Drejtori aktual i shkollës ku punonte më herët arsimtari i anglishtes, që ia hodhi nxënëses në shportën e mbeturinave flamurin kombëtar dhe plisin, ka dëshmuar në gjykimin ndaj Muhamet Hajredinajt, i akuzuar për nxitje të përçarjes. Fatos Berisha, i cili ishte zëvendësdrejtor në atë kohë, i tha gjykatës se nxënësit u frustruan nga veprimi i arsimtarit.
Nxënësit ishin të mllefosur kur tregonin se si arsimtari i anglishtes ia hodhi shoqes së klasës së tyre flamurin kombëtar dhe plisin në mbeturina, ka thënë para Gjykatës Themelore në Prishtinë Fatos Berisha, ish-zëvendësdrejtor i shkollës “Xhemail Mustafa”.
Berisha, i cili aktualisht është ushtrues detyre i drejtorit, tha se nxënësit tek shprehën shqetësimet e tyre lidhur me veprimet e arsimtarit Muhamet Hajredinaj, të akuzuar për nxitje të përçarjes, flisnin përnjëherësh.
“Ishin të frustruar që e ka hedhur kapelën dhe flisnin dy-tre përnjëherësh. Njëri prej tyre tha (arsimtari që v.j.) drejtori është qen dhe po iu indoktrinon. Prej kësaj jam kursyer dhe ndoshta është fjalë e fëmijëve nuk e kam marrë 100 për qind të vërtetë dhe për atë arsye nuk e kam dhënë në deklarim, sot po e cek për herë të parë”, ka thënë dëshmitari, Fatos Berisha.
Dëshmitari Berisha tregoi se kishte shkuar për të biseduar me arsimtarin pasi e kuptoi nga prindi i nxënëses se e largoi nga klasa.
Berisha tha se fillimisht kur e pyeti pse e përjashtoi nxënësen nga klasa, i akuzuari nuk i tregonte gojarisht, por vetëm me gisht.
Më pas ai tha se Hajredinaj personalisht, në prezencë të nxënësve të tjerë, ia konfirmoi arsyen e largimit të njërës nxënëse nga klasa.
“Kur e pyeta për plis apo për shqiponjë apo për të dyjat, mu përgjigj se për të dyjat…”, ka thënë Berisha.
Dëshmitari tha se ankesat prej prindërve me gojë dhe me shkrim ndaj Hajredinajt kanë qenë se ai u është drejtuar me ligjërata me përmbajtje fetare duke dalë nga planprogrami.
Mbrojtja e Hajredinajt e pyeti dëshmitarin se a ka qenë i ftuar i akuzuari për kremtimin e 28 Nëntorit në shkollë, ai tha se kanë qenë të ftuar të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit dhe se i akuzuari nuk mori pjesë në organizimin e kësaj feste në shkollë.
Ish-arsimtari i anglishtes që, sipas dëshmitarit, kishte dosje për shkelje disiplinore në shkollë, theksoi se i akuzuari e ka nxjerrë nga klasa vetëm një nxënëse dhe jo të tjerët, ndonëse edhe të tjerët bartnin simbole kombëtare.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri duke e ditur që më 27 nëntor 2024 kremtohej në shkollë Dita e flamurit kombëtar, për shkak të bindjeve të tij fetare, të cilat i ka shprehur edhe më parë në prani të nxënësve, ka marrë flamurin kuqezi dhe plisin dhe, me gjithë kundërshtimet e nxënësve, i ka hedhur në shportën e mbeturinave.
Me këto veprime, sipas aktakuzës, Hajredinaj ka nxitur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve kombëtare, etnike dhe fetare.