Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Auctoritas

Le të luajmë universitetesh. Ne, profesorët e profesoreshat, shkrepim kartela në aparat, studentët skanojnë QR-kodet, e dija, pa kartelë e QR-kod, mbetet jashtë. Kaligula dikur dëshironte ta bënte kalin konsull. Me një kartelë si këto të universitetit, kali do të ishte konsulli më i zellshëm

Në hyrje të sallës së mësimit, në anën e majtë, afër ndërprerësit të dritave, është një aparat i vogël në mur. Kur hyj në sallë, duhet ta fus në të kartelën dhe pastaj ndizen do drita të lehta mavi që do të duhej të ishin vërtetimi se kam nisur orën. Sakaq, studentët e studentet një nga një vijnë si në rreshtat për qumësht këtyniherë për të dëshmuar se janë në mësim. Të gjithë jemi fajtorë derisa të mos vërtetohet e kundërta. A priori. E kundërta vërtetohet vetëm me atë pajisje. E pajisja, pajisje hesapi, kryesisht punon. Përveç ndonjë çasti që nuk punon dhe del që ti e ke nisur orën, por nuk e ke mbaruar ose, anasjelltas, e ke përfunduar orën, por nuk e ke filluar asnjëherë. 

Pajisjet duhet të shërbejnë për diçka dhe kjo afër ndërprerësit është instrument matës. Termometri mat temperaturën, peshorja peshën. Pajisja jonë me kartelë mat një trup që ka kaluar pranë aparatit. Nuk mat nëse ai trup ka dëgjuar diçka, nëse ka kuptuar ndonjë fije, nëse ka dalë nga salla më i ditur sesa ka hyrë. Me një fjalë: universiteti ka vendosur të matë trupat, si çobani lopët. E shkrepim edhe ne profesorët. Nëse nuk e shkrepim, nuk paguhemi. Përpara kemi pasur fletevidencat. Profesorë e profesoresha mashtruese, sepse gjithnjë dhe gjithkund ka të tillë, në një orë mësimi u jepnin studentëve e studenteve nja 10 fletevidenca dhe pastaj nuk kishin nevojë të mbanin mësim. Pajisja tani do të duhej t’ua tregojë qejfin. Mirëpo, po këto profesorë e profesoresha tani ia japin dikujt kartelën për ta regjistruar orën dhe nuk janë aty. E profesoreshat e profesorët e tjerë, që përbëjnë shumicën, ndonjëherë ngatërrohen. Sekush në hutinë e tyre e fut letërnjoftimin në vend të kartelës, sekush patentën e shoferit. Epo, kush u ka faj që janë trullça notorë, do të thotë dikush. Le të koncentrohen. Sa koncentrohen në shkencë, le të koncentrohen në kartelë, është urdhri i drejtuesve të universitetit. Qy sa mirë filani, nuk po habitet asnjëherë (ndonëse në sallë vetëm lexon nga sllajdet dhe nuk thotë asgjë të re). Pajisja te dera nuk është matës i cilësisë së profesorit, sepse nuk është i ndërtuar për diçka të tillë.

Mirëpo, në Universitet, me gjasë, dija nuk qenka prioritet.

Romakët e lashtë i kishin dy fjalë për atë që ne sot e quajmë pushtet. E para është: potestas, e drejta për të urdhëruar, për të detyruar e për të ndëshkuar. E kishin magjistratët. E dyta është auctoritas, pesha e fjalës së dikujt që nuk të detyron, por të bind. E kishte senati. Auctoritas vjen nga auctor e kjo nga augere që do të thotë rris, shtoj. Autoriteti në rrënjën e saj është ai që të bën të rritesh, të zhvillohesh. Pushtetit i mjafton të të urdhërojë pa të bindur. 

Po të kishte pasur Senati romak kartela, sistemi do të kishte shënuar birinxhi që Cezari më 15 mars 44 p.e.s. e kishte nisur mbledhjen, por ajo nuk kishte përfunduar kurrë. 

