Kristjan Asllani e kaloi thuajse tërë jetën larg Shqipërisë. Por në futboll i ka qëndruar përherë besnik vendit prej nga vjen.
Asllani vazhdon të flasë me emocion e krenari për Shqipërinë. Deklaratat e fundit për prejardhjen, Asllani i dha të premten për faqen zyrtare të Torinos, klub që iu bashkua në fund të muajit gusht. Ai u huazua deri në fund të edicionit nga Interi dhe është në kërkim të minutazhës më të madhe në fushën e lojës.
Luajti me plot sukses për 81 minuta në debutim më 31 gusht në barazimin 0:0 ndaj Fiorentinas. 80 minuta të tjerë i pati ndaj Romës, në fitoren 1:0 në udhëtim.
Te Torino luan edhe Ardian Ismajli, qendërmbrojtësi i “kuqezinjve”.
“U linda në Shqipëri, ndërsa në Itali kam ardhur në moshën dyvjeçare. Babai erdhi i pari me gomone e më pas unë dhe nëna ime. Shqipëria është shumë e rëndësishme për mua dhe jam krenar. Kur luaj për Shqipërinë të gjithë familjarët vijnë në stadium”, ka deklaruar Asllani në intervistën e gjatë dhënë për faqen e klubit.
Mesfushori ka kaluar nëpër të gjitha grupmoshat e Shqipërisë, por si futbollist është zhvilluar në Itali. Në vitin 2018 ishte pjesë e të rinjve të Empolit, skuadër ku i kaloi 13 vjet, ndërsa në vitin 2022 iu bashkua Interit.
Me Shqipërinë, Asllani e pati fatin të luante ndaj Italisë. Dy herë madje. Një herë në miqësoren e vitit 2022 të humbur 3:1. Por ndeshja e dytë ishte e veçantë për të. Ishte dueli i parë i Grupit B të Evropianit 2024.
Futbollisti nga Elbasani, që vlerësohet prej kryesorëve në ekipin e drejtuar nga Sylvinho, debutoi nën drejtimin e Edoardo Rejas në vitin 2022. Prej atëherë ka zhvilluar 34 ndeshje, ndërsa ka dhënë kontribut me katër gola e dy asistime.
Ndaj Italisë në Evropian e kompletoi ndeshjen.
“Ndeshja ndaj Italisë ishte e shkëlqyer. E kam pritur një duel të tillë për kohë të gjatë dhe mezi prisja të dilja në fushë, sepse kam luajtur ndaj shumë bashkëlojtarëve që kisha tek Interi dhe ndaj shumë lojtarëve të tjerë që i kam njohur. Ka qenë ndjenjë e shkëlqyer, sepse edhe shumë shokë që kanë jetuar në qytetin tim, në provincën e Pisas, ishin të pranishëm në tribuna. Ka qenë ndjenjë e jashtëzakonshme”.
Asllani luan si mesfushor defansiv, por tek Interi, edhe për shkak të konkurrencës, nuk pati minutat që kërkonte. Dhe për këtë vendosi të transferohej në Torino, ku thotë se ka gjetur ambientin e përkryer.
“Jam 23-vjeçar dhe është koha për të marrë më shumë përgjegjësi. Grupi është i mirë e me lojtarë të fortë si Ilkhan, por unë duhet të jem shembull për të. Duhet të shënoj më shumë gola”, ka thënë Asllani, i cili ka mbetur i mahnitur edhe me atmosferën në dhomat e zhveshjes.
“E doja Torinon dhe ishte zgjedhje e lehtë, pasi edhe këtu në klub më kanë dashur. Kisha shumë oferta, por e doja një projekt që do të më ndihmonte. Për mua gjithçka është e përkryer. Kam mbërritur së fundmi dhe atmosfera është e mirë. Djemtë janë shumë të mirë dhe më kanë pritur në mënyrën më të mirë. E kam njohur më parë Ismajlin. Ishim bashkëlojtar tek Empoli dhe tani luajmë bashkë edhe në Kombëtare. Jemi shokë të mirë brenda dhe jashtë fushës. Bashkë mund të arrijmë gjëra të mëdha”.
Asllani me Interin është fitues i kampionatit në edicionin 2023/24. E ka fituar edhe Kupën e Italisë në edicionin 2022/23. Në vitin 2023 e 2024, Asllani ishte fitues i Superkupës italiane.