Barazimi i dytë pa gola me Izraelin ka lënë dëshpërim te ekipi përfaqësues i Kosovës në futboll. Por “Dardanët” ende e kanë fatin e tyre në dorë. Madje në ndeshjen e fundit të edicioni të pestë të Ligës së Kombeve u mjafton barazimi për sukses të madh.
Kosova të martën prej orës 20:45 luan në Dublin ndaj Irlandës. Me fitore apo barazim përfundon e dyta në Grupin B3. Fitorja apo barazimi ia siguron Kosovës vazon e dytë për shortin e kualifikimeve për Euro 2028 dhe vendin në plejof për promovim në Ligën A për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.
Të shtunën në “Fadil Vokrri”, Kosova luajti 0:0 me Izraelin. Në mbrëmje Austria fitoi 1:0 ndaj Irlandës. Austria e ka fituar grupin me 11 pikë dhe është promovuar në Ligën A të Ligës së Kombeve.
Kosova është e dyta me gjashtë pikë. Irlanda renditet e treta me pesë pikë, ndërsa Izraeli është i katërti me tri pikë dhe pa gjasa për ta kaluar Kosovën. Kështu, vendimtare në garën për vendin e dytë është ndeshja direkte mes Irlandës dhe Kosovës. Pozita e dytë në grup siguron gjëra të rëndësishme. Pozita e tretë vetëm qëndrimin në Ligën B. Përfaqësuesja që përfundon e treta, në shortin e kualifikimeve për Euro 2028 do të jetë në vazon e tretë.
Ka shumë rëndësi nëse Kosova do të jetë në vazon e dytë apo të tretë për short. Kualifikimi në Evropianin 2028 është qëllimi i madh te Kosova. Grupet kualifikuese do të kenë nga katër apo pesë përfaqësuese. Nëse Kosova vendoset në vazon e dytë, do të ketë në grup të paktën dy përfaqësuese që llogariten më të dobëta. Nëse vendoset në vazon e tretë, do të ketë në grup dy përfaqësuese që llogariten më të forta.
Në kualifikimet për Euro 2020, Kosova ishte në vazon e parafundit për short, përkatësisht në të pestën prej gjashtë gjithsej. Qëlloi në grup me pesë përfaqësuese, që nënkupton se ishte përfaqësuesja më së ulëti e ranguar në grup.
Për Euro 2024, Kosova ishte në vazon e katërt prej gjashtë gjithsej. Prej vazos së gjashtë në grup e kishte Andorrën e prej të pestës Bjellorusinë. Tani mund të jetë potencialisht në vazon e dytë dhe rrjedhimisht të ketë gjasa më të mëdha për kualifikim në Evropian.
Shorti i kualifikimeve për Euro 2028 tërhiqet më 6 dhjetor në Belfast të Irlandës së Veriut. Kualifikimet e rregullta për Evropian luhen vitin e ardhshëm. Fituesit e grupeve kualifikuese shkojnë në Evropian, ndërsa kualifikimi është i mundur edhe prej vendit të dytë.
Nëse shmang humbjen në Dublin, Kosova do të jetë edhe në plejofin për promovim në Ligën A të Ligës së Kombeve. Në plejof, Kosova do të luante me ndonjë përfaqësuese që aktualisht është në Ligën A. Ndeshjet e plejofit zhvillohen në mars të vitit të ardhshëm. Kosova do të ishte vendase në ndeshjen e parë dhe mysafire në të dytën.
Tek Irlanda tani kërkojnë fitoren ndaj “Dardanëve”.
“Kemi ende shanse të mëdha të martën për të arritur atë që duam”, ka thënë Troy Parrott, njëri prej lojtarëve kryesorë të Irlandës.
Irlandezët vlerësojnë se nuk e kanë merituar humbjen nga Austria.
“Nuk kemi dashur të humbim lojtarët më të rëndësishëm për ndeshjen e ardhshme. Gjithnjë e kemi ditur se ndeshja me Kosovën është më e rëndësishmja. Por ishim shumë afër që të fitojmë me Austrinë dhe të jemi në gjendje të fitojmë grupin”, ka thënë selektori i Irlandës, Heimir Hallgrimsson.
Më 24 shtator në Prishtinë, Kosova fitoi 1:0 ndaj Irlandës, me golin e Vedat Muriqit.