Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Gjashtë raste të dhunës në familje brenda një dite

Arrestim

Gjashtë raste të dhunës në familje, kanosjes dhe ngacmimit janë raportuar në disa qytete të Kosovës gjatë 10 nëntorit. Në mesin e rasteve të raportuara ka dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshorteve, familjarëve dhe një të miture, ndërsa disa persona janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, në Graçanicë, një grua ka raportuar se për një kohë të vazhdueshme kishte pranuar mesazhe kërcënuese dhe ngacmuese nga një burrë me të cilin kishte bashkëjetuar më parë. I dyshuari është arrestuar dhe, pas konsultimit me prokurorin, është dërguar në mbajtje.

Në Prishtinë janë raportuar tri raste të dhunës në familje. Në rastin e parë, një burrë është arrestuar nën dyshimin se në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj nënës dhe motrës së tij. Në rastin e dytë, një tjetër burrë është arrestuar për shkak të dyshimeve se kishte ushtruar vazhdimisht dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij. Të dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje pas konsultimit me prokurorin.

Ndërkohë, në një rast tjetër në Prishtinë, është raportuar se një e mitur kishte përjetuar dhunë psikike nga prindërit e saj. Me urdhër të prokurorit, rasti do të procedohet në procedurë të rregullt.

Dhuna në familje është raportuar edhe në Gjakovë, ku dy vëllezër janë arrestuar pasi janë përleshur fizikisht mes vete. Sipas policisë, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dy janë dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër është regjistruar në Leposaviq, ku një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti dhe vjehrri i saj. Si pasojë, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe ka marrë tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, bashkëshorti është dërguar në mbajtje, ndërsa vjehrri është liruar për t'u proceduar në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rastet janë duke u trajtuar në koordinim me Prokurorinë kompetente.