„A edhe ti, bir, kartelë?!“ Tu quoque, kartelas, fili mi?

Universiteti është ndërtuar mbi auctoritas. Kur Humboldti e themeloi universitetin modern në Berlin, e mbështeti mbi dy liri: lirinë e profesorit për të mësuar të tjerët dhe lirinë e studentit për të mësuar vetë. Asnjëra nga këto liri nuk kalon nëpër aparatin te dera.

E rektori kush është? Në traditën universitare, rektorët nuk janë pronarë kompanish, as drejtorë kooperative. Zgjidhen nga koleget e kolegët dhe janë primus inter pares, i pari mes të barabartëve. Fjala rector vjen nga regere, drejtoj e jo nga imperare, urdhëroj. Rektori ka autoritet se ia kanë dhënë kolegët e koleget. Jo aparatet në mur. 

Secili rektor do të mund të jepte këshilla: Dija është e mirë, mësoni! Aparati na e jep mesazhin: Jeni fajtorë derisa të shkrepni kartelën.

Tani studentë të Mjekësisë të UP-së po bojkotojnë evidentimin me QR-kod. E kanë kuptuar para nesh: trupi i numëruar nuk është dije.

Në universitetin paralel, kur ishim të rrezikuar/a fizikisht pse shkonim në fakultet, askush nuk maste me kartela, po të gjithë ishim aty, në ato klasë të improvizuara. 

E ne profesorët nuk jemi pa fajin tonë. Studentët e studentet mund të vijnë e të mos vijnë dhe kjo do të duhej të ishte rrjedhojë e asaj që ne ofrojmë në sallat e mësimit. Kur ligjëratat ofrojnë diçka shtesë, studentët vijnë hygjym pa kartelë.

Mirëpo, përherë ka pasur hygjyme të ngjashme për të vënë pushtet, urdhra e “rregull” në Universitet. Disa profesorë i quajnë parime. Unë, për vete, nuk jam shumë parimor. Të vërtetën nuk e kam asnjëherë a priori, gjithnjë e kërkoj a posteriori. Mirëpo, një parim e kam shumë të qartë: dija është para mosdijes. Mbaj mend një rast. Një profesor i rreptë, nga ata me çehre më të ngrysur se setra dhe me sy më të skuqur se kravata, po m’i rrëzonte studentët si kunguj se nuk kishin qenë të disiplinuar në orë dhe nuk i kishin mësuar përmendësh disa përkufizime që ky ua kishte dhënë e ata nuk po arrinin të kualifikoheshin për provimin pranues të doktoratës. Kur mora të flisja me të, më tha se nuk bën me hatër të kryhen punët. „Unë kam parime. Nuk fali nota“.

Demek, ai ishte i ndershëm, ndërsa unë isha ai që po shkelja parimet dhe po prishja rendin.

Ou. Aty po e prisja. 

“Prit”, i thashë. Shkova e mora testin e provimit pranues dhe i thashë: “Mbushe”. Ai tha: “Unë jam profesor”.

“Po, dhe parimor shumë”, i thashë. “Mbushe”.

Nuk dinte. Studentët që i ngelte, e kishin mbushur. Kishin ditur.

Po fshihej pas disa parimeve pikërisht se nuk dinte. Po fshihej pas tyre, pikërisht se po e shkelte parimin kryesor universitar: për të qenë profesor, duhet të dish, për të kaluar provimet si studente/student duhet të dish.     

Universiteti ka nevojë për autoritet e ne i mësojmë studentët që, megjithatë, të mos u binden pushteteve. Të kërkojnë të vërtetën, pavarësisht urdhrave. E autoriteti, kjo është e sigurt, nuk shkrepet në aparat. Fitohet në sallë, orë pas ore, dekadë pas dekade, libër pas libri. Kur ne numërojmë trupa, pranojmë se nuk na intereson dija.

Me fjalë të tjera: Zoti aparat, Bardh Rugova – prezent!