Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Identifikohen tri viktima nga varrezat në Zubin-Potok, i përkasin “Grupit të Intelektualëve”

Kalluder

Është konfirmuar identiteti i tri viktimave eshtrat e të cilëve u gjetën në varrezat masive në Zubin-Potok muajt e fundit. Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka pranuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur tri raportet e para të ADN-së, nga mostrat e mbetjeve mortore të zhvarrosura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë.

Tre viktimat janë konfirmuar të jenë personat e grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”. 

“Në më pak se dy muaj nga konfirmimi i varrit të parë masiv, analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, duke vërtetuar lidhjen me personat e grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka shtuar se menjëherë janë njoftuar familjes e tri viktimave të identifikuara. 

“Në ditët dhe javët në vijim, presim të pranojmë edhe raportet e tjera për mostrat e dërguara për identifikim përmes analizës së ADN-së, me shpresën që edhe familjet e tjera të marrin përgjigjet që presin prej 27 vitesh. Asnjë përgjigje nuk mund ta shuajë dhimbjen e humbjes, por njohja e së vërtetës i jep fund ankthit të pritjes për të mësuar fatin e më të dashurve”, ka shkruar tutje.

Gjatë vizitës në lokacionin ku po gërmohej Kurti pati thënë se ndërkombëtarët duhet të shtojnë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar më 2 maj 2023 në Bruksel, veçanërisht për hapjen e menjëhershme të arkivave, përfshirë arkivin e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, e cila ka kryer masakra në Kosovë, posaçërisht në Drenicë, dhe dokumentacionin e së cilës Serbia ka klasifikuar në vitin 2014 për një periudhë prej tridhjetë vjetësh.

Kurti ka thënë se gjatë vizitës që aktualisht po e zhvillon në SHBA dhe në takimet në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, do të kërkojë të zbardhet fati i personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës. 

Edhe Detaje nga gërmimet në Zubin-Potok: Pritet të nisë identifikimi përmes analizave të ADN-së Arbëri Detaje nga gërmimet në Zubin-Potok: Pritet të nisë identifikimi përmes analizave të ADN-së

“Pjesë e pandashme e kësaj agjende do të jetë kërkesa që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar të shtojnë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e zotimeve të marra, hapjen e arkivave dhe ofrimin e informacionit që mundëson zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë”, ka deklaruar Kurti.

Më 27 korrik ishte konfirmuar gjetja e varrit masiv në Kalludër.