Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Arrestohet edhe një person për krime lufte në Zubin-Potok

VARRI - MASIV - Zubin - Potok

Foto: Associated Press

Prokuroria Speciale e Kosovës në një komunikatë të përbashkët me Policinë e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar edhe një person në Komunën e Zubin-Potokut për rastin “Krime të luftës”.

Ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

“Lidhur me rastin ‘krime të luftës’ në komunën e Zubin-Potokut, Policia e Kosovës - Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka arrestuar edhe një person të dyshuar me inicialet J.R. I dyshuari dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’”, thuhet në njoftim.

E Lista Serbe ka reaguar duke thënë se vetëm gjatë të dielës janë arrestuar disa persona dhe janë bastisur disa shtëpi. 

“Kjo sjellje përbën një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe mbjell më tej frikë dhe pasiguri tek popullata serbe. Është absolutisht e papranueshme të terrorizohet një komunë e tërë nën pretekstin e një hetimi për krime të dyshuara lufte. Jo të gjithë ata që ishin në moshë madhore në vitin 1999 mund të shpallen kriminelë të mundshëm lufte”, thuhet në reagim. 

E “Kossev” ka raportuar me burime edhe për arrestime tjera. Ka shkruar se një serb është arrestuar në Jarinjë e një tjetër në Zubin-Potok. 
 

Edhe Arrestohet i dyshuari i tretë për krime lufte në Zubin Potok, në Kalludër vazhdojnë gërmimet LAJMET E MBRËMJES Arrestohet i dyshuari i tretë për krime lufte në Zubin Potok, në Kalludër vazhdojnë gërmimet

Tutje bëhet e ditur se arrestimi i të dyshuarit është si rezultat i punës intensive hetimore të zhvilluar nga Prokuroria Speciale.

Në fshatin Kalludër e Vogël në Zubin-Potok po bëhen gërmime pasi dyshohet se në atë zonë janë trupat e 23 personave, të njohur si “grupi i intelektualëve” nga rajoni i Mitrovicës. Ata ishin rrëmbyer më 19 prill 1999. Tash e 27 vjet fati i tyre nuk është zbardhur plotësisht.

Një ditë më parë, pasi vizitoi këtë zonë, kryeministri në detyrë Albin Kurti, paralajmëroi se gërmimet mund të zgjasin me muaj, për shkak të terrenit të vështirë dhe shpërndarjes së mundshme të eshtrave.