Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nëntë të arrestuar në Zubin-Potok për krime lufte, operacioni lidhet me “Grupin e Intelektualëve”

arrest

Policia ka arrestuar nëntë persona të dyshuar për krime lufte në komunën e Zubin-Potokut. 

Sipas njoftimit, arrestimet janë kryer në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në kuadër të operacionit të koduar si “Dosja 23”.

Bëhet e ditur se operacioni policor ndërlidhet me rastin e njohur si “Grupi i intelektualëve”.

“Në kuadër të veprimeve hetimore lidhur me rastin e krimeve të luftës, Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, mbështetur edhe nga njësitet tjera të specializuara policore, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, sot në orët e hershme të mëngjesit në komunën e Zubin Potokut ka zhvilluar operacionin e koduar si ‘Dosja 23’.  Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar nëntë persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’”, thuhet në njoftim.

Mbetjet mortore të 23 personave të cilat dyshohet se i përkasin "Grupit të Intelektualëve" janë gjetur në gërmimet në Kalludër dhe Jabukë të cilat nisën më 27 korrik dhe përfunduan më 21 gusht.

“Grupi i Intelektualëve të Mitrovicës”, që përbëhej prej 23 personash, ishte zhdukur që nga prilli i vitit 1999, ndërsa në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profesionistë të tjerë.

Ndalohen për 48 orë nëntë të dyshuarit për krime lufte, sekuestrohen libreza ushtarake, armë e para

1 muaj më parë / 27 sht 2026 14:39
videooo

Policia e Kosovës në një komunikatë të përbashkët me Prokurorinë Speciale, ka njoftuar se nëntë të arrestuarit nën dyshimin për krime lufte në Komunën e Zubin-Potokut, janë ndaluar për 48 orë,

Në njoftim po ashtu bëhet e ditur se pas kontrollit në disa lokacione në komunën e Zubin-Potokut, janë gjetur e sekuestruar; telefona mobilë, libreza ushtarake, armë, para të gatshme e prova të tjera.

“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, mbështetur edhe nga njësitë e tjera të Policisë së Kosovës, kanë zhvilluar urdhër kontrollin në disa lokacione në komunën e Zubin Potokut. Gjatë realizimit të bastisjes, janë sekuestruar këto prova materiale si në vijim: nëntë (9) telefona mobilë; dy (2) libreza ushtarake; një (1) armë e gjatë dhe një (1) pushkë gjuetie; fishekë të kalibrit 7.65 mm dhe fishekë të pushkës së gjuetisë; katër (4) predha; para të gatshme në shumën rreth 23,000 (njëzet e tre mijë) euro; para të gatshme në shumën rreth 60,000 (gjashtëdhjetë mijë) dinarësh serbë; si dhe prova dhe materiale të tjera relevante që ndërlidhen me rastin”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Në mëngjesin e së dielës, Policia e Kosovës njoftoi se janë arrestuar nëntë persona të dyshuar për krime lufte në Komunën e Zubin-Potokut, në kuadër të operacionit të koduar si “Dosja 23”.

Gjithashtu u bë e ditur se operacioni policor ndërlidhet me rastin e njohur si “Grupi i intelektualëve”.

Mbetjet mortore të 23 personave të cilat dyshohet se i përkasin "Grupit të Intelektualëve" janë gjetur në gërmimet në Kalludër dhe Jabukë të cilat nisën më 27 korrik dhe përfunduan më 21 gusht.

Për rastin ka reaguar ish-kryeministri i Serbisë dhe kryetari i Partisë Përparimtare Serbe, Millosh Vuçeviq, i cili ka thënë se arrestimet janë kryer në mënyrë të padrejtë.