Banka Qendrore e Kosovës vlerëson që këtë vit rritja ekonomike në Kosovë pritet të jetë 3.2 për qind.
Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, të hënën ka mbajtur konferencë për media në përfundim të mandatit të tij pesëvjeçar. Ai ka përmendur krizat me të cilat është përballur vendi gjatë pandemisë COVID-19 dhe pasojat e pushtimit rus të Ukrainës.
“Patëm një rënie ekonomike gjatë periudhës së pandemisë prej 5.2 për qind, e më pastaj pas pandemisë kemi pasur një rritje të theksuar ekonomike, po flasim për vitin 2021, rritje prej 10.75 për qind që ishte ndikuar prej shumë faktorëve. Po ashtu, këtë vit kemi rritje ekonomike, vlerësimet tona vazhdojnë të jenë se rritja do të jetë prej 3.2 për qind, e që është ndikuar prej shumë faktorëve dhe masave të cilat janë marrë nga Qeveria”, tha Mehmeti.
Mehmeti ka folur edhe për Fondin Pensional në Kosovë. Ai ka thënë se është rritur nga 1.65 miliardë euro sa ishte në fund të vitit 2017, në 2.42 miliardë euro në fund të vitit 2022.
“Është e rëndësishme të theksohet se përkundër tërheqjes së 10 për qind të fondeve pensionale gjatë vitit 2020, si rezultat i aprovimit të ligjit për rimëkëmbje ekonomike, në vlerë rreth 200 milionë euro, fondet pensionale kanë vazhduar trendin rritës edhe gjatë viteve vijuese, përkatësisht gjatë vitit 2021 dhe 2022. Megjithatë, për shkak të lëvizjeve të pafavorshme në tregjet ndërkombëtare, si rezultat i agresionit rus në Ukrainë, gjatë vitit 2022 sektori pensional shënoi rënie të kthimeve në investime, ku rënia e këtyre investimeve gjatë vitit 2022 ishte në vlerë rreth 120 milionë euro. Megjithatë, me përmirësimin e tregjeve financiare, vlerësohet se edhe rënia e vlerës së këtyre investimeve do të rikuperohet. Ndërkohë që kontributet e reja pensionale gjatë vitit 2022 shënuan vlerën prej rreth 242 milionë euro”, tha Mehmeti.
Mehmeti përfundon mandatin si Guvernator këtë muaj, dhe për eliminimin e tij nga gara për një mandat tjetër u shpreh se është çështje që i përket panelit.
“Kjo çështje i përket panelit, është çështje që i përket Komisionit për Buxhet Punëve dhe Transfereve, është çështje që i përket Kuvendit të Republikës së Kosovës, presidentes dhe kështu me rend. Unë çfarëdo vendimi që merret qoftë prej panelit, qoftë prej Kuvendit, qoftë prej presidencës gjithmonë jam për ta zbatuar dhe respektuar”
Në listën e ngushtë për pozitën e Guvernatorit të Bankës Qendrore janë Ahmet Ismaili, Lulzim Ismajli, Nexhat Kryeziu dhe Shkëndije Himaj.
Ndërsa Mehmeti ka qenë Guvernator i BQK-së që nga viti 2018.