Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Filmat e Kosovës “pushtojnë” festivalin “goEast” në Gjermani

Mjafton një shfletim i shpejtë i programit të edicionit të sivjetmë të 21-të të festivalit ndërkombëtar të filmit “goEast”, që mbahet prej 19 deri më 25 prill, e të shihet prania e kinematografisë nga Kosova. “Vera andrron detin” nën regji të Kaltrina Krasniqit dhe “Pa Vend” i Samir Karahodës janë në garë zyrtare, përderisa shtatë filma të regjisoreve të reja, prodhuar në “DokuLab” të “DokuFestit”, do të kenë program special

E gjatë është lista e filmave të Kosovës që do të marrin pjesë sivjet në edicionin e 21-të të festivalit gjerman të filmit “goEast” në Wiesbaden. Me filma në garë e jashtë gare dhe me një program të veçantë, në mesin e kinematografive ndërkombëtare, ajo e Kosovës rezulton të jetë goxha e pasur. Në kategori të ndryshme në garë janë “Vera andrron detin” dhe “Pa Vend”. Filmat që janë prodhim i “DokuLabit” në kuadër të programit të “DokuFest” do të kenë një program të veçantë në këtë festival.   

“Vera andrron detin” goditi qysh me premierë botërore në shtatorin e vitit të kaluar në edicionin e 78-të të Festivalit të Filmit në Venecie, kur garoi në kategorinë “Orizontti”.  Prej aty u hapi rrugë shumë sukseseve të tjera, nga të cilat së fundi edhe gara në festivalin e filmit “goEast”, që e riktheu filmin në Gjermani pas më pak se gjysmë viti nga premiera gjermane në edicionin e 70-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Mahnheim-Heidelberg.

Garuesit në “goEast” janë zyrtarizuar në ueb-faqen e këtij festivali, ku është bërë e ditur lista e filmave kosovarë që do të shfaqen në kuadër të shtatë ditëve të festivalit. 

“goEast Film Festival është një nga festivalet më relevante për kinematografinë e Evropës Qendrore dhe Lindore, andaj, gjithmonë është kënaqësi të prezantohesh në të. Filmi do të jetë në garë zyrtare dhe kjo mbi të gjitha na nderon duke pasur parasysh programin dhe konkurrencën në festival”, ka thënë për KOHËN regjisorja e “Vera andrron detin”, Kaltrina Krasniqi.

Agjenda e filmit “Vera andrron detin” po bëhet edhe më e ngjeshur, kur ndërkohë që do të marrë pjesë në një festival, ai po shfaqet në kinematë në anën tjetër të botës. 

Edhe “Vera andrron detin” më i miri në “goEast” të Gjermanisë Kulturë “Vera andrron detin” më i miri në “goEast” të Gjermanisë

“Momentalisht filmi është duke u shfaqur në Cleveland dhe Seattle në SHBA. Festivali ‘goEast’ po ashtu është festival me shumë rëndësi, sepse aty shfaqen filma të Evropës Lindore që paraqet një kinematografi autentike dhe tejet interesante”, ka thënë producenti i filmit, Shkumbin Istrefi.

“Vera...” me skenar të Doruntina Bashës dhe prodhuar nga “Punëtoria Kreative Isstra”, ka rrëmbyer shumë çmime, nga të cilat edhe atë për filmin më të mirë në nëntor të vitit të kaluar, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tokio, që është ndër festivalet më të mëdha në kontinentin e Azisë. Ndërkohë pritet që edhe gjatë gjithë këtij viti filmi të shfaqet në tërë botën. “Kompania Heretic nga Athina ka informata më të hollësishme rreth festivaleve ku filmi do të jetë pjesëmarrës, mirëpo sipas raportimeve të tyre, filmi edhe gjatë tërë vitit 2022 do të shfaqet nëpër tërë botën”, ka thënë Istrefi. 

“Vera...” paraqet portretin e një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë të pabarazive gjinore, që janë të rrënjosura thellë në shoqëri edhe në ditët e sotme. Përditshmëria e qetë e Verës çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hap rrugë për një sërë kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat. 

Filmi ka arritur të prezantojë profesionalizëm dhe kualitet të lartë, pavarësisht buxheteve me të cilat prodhohen filmat në Kosovë. 

“Sukseset e kinematografisë sonë nëpër botë janë suksese për të cilat shumë vende, jo vetëm në regjion, na e kanë zili. Filmat kosovarë kanë zgjuar interes tejet të madh sidomos në industrinë e filmit evropian”, ka thënë Istrefi, ku ndër të tjera vlerëson realizimin artistik e teknik të filmave kosovarë.

Në pjesën e dytë të festivalit do të shfaqet edhe filmi dokumentar i metrazhit të shkurtër “Pa Vend” i Samir Karahodës, i cili nëpërmjet dy personazheve kryesore, Jetonit dhe Ermeganit, fakton historinë e vërtetë të luftës për mbijetesë të një klubi të pingpongut në kohën e pasluftës. Në fakt, siç e ka përsëritur edhe producenti Eroll Bilibani, “Pa Vend” trajton tematikën e mungesës së mbështetjes institucionale për pingpongistët, për sportistët e rinj, për talentet e reja. Pos fitores, për stafin realizues të çdo filmi është me rëndësi edhe tërheqja e audiencës, e cila del të jetë si një jehonë e suksesit të tij.  

“Pasi që filmi ‘Pa Vend’ veç ka dhënë premierë gjermane në Dresden, ne presim që sa më shumë njerëz ta shohin. Nëse fitojmë mirë, nëse jo asgjë. Tash filmi është duke shkuar në shumë festivale, pritshmëritë tona janë të kemi sa më shumë audiencë dhe sa më shumë njerëz ta shohin filmin tonë”, ka thënë Bilibani për filmin, i cili ishte vlerësuar me shumë çmime, ku në “Sundance Film Festival” siguroi çmimin e parë teksa në Festivalin e Filmit në Cannes ishte përzgjedhur në mesin e 10 filmave për çmimin kryesor, “Palma e Artë”.  Triumfoi edhe në Festivalin e Filmit në Toronto, duke vulosur sukseset në tri prej top-5 festivaleve, qe i nominuar edhe për “European Film Awards” e u kualifikua edhe për “Oscar”.  

Edhe Fillet e kinematografisë së Kosovës në “goEast Film Festival” Kulturë Fillet e kinematografisë së Kosovës në “goEast Film Festival”

Por në  “goEast Film Festival”, përveç garës së dy filmave, si partner i festivalit, “DokuFesti” shpalos një program të veçantë, në të cilin do të prezantohen filmat dokumentarë të metrazhit të shkurtër të studentëve në kuadër të programit edukues “DokuLab”. 

“Programi i ‘DokuFestit’ atje është një program enkas i kuruar në bashkëpunim me festivalin ‘goEast’, nuk është në kategorinë e garës, pra nuk është pjesë e programit garues, por është si program special, ku do të prezantohen