LAJMET E MBRËMJES

Arsimtari deklarohet i pafajshëm për nxitje të përçarjes, PSRK-ja pretendon se u nxit nga ideologjia fetare

Muhamed Hajredinaj

Mësimdhënësi që i përdhosi simbolet kombëtare shqiptare duke hedhur flamurin kombëtar dhe plisin e një nxënëseje në mbeturina ka dalë të hënën para gjykatës. Ai është vetëdeklaruar i pafajshëm lidhur me aktakuzën e Prokurorisë Speciale për nxitje të përçarjes.

Arsimtari i shkollës “Xhemal Mustafa” në Prishtinë, që ia hodhi nxënëses flamurin kombëtar në mbeturina kur kremtohej festa e pavarësisë së Shqipërisë, është paraqitur para Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Prokuroria Speciale e akuzon atë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, e arsimtari i anglishtes, Muhamed Hajredinaj, u deklarua i pafajshëm.

Prokurori special, Bekim Kodraliu, tha se i pandehuri i nxitur nga bindjet e tij ekstreme fetare përdhosi simbolin kombëtar, me qëllim që të shkaktonte përçarje brenda bashkësive fetare dhe kombëtare që jetojnë në Kosovë.

“I pandehuri për shkak të bindjeve të tij fetare, të cilat i ka shprehur edhe më parë në prani të nxënësve, ka marrë flamurin kuqezi dhe plisin dhe, me gjithë kundërshtimet e nxënësve, i ka hedhur në shportën e mbeturinave, si dhe ka larguar nga ora mësimore një nxënëse, e cila mbante këto simbole kombëtare me qëllim të pjesëmarrjes në programin festiv të organizuar nga shkolla për Ditën e Flamurit. Me këto veprime të kryera, publikisht ka nxitur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve kombëtare, etnike dhe fetare, tha Kodraliu. 

Hajredinaj tha se përshkrimi i situatës është i gabuar, tek u deklarua i pafajshëm mbi akuzën.

“A ndiheni fajtor për veprën penale e cila ju vihet në barrë në bazë të kësaj aktakuze?” – e pyeti gjyqtari Lufti Shala.

“Jo aspak”, tha Hajredinaj.

Në bazë të aktakuzës Hajredinaj edhe më herët ia ka shprehur ideologjinë e tij fetare, duke predikuar edhe në klasë ku kishte thënë se muzika është haram në fenë islame.

I pandehuri, sipas dëshmisë së dëshmitares, Margareta Shabani, që është arsimtare në shkollë ka përdorur edhe fjalor vulgar ndaj nxënësve shkaku i bindjeve të tij.  

“Derisa nxënësit shpjegonin situatën, i pandehuri iu drejtohej me fjalë fyese "lahper, mbylle gojën, të shtrydhi si limon". Në vazhdën e asaj situate dhe pas një debati me nxënësit, i pandehuri në atë moment ishte acaruar dhe e kishte gjuajtur plisin në shportë të mbeturinave. Dëshmitarja thekson se nxënësit kanë qenë shumë të shqetësuar me sjelljen e arsimtarit Muhamed dhe derisa dilte nga klasa, ai kishte vazhduar t’i ofendonte nxënësit prapë në të njëjtën mënyrë duke i thënë "mbylleni gojën" etj…Pas kësaj nxënësit ishin të shqetësuar dhe i përshkruanin veprimet e të pandehurit se si e kishte hedhur flamurin kombëtar në shportën e mbeturinave dhe sjelljen arrogante ndaj nxënësve dhe përqeshjen që u kishte bërë lidhje me simbolet kombëtar shqiptare”, thuhet në aktakuzë.

Prokuroria ka kërkuar po ashtu që Hajredinajt, që është i suspenduar aktualisht, t’ia shqiptojë edhe ndalimin e ushtrimit të funksionit në administratën publike ose në shërbim publik.

Vetë i akuzuari e ka pranuar se e ka hedhur flamurin në mbeturina dhe në bazë të aktakuzës është arsyetuar se e ka bërë këtë në afekt dhe është shprehur i gatshëm që të kërkojë falje për sjelljen që e ka bërë.

I pandehuri, megjithëse e ka pranuar se e ka bërë këtë veprim, nuk e ka pranuar fajësinë, për çka gjykata i ka dhënë 30 ditë afat për parashtrim të kërkesës për hedhje të aktakuzës dhe provave në Gjykatën e Apelit.