Në dhjetor bëhen gati dy vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe prodhuesit shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes MKE për themelimin e fabrikës së municionit në Kosovë. Megjithatë, punimet për ndërtimin e saj kanë nisur vetëm së fundmi.
Këto vonesa i kanë kritikuar deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashaj-Ramaj dhe ai i Aleancës, Burim Ramadani.
Kabashaj-Ramaj, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se premtimet e kryeministrit Albin Kurti për fabrikën e municionit dhe prodhimin e dronëve “Made in Kosova”, nuk janë reflektuar në buxhetet e viteve përkatëse.
“Fatkeqësisht, në asnjërin buxhet nuk kanë qenë të reflektuara. Dhe natyrisht, për t'i ndërtuar duhet me pasë edhe investime serioze kapitale në këtë rast, të cilat duhet të reflektojnë me transparencë në buxhetin e Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht, për momentin në buxhetin që është dërguar, nuk reflektohet fare asnjëra dhe as tjetra dhe kjo është për shqetësim, sepse nuk krijon transparencë për mbikëqyrje”, potencoi ajo.
Kabashaj-Ramaj ka bërë të ditur se përmes pyetjeve parlamentare ka kërkuar edhe dokumentacionin dhe informacionet përkatëse lidhur me këto projekte, duke kërkuar që ato të bëhen publike në përputhje me nivelin e klasifikimit.
“Të gjitha komponentët dhe dokumentacionet që nevojiteshin në pyetjen parlamentare janë kërkuar për t'u dorëzuar me shkrim dhe presim që sa më shpejt të dorëzohen informacionet, natyrisht, duke pasur parasysh që ka dy forma kërkesash, kërkesa për informacionet të cilat janë të qasshme publikisht dhe mund të ndajnë me publikun, po dhe ato që mund të jenë të klasifikuara përmes kanaleve zyrtare respektive”, theksoi deputetja e PDK-së.
Edhe deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, në një intervistë për EO ka kritikuar vonesat në nisjen e punimeve, duke thënë se marrëveshja e nënshkruar në dhjetor të vitit 2024 është dashur të shoqërohej me hapa konkretë shumë më herët.
“Së pari duhet të qartësohet se fillimi i punimeve për fabrikën e municionit është vonë, madje, tashmë, me dy vjet vonësi. Pra, marrëveshja është nënshkruar në dhjetor të vitit 2024 dhe deri më tash është livadh, pra, nuk ka, lëndinë, pra, nuk ka ndërtim”, theksoi Ramadani.
Ai ka shprehur pesimizëm edhe për mundësinë që punimet të zhvillohen me ritëm të shpejtë, duke marrë parasysh kohën kur kanë nisur dhe afrimin e sezonit të dimrit.
“Dhe, rrjedhimisht të gjitha këto që na kanë thënë kryeministri, ministri i mbrojtjes deri tash që në fund të vitit 2026 do të prodhohet municioni në Gjakovë, kanë dalë pavërteta, pra kanë dalë vetëm llafe për jo punë”, shtoi Ramadani.
Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, e ka cilësuar ndërtimin e fabrikës së municionit si projekt jashtëzakonisht të rëndësishëm për Kosovën, pasi, sipas tij, prodhimi vendor do ta zvogëlojë varësinë nga importi dhe do të krijojë mundësi edhe për eksport.
Megjithatë, ai nuk pret që prodhimi të nisë deri në fund të këtij viti, meqë sipas tij, përveç ndërtimit të objektit, nevojitet edhe instalimi i makinerive dhe përgatitja e personelit.
“Ka filluar para pak kohësh edhe unë do të thosha nuk besoj që mundet kaq shpejt të fillojë prodhimi në fund të vitit, por e pritshme me fillim të vitit të ardhshëm do të bëhet e mundshme, nga se ajo kërkon vetë domethënë strukturën e ndërtesës, infrastrukturës, mandej vendosja e makinerisë, personelit, gjithë ajo. Mendoj që akoma duhet kohë për atë, por sido që të jetë e pres që kjo do të marrë një kahje, diku në fillim të vitit edhe me shpresë që përveç për mbushjen e nevojave të brendshme që do të kemi edhe mundësi eksporti edhe jashtë”, potencoi ai.
Ibishi vuri në pah se në fabrikë parashihet të prodhohen municione të kalibrave 5.56 dhe 7.62, të cilat përdoren nga armatimi sipas standardeve të NATO-s.
“Së pari unë e vlerësoj një projekt jashtëzakonisht të rëndësishëm nga ajo se po fillon prodhimi i municionit 5.56 edhe 7.62 që tregon që na heq një varësi nga importi, por njëkohësisht edhe mundësia që të eksportojmë jashtë”, ka theksuar Ibishi.
Vitin e kaluar, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë se municionet e para të fabrikës së municioneve që do të ndërtohet në Gjakovë do të prodhohen në fund të vitit 2026.
Qeveria e Kosovës më 27 nëntor miratoi kërkesën për shpronësimin e pronave të ish-kombinatit bujqësor Ereniku, për ndërtimin e zonës industriale në Jahoc të Gjakovës, ku do të ndërtohet fabrika e municioneve. /EO