Kulturë

“Vera...” me dy çmime në Gjenevë si film që shpërfaq dramën e grave

Festivali që sivjet ka pasur edicionin e 20-të është një prej ngjarjeve kryesore të filmit në Zvicër dhe mbahet paralelisht me sesionin e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara. Filmi kosovar në këtë festival ka marrë vëmendje të veçantë gjatë ndarjes së çmimeve në fundjavë. Është shpërblyer dy herë si projekt që shpërfaq sfidën e grave në shoqëri patriarkale

“Vera andrron detin” është bërë film i patejkalueshëm për juritë e festivaleve ndërkombëtare. Historia e një gruaje nga Kosova e cila përballet me realitetin shoqëror, është vlerësuar në vende të ndryshme të botës. Por rrëfimi për Verën që është në të gjashtëdhjetat e saj është duke prekur edhe audiencat që janë të reja në moshë.

Pikërisht juria e të rinjve ia ka dhënë çmimin në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit dhe në Forumin e të Drejtave të Njeriut në Gjenevë të Zvicrës. Por pos këtij çmimi, filmi me regji të Klatrina Krasniqit e ka lënë Festivalin edhe me një tjetër trofe. Në kategorinë e filmave fiksioni “Vera andrron detin” ka marrë “Grand Prix” së bashku me filmin “Freda”, nën regji të Gessica Geneus.

Festivali, që sivjet ka pasur edicionin e 20-të, është një prej ngjarjeve kryesore të filmit në Zvicër dhe mbahet paralelisht me sesionin e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara.

Filmi kosovar në këtë festival ka marrë vëmendje të veçantë gjatë ndarjes së çmimeve në fundjavë.

Juria e të rinjve e ka vlerësuar lart atë duke e arsyetuar vendimin e tyre. E kanë përshkruar si një rrëfim që shpërfaq peizazhin ballkanik sa u përket shoqërive patriarkale. Sipas jurisë, filmi tregon realitetin që e jeton një grua në një vend ku korrupsioni është i pranishëm në nivel jo të ulët.

E regjisorja Kaltrina Krasniqi për këtë çmim ka thënë se është befasuar e njëkohësisht është e lumtur të vlerësohet nga juria e re, sepse kur realizon një film për gjeneratën e Verës (Teuta Ajdini-Jegeni) mendon se historia e saj rezonon te një grup i caktuar. “Por fakti që historia e saj prek edhe gjeneratat më të reja më jep shumë shpresë. Faleminderit shumë për këtë!”, ka thënë ajo.

E sa i përket “Grand Prix” në kategorinë e filmave fiksion, juria ka vlerësuar filmat që tregojnë dramat familjare. Sipas jurisë, filmat e përzgjedhur për çmim synojnë një botë më të mirë.

E derisa ka folur për këtë çmim, regjisorja ka treguar se realizimi i filmit u ka marrë shumë kohë.

“Tani kur filmi po shkon gjithandej botës jam e lumtur çdo ditë që bashkë me ekipin ia kemi dalë. Jemi shumë të nderuar që e keni parë dhe vlerësuar filmin tonë”, ka thënë ajo në Festivalin që është mbajtur prej 4 deri më 13 mars. Ky çmim ka peshë financiare prej 10 mijë eurosh.

Në shkurt të këtij viti çmimi për filmin debutues ndërkombëtar në kategorinë garuese “Ingmar Bergman” në Festivalin i Filmit në Göteborg i ka takuar filmit “Vera andrron detin”.

Debutimi i Krasniqit në metrazh të gjatë u dha premierë botërore në shtatorin e vjetëm në edicionin e 78-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecie. U largua pa trofe nga Venecia për në Egjipt e Japoni. Ishte në konkurrencë zyrtare në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kajro dhe atë të Tokios, ku triumfoi. U vlerësua vizioni, dhe regjisorja Krasniqi u bë regjisorja e parë që mori çmimin kryesor të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tokio dhe bëri që për herë të parë vendi të ishte në garën zyrtare të këtij festivali prestigjioz.

Me skenar të Doruntina Bashës, filmi është një dramë gjysmëbiografike e regjisores.

I ndërtuar rreth eksperiencës së vërtetë të nënës së Krasniqit, filmi ka në fokus një interpretuese të gjuhës së shenjave, Verën (Teuta Ajdini-Jegeni), e cila detyrohet të luftojë kundër patriarkatit për të fituar trashëgiminë e burrit të saj, Fatmirit (Xhevat Qorraj). Pasi që Fatmiri vret veten, ajo mund të humbë shtëpinë të cilën dëshiron t’ia lërë vajzës së saj.

Filmi vazhdimisht ka marrë kritika pozitive. Nga “Variety” është cilësuar si rrëfim magjepsës plot emocione, për çlirimin në shoqërinë shtypëse.

“Të ëndërrosh për detin, merr një rëndësi më të madhe kur ëndërrimtari jeton në një vend pa dalje në det. Nuk është thjesht një fantazi e përtacëve për pushime në plazh dhe kokteje në gotat e dekoruara me kripë në krye – edhe pse Vera (Teuta Ajdini-Jegeni) do ta donte këtë gjithashtu – por siç e dëshmon debutimi i tendosur dhe i trishtë i Kaltrina Krasniqit, ‘Vera andrron detin’, vizioni i një hapësire të gjerë të kaltër që shtrihet deri në një horizont të largët, mund të kthehet në heshtje e në diçka politike për një të vejë, e cila befas e ndien peshën e patriarkatit kosovar mbi supet e saj tashmë të rënduara”, kishte shkruar Jessica Kiang.

Para Gjenevës, Festivali i Filmit në Göteborg ka filluar në vitin 1979 dhe ka tërhequr vëmendjen e më shumë se 160 mijë vizitorëve çdo vit. Në vitin 2021 mirëpriti 425 mijë vizitorë online. Këtë edicion do të ketë më shumë se 500 shfaqje në kinema me 40 seminare, pastaj koncerte, punëtori dhe shfaqje arti, si dhe shumë aktivitete të tjera.

Festivali bashkë me “Nordic Film Market” janë një nga vendet më të rëndësishme për industrinë e filmit dhe të televizionit në vendet nordike, duke shërbyer si një vendtakim për vizitorë të ndryshëm nga e gjithë bota. Çdo vit me dhjetëra kineastë shkojnë në Festivalin e Filmit në Göteborg me disa të ftuar si mysafirë specialë.