Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Prokuroria kërkon dënim për arsimtarin që hodhi në shportë simbolet kombëtare

Mësuesi në Gjykatë

Prokuroria Speciale ka kërkuar të shpallet fajtor Muhamet Hajredinaj, i akuzuar se ka hedhur simbolet kombëtare në shportë të mbeturinave në Ditën e Flamurit kombëtar, më 2024-tën. I akuzuari para trupit gjykues tha se çuditet me akuzën për të cilën e ngarkon Prokuroria

Aktgjykim dënues ka kërkuar Prokuroria Speciale kundër të pandehurit Muhamet Hajredinaj, i akuzuar për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”. 

Hajredinaj akuzohet se në cilësinë e mësimdhënësit të gjuhës angleze në shkollën fillore “Xhemajl Mustafa”, në Prishtinë, duke ditur që më 27 nëntor të 2024-tës kremtohej në shkollë Dita e flamurit kombëtar, në prani të nxënësve ka marrë flamurin kuqezi dhe plisin dhe i ka hedhur në shportën e mbeturinave. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Prokurori special, Bekim Kodraliu, në fjalën e tij përfundimtare tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se i pandehuri e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet. 

“I pandehuri gjatë procesit mësimor dhe para nxënësve të mitur  të klasës së 6-të me rastin e shënimit të festës së Ditës së flamurit kombëtar shqiptar ka përdhosur simbolet kombëtare shqiptare, duke hedhur publikisht dhe në prezencën e shumë nxënësve në shportën e mbeturinave flamurin kombëtar shqiptar dhe plisin. Ka larguar nga klasa një nxënëse 11 vjeçare, vetëm se ka qenë e veshur me këto simbole”, ka thënë Kodraliu. 

Sipas prokurorit Kodraliu, i akuzuari Hajredinaj këto veprime i ka ndërmarrë për shkak të bindjeve fetare të tij.

“Ato janë veprime që janë kryer publikisht në një institucion arsimor, përpara një grupi të nxënësve të mitur e në veçanti në një ditë të veçantë për kombin shqiptar ku është festuar festa e flamurit, me këto ka nxitur edhe urrejtje midis komuniteteve fetare dhe kombëtare në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar prokurori i rastit. 

Pretendimet e Prokurorisë i hodhi poshtë mbrojtësi i të akuzuarit Hajredinaj, avokati Muhamet Mujaj.

Ai kërkoi aktgjykim lirues për të pandehurin.

“Menjëherë kanë mbërri mediat dhe e kanë paraqit gjendjen sikur me të vërtetë ka qenë për shkak të bindjes fetare. Në kemi e dëgjuar qartë Muhametin se këtë veprim, ai e ka bërë në afekt për shkak të tensionimit të situatës dhe gjuajtës së nxënësve me flamur dhe me plis në drejtim të tij”, ka theksuar Mujaj. 

Fjalën përfundimtare të avokatit Mujaj e mbështeti i akuzuari Muhamet Hajredinaj.

Tha se çuditet me akuzën për të cilën e ngarkon Prokuroria. 

“Po çuditem pse kaq shumë shpifje ndaj meje. Sikur të tregohej ngjarja ashtu si ka ndodh, asnjë shkronjë asnjë presje, s’kisha guxu me ndryshu”, ka deklaruar i akuzuari Hajredinaj.

Pas rastit, i akuzuari Hajredinaj ishte pezulluar nga puna në shkollën "Xhemail Mustafa". Shpallja e aktgjykimit është planifikuar të bëhet të martën.