Murat Yakin shpjegoi në emisionin sportiv “Heimspiel” pse koha e Xherdan Shaqirit në përfaqësuese ka mbaruar, pavarësisht gjitha të arriturave dhe formës së kapitenit të Baselit
(Bluewin) - Xherdan Shaqiri e mbylli karrierën në përfaqësuesen e Zvicrës në mesin e korrikut të vitit 2024, pas 14 vjetësh e 125 paraqitjeve. Ai njoftoi në rrjetet sociale se ishte koha për t’i thënë lamtumirë ekipit përfaqësues.
Çuditërisht, vendimi i tij erdhi vetëm pak minuta pasi Federata e Futbollit e Zvicrës njoftoi për vazhdimin e kontratës së selektorit Murat Yakin dhe ndihmësit Giorgio Contini, në konferencë për shtyp.
Në maj të vitit 2025, Yakini tha se dera për Shaqirin është e hapur. Në fakt, në atë kohë krize, ku u përfshi edhe rënia nga Liga A e Ligës së Kombeve, Zvicra nuk e kishte kreativitetin e Shaqirit në fushë.
Shaqiri, i cili e udhëhoqi Baselin drejt titullit dhe Kupës së Zvicrës me paraqitje mbresëlënëse, edhe një herë tjetër dha shpresa për kthim. Ai e mohoi kthimin në përfaqësuese “për momentin”, duke shtuar se në futboll nuk i dihet asnjëherë.
Në emisionin sportiv “Heimspiel”, selektori i përfaqësueses helvetike, Yakin, komentoi për rastin e Shaqirit.
“Shaqiri ka bërë jashtëzakonisht shumë për futbollin në Zvicër: Ai është artist, gjeni, 10-shi i ekipit, lojtar me të majtën. Si Shaqiri ka pak në Zvicër”, ka thënë Yakin.
“Por kohët po ndryshojnë”, ka shtuar 51-vjeçari. Yakini shpjegon se Shaqiri dhe ekipi i tij kanë menduar me kujdes për situatën që është krijuar rreth tërheqjes së tij nga përfaqësuesja.
Ndoshta Shaqiri e ka menduar idenë e kthimit në përfaqësuese për përvojën që ka, thotë Yakini.
“Ai duhet ta kuptojë rolin e tij. Në fund, ai ndoshta ka menduar, ‘nuk do të kthehem si zëvendësues’”, beson Yakini.
“Pastaj ne duhet të lëvizim para. Është bërë një vit. Dhe ka përfunduar”.
Para kampanjës kualifikuese të Kupës së Botës, Shaqiri ka thënë se Yakini dhe lojtarët e Zvicrës duhet të ketë sukses këtë vit.
“Duhet të kualifikohen. Nuk kanë shfaqur paraqitje të mira në muajt e fundit”, kishte deklaruar kapiteni i Baselit.
Deklaratat e drejtpërdrejta nga Shaqiri u kundërshtuan nga Yakini.
“Nuk e marr çdo gjë personalisht. Mund të thuash atë që mendon”.
Shaqiri u tërhoq nga përfaqësuesja me vendim të tij.
“Ne nuk e kemi shtyrë atë të pensionohet”.
Në qershor, ai mendojë sërish për të dhe e kanë konsideruar së bashku rikthimin, shpjegon Yakini.
“Por nëse ai vendos tani se kjo kaptinë është e mbyllur për të, atëherë le të mbetet ashtu”, ka deklaruar Yakin.