas, nga njësia kundër trafikimit të drogës, aktiviteti i bandës së Joe dhe i DZ Mafia-s përbën kërcënim për sigurinë kombëtare.
Ai thotë se pasojat përfshijnë aksidente rrugore, dhunë në familje, depresion, vetëvrasje dhe më shumë se 700 raste të mbidozimit të drogës çdo vit. Përveç kësaj, sipas tij, ky aktivitet dëmton edhe ekonominë.
“Po shkojmë drejt një rreziku real të paralizimit të sistemit të drejtësisë penale”, paralajmëron ai.
Sipas policisë, që nga viti 2024 janë arrestuar rreth 1.000 persona të lidhur me DZ Mafia-n, ndërsa 600 prej tyre janë dërguar në burg.
Megjithatë, në përgjithësi, lufta kundër këtyre organizatave po bëhet gjithnjë e më e vështirë, në vend që të lehtësohet.
Ndërsa bandat përpiqen të zgjerojnë aktivitetin ose të zëvendësojnë anëtarët e arrestuar dhe të vrarë, rrjetet sociale janë shndërruar në një mjet të fuqishëm rekrutimi. Ky fenomen është shtuar veçanërisht pas pandemisë COVID-19, kur një pjesë e madhe e shitjes së drogës në rrugë u zhvendos në internet.
Në rrjetet sociale, ekipi i BBC-së gjeti shumë njoftime për vende pune në Marsejë, ku kërkoheshin shoferë, korrierë dhe persona për të kryer vrasje me pagesë. Në këto njoftime përdoreshin shpesh edhe fotografi të krijuara me inteligjencë artificiale, të cilat e paraqisnin këtë veprimtari në mënyrë joshëse.
“Këta të rinj rekrutohen nga organizatorë të paskrupullt, të cilët i dërgojnë drejt e në gojën e ujkut”, shpjegon Thibaut Fontaine, drejtues i njësisë franceze kundër krimit të organizuar.
Sipas tij, mungesa e përvojës së tyre në botën kriminale bën që ata të kapen më lehtë nga policia.
Karine ende nuk e di pse djali i saj, Hugo, u qëllua me armë zjarri.
E pyetur se çfarë do t'u thoshte drejtuesve të bandave që rekrutojnë fëmijë dhe të rinj në Marsejë, ajo përgjigjet:
“Ata shkatërrojnë familje. Motrat e vogla, vëllezërit e vegjël, gjyshërit. Por nuk besoj se këta njerëz kanë zemër”.
Edhe
Ora policore ndihmon në qetësimin e Francës, planifikohen protesta të tjera
Restoranti ku djali i saj kishte thënë se do të punonte ekzistonte vërtet. Megjithatë, punonjësit e tij i thanë Karines se nuk kishin punësuar kurrë dikë me emrin Hugo.
Arsyeja e vdekjes së tij, me shumë gjasë, fshihet në botën kriminale të Quartier Nord, në Marsejë.