Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Arrestohet i dyshuari i tretë për krime lufte në Zubin Potok, në Kalludër vazhdojnë gërmimet

Arrestim

Bashkë me gërmimet në fshatin Kalludër, ku dyshohet për varr masiv me mbetje mortore të civilëve shqiptarë, po vazhdojnë edhe arrestimet e personave të dyshuar për këtë. Të shtunën mbrëma është arrestuar edhe një i dyshuar serb për krime lufte në Zubin Potok

Është arrestuar edhe i dyshuari i tretë për krime lufte në Zubin-Potok, ku tash e pesë ditë në fshatin e kësaj komune - Kalludër, ekipet e forenzikës janë duke kryer gërmime në kërkim të një varri masiv, pas gjetjes së mbetjeve njerëzore që dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998–1999.

Përmes një komunikate të përbashkët, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se është arrestuar i dyshuari me inicialet J.R.

"I dyshuari dyshohet se ka kryer veprën penale 'Krime lufte kundër popullsisë civile'. Arrestimi i të dyshuarit është rezultat i një pune intensive hetimore, të zhvilluar nga hetuesit policorë dhe Prokuroria Speciale, në kuadër të përkushtimit të vazhdueshëm institucional për hetimin dhe zbardhjen e krimeve të luftës", u tha nga Prokuroria Speciale. 

Autoritetet kanë njoftuar se hetimet për këtë rast janë duke vazhduar, e mediat serbe se bëhet fjalë për një person të nacionalitetit serb.

Në fillim të javës u arrestuan edhe dy persona të tjerë, gjithashtu nën dyshimin për krime lufte, të cilët tashmë ndodhen në paraburgim.

Edhe Arrestohet edhe një person për krime lufte në Zubin-Potok Arbëri Arrestohet edhe një person për krime lufte në Zubin-Potok

Një ditë pas arrestimit të tyre nisën gërmimet në fshatin Kalludër të Zubin-Potokut, ku dyshohet se ndodhen mbetjet mortore të 23 civilëve shqiptarë nga Mitrovica, të njohur si “grupi i intelektualëve”. Ata ishin rrëmbyer më 19 prill 1999. Tash e 27 vjet fati i tyre nuk është zbardhur plotësisht.

Një ditë më parë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë vizitës në këtë lokacion tha se gërmimet mund të zgjasin me muaj, për shkak të shpërndarjes së mbetjeve mortore dhe terrenit të vështirë.

Kurti u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian të ushtrojnë presion ndaj Serbisë për deklasifikimin e dokumentacionit që lidhet me krimet e luftës të kryera në Kosovë.

E të mërkurën, autoritetet e vendit publikuan për herë të parë listën preliminare të viktimave të luftës. Në të, 1 mijë e 577 persona janë evidentuar si të zhdukur me dhunë gjatë luftës.

Lista Serbe ka reaguar, duke thënë se vetëm gjatë të dielës janë arrestuar disa persona dhe janë bastisur disa shtëpi.

Edhe Arrestohet një i dyshuar për krime lufte në Zubin-Potok Kronikë Arrestohet një i dyshuar për krime lufte në Zubin-Potok

“Kjo sjellje përbën një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe mbjell më tej frikë dhe pasiguri tek popullata serbe. Është absolutisht e papranueshme të terrorizohet një komunë e tërë nën pretekstin e një hetimi për krime të dyshuara lufte. Jo të gjithë ata që ishin në moshë madhore në vitin 1999 mund të shpallen kriminelë të mundshëm lufte”, thuhet në reagim. 

“Kossev” ka raportuar me burime edhe për arrestime tjera. Ka shkruar se një serb është arrestuar në Jarinjë e një tjetër në Zubin-Potok.