Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në Zubin-Potok gjenden mbetje kockore të së paku 23 individëve

mbetje mortore - varreze masive - zubin potok .jpg

Deri në fund të këtij muaji pritet të përfundojnë gërmimet në Kalludër të Vogël të Zubin-Potokut, ka njoftuar kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Agron Limani. Ai ka thënë se ekipet në terren janë në fazën përfundimtare të gërmimeve. E Prokuroria Speciale ka njoftuar se deri tash në këto lokacione janë gjetur mbetjet kockore që dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve

Të së paku 23 individëve janë mbetje kockore që autoritetet i kanë gjetur deri tash gjatë gërmimeve të bëra prej katër javësh në tri lokacione në veriun e banuar kryesisht me serbë, që dyshohet të jenë varreza masive, me viktima të luftës së fundit në Kosovë.

Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore, kanë njoftuar të mërkurën se, në kuadër të veprimeve të gërmimit dhe ekshumimit në rastin në Zubin-Potok, në lokacionet e dyshuara, është konfirmuar nga mjekoligjorët edhe gjetja e radhës.

“Gjatë këtyre veprimeve, bazuar në vlerësimin preliminar, ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë identifikuar mbetje kockore, të cilat dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve”, thuhet në njoftim. “Identifikimi i plotë do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjekoligjore dhe procedurave përkatëse”.

Pas një muaji gërmimesh në Kalludër të Vogël të Zubin-Potokut, ekipet në terren janë afër përfundimit të punimeve në këtë lokacion.

Gërmimet kanë përfunduar në dy nga tri pikat e identifikuara në një lokacion të fshatit Kalludër të Vogël si dhe në Jabukë.

Edhe Identifikohen tri viktima nga varrezat në Zubin-Potok, i përkasin “Grupit të Intelektualëve” Arbëri Identifikohen tri viktima nga varrezat në Zubin-Potok, i përkasin “Grupit të Intelektualëve”

Agron Limani, kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, i ka thënë KOHËS se në pikën e tretë, lokacion tjetër i fshatit Kalludër, puna pritet të përfundojë deri në fund të gushtit. 

“Jemi në fazën e fundit të gërmimeve në pikën e tretë, në lokacionin e tretë, për faktin se në lokacionin e parë dhe të dytë janë përmbyllur punimet. Tash ka mbetur vetëm edhe lokacioni i tretë. Shpresojmë që deri ka fundi i javës së ardhshme edhe ky lokacion të përfundojë me punë dhe të gjitha ato mbetje mortore të transportohen në hapësirat e mjekësisë ligjore”, ka thënë Limani.

Ndryshe nga Limani, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pati thënë se gërmimet mund të zgjasin me muaj, për shkak të shpërndarjes së tyre dhe terrenit të vështirë.

Limani ka thënë se deri tani asnjë mostër nuk është dërguar në Hagë për analiza të ADN-së, pasi pritet të përfundojnë të gjitha gërmimet. Ai ka theksuar se ku ndodhen aktualisht pjesët kockore të gjetura.

“Opinioni është i njoftuar që janë tri vend-varreza masive. Ne i kemi identifikuar si lokacioni i parë, i dytë dhe i tretë. Nga lokacioni i parë dhe i dytë komplet mbetjet mortore janë bartur tek Instituti i Mjekësisë Ligjore ndërsa tani është duke u punuar në lokacionin e tretë. Derisa të përfundojnë gërmimet dhe derisa të barten komplet mbetjet mortore edhe nga pika e tretë, ato do të dërgohen në hapësirat apo objektin e Instituti të Mjekësisë ligjore”.

Edhe Detaje nga gërmimet në Zubin-Potok: Pritet të nisë identifikimi përmes analizave të ADN-së Arbëri Detaje nga gërmimet në Zubin-Potok: Pritet të nisë identifikimi përmes analizave të ADN-së

Më 28 korrik nisën gërmimet pas dyshimeve për një varrezë me mbetje mortore që autoritetet kanë thënë se besohet se u përkasin 23 civilëve shqiptarë, të njohur si “grupi i intelektualëve” nga Skenderaj e Mitrovica. Në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profile të tjera. Ata ishin rrëmbyer nga forcat serbe më 19 prill 1999 dhe prej 27 vjetësh fati i tyre nuk është zbardhur.

Gërmimet në tri lokacionet në komunën e Zubin-Potokut, përkatësisht në Kalludër dhe Jabukë, nisën menjëherë pasi Policia e Kosovës i ka arrestuar dy persona, me inicialet M. J. dhe M. B. nën dyshimin për krime lufte, duke vrarë 23 civilë shqiptarë. Më pas është arrestuar edhe një tjetër serb, me dyshime të njëjta.

Të mërkurën, Prokuroria Speciale dhe Policia kanë bërë të ditur se përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe në koordinim me institucionet e tjera kompetente, do të vazhdojnë veprimet hetimore dhe procedurale që lidhen me këtë rast.

“Aktualisht, lidhur me këtë rast janë duke u hetuar tre persona J. R., M. J. dhe M. B. nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’, të cilët ndodhen në masën e paraburgimit”, thuhet në njoftim.

Në të theksohet se Prokuroria, Policia dhe IML-ja shprehin përkushtimin e tyre për një proces profesional, të paanshëm dhe të dokumentuar, me respekt të plotë për dinjitetin e viktimave dhe familjeve të personave të zhdukur, dhe se çdo zhvillim i ri do të mund të bëhet publik në përputhje me kërkesat ligjore dhe interesin e hetimit.

Edhe Mbetjet mortore të gjetura në Zubin-Potok dërgohen për ADN në Hagë Arbëri Mbetjet mortore të gjetura në Zubin-Potok dërgohen për ADN në Hagë

Pas nisjes së gërmimeve, autoritetet e Kosovës i kanë shtuar thirrjet që Serbia t’i hapë arkivat e veta shtetërore dhe ushtarake lidhur me luftën e viteve 1998-1999.

Kosova kërkon në veçanti hapjen e arkivit të Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, i cili më 2014 u shpall sekret për një periudhë 30-vjeçare, me vendim të Ministrisë së Brendshme serbe.
Autoritetet e Kosovës publikuan për herë të parë muajin e shkuar listën preliminare të viktimave të luftës. Në të, 1 mijë e 579 persona janë evidentuar si të zhdukur me dhunë. Lista dokumenton edhe 11,404 të vrarë e 242 të vdekur si pasojë e luftës.