Kulturë

“Vera andrron detin” garon në Holandë, ftesat për festivale nuk ndalen

Qysh kur u dha premierë botërore në Festivalin e Filmit në Venecie, në shtatorin e vjetëm, qe një lloj paralajmërimi se rrugëtimi i tij do të jetë i gjatë. Shpejt, ekipi do të njoftonte se ftesat vinin njëra pas tjetrës. Tash “Vera andrron detin” përditë e konfirmon këtë. Stacioni i radhës – Holanda, ku jepet premierë në këtë vend. Filmi nën regji të Kaltrina Krasniqit është pjesë e garës kryesore të festivalit ndërkombëtar të filmit “013 Cinecitta”, në Tilburg. Edicioni i katërt i tij hapet të mërkurën. Premierën holandeze, “Vera...” do ta ketë në ditën e dytë të festivalit dhe është në garë për çmimin kryesor. Në këtë kategori gjenden edhe 14 filma të tjerë nga vende të ndryshme të botës.

Regjisorja Kaltrina Krasniqi ka thënë se në radhë të parë është e gëzuar që filmi do të shfaqet para një publiku ku është shfaqur më herët.

“Filmi do t’i ketë tri shfaqje dhe do të jetë pjesë e garës kryesore, dhe natyrisht njëra ndër gjërat më të rëndësishme është që është premierë holandeze, sepse filmi nuk është shfaqur asnjëherë atje dhe kështu që është një lajm shumë i mirë që edhe qytetarët e atjeshëm do të kenë mundësi ta shohin filmin”, ka thënë Krasniqi për KOHËN.

Pos që është pjesë e garës, regjisorja e cila me “Vera andrron detin” debuton në metrazh të gjatë, peshën e kësaj pjesëmarrjeje ia rrit natyra e festivalit.

“Është gëzim i madh me qenë pjesë e Festivalit dhe normalisht me qenë e përzgjedhur për garën kryesore. Për neve është shumë e rëndësishme që filmi të marrë pjesë në cilindo territor që nuk ka qenë më herët, por natyrisht është e rëndësishme edhe natyra e festivalit. Ky festival kultivon një lloj kulture të ‘Art house cinema’, kështu që për neve është shumë e rëndësishme të reprezantohemi në kuadër të këtyre festivaleve”, ka thënë ajo.

Por kur ka marrë lajmin për premierën holandeze, janë jo pak festivale që filmit i janë konfirmuar deri në mars, përderisa ekipi pret edhe të tjera lajme.

“Filmi ka data të paracaktume që të shfaqen nëpër festivale të ndryshme deri në mars. Tash për tash po pritet të marrim edhe data të tjera. Janë diku edhe 7-8 festivale ku do të marrë pjesë deri në fund të vitit”, ka bërë të ditur Krasniqi.

Pas premierës botërore në edicionin e 78-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecie, më shumë se para një viti, të menjëhershme qenë ftesat për të tjera festivale. Udhëtoi në Kajro e në Tokio, ku triumfoi. U vlerësua vizioni, dhe regjisorja Krasniqi u bë regjisorja e parë që mori çmimin kryesor të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tokio dhe bëri që për herë të parë vendi të ishte në garën zyrtare të këtij festivali prestigjioz.

Me skenar të Doruntina Bashës, filmi është një dramë gjysmëbiografike e regjisores. I ndërtuar rreth eksperiencës së vërtetë të nënës së Krasniqit, filmi ka në fokus një interpretuese të gjuhës së shenjave, Verën (Teuta Ajdini-Jegeni), e cila detyrohet të luftojë kundër patriarkatit për të fituar trashëgiminë e burrit të saj, Fatmirit (Xhevat Qorraj). Pasi që Fatmiri vret veten, ajo mund të humbë shtëpinë të cilën dëshiron t’ia lërë vajzës së saj.

Filmi vazhdimisht ka marrë kritika pozitive. Nga “Variety” është cilësuar si rrëfim magjepsës plot emocione për çlirim në shoqërinë shtypëse.

“Të ëndërrosh për detin, merr një rëndësi më të madhe kur ëndërrimtari jeton në një vend pa dalje në det. Nuk është thjesht një fantazi e përtacëve për pushime në plazh dhe kokteje në gotat e dekoruara me kripë në krye – edhe pse Vera (Teuta Ajdini-Jegeni) do ta donte këtë gjithashtu – por siç e dëshmon debutimi i tendosur dhe i trishtë i Kaltrina Krasniqit, ‘Vera andrron detin’, vizioni i një hapësire të gjerë të kaltër që shtrihet deri në një horizont të largët, mund të kthehet në heshtje e në diçka politike për një të vejë, e cila befas ndien peshën e patriarkatit kosovar mbi supet e saj tashmë të rënduara”, kishte shkruar Jessica Kiang.

Deri tani filmi ka rrëmbyer një sërë çmimesh përfshirë: për filmin debutues ndërkombëtar në kategorinë garuese të “Ingmar Bergman” në Festivalin e Filmit në Göteborg; çmimin special të jurisë, “Aleksandri i argjendtë” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Selanik; çmimin “Golden Sun” në festivalin evropian të filmit “CineDays”, në Shkup; fitues i trefishtë - Çmimin për filmin më të mirë në kategorinë kryesore “Cine Ballkan Panorama”, si dhe ato për aktoren më të mirë (Teuta Ajdini-Jegeni) dhe aktorin më të mirë (Refet Abazi) në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tetovë; Regjisorja më e mirë në “PriFilmFest” e disa çmime të tjera. Pikërisht në “PriFest” u dha premiera kombëtare kur e hapi edicionin e 14-të i këtij festivali më 20 shtator e një javë më pas do të ndizte edhe projektorët e kinemave në Kosovë, por edhe më gjerë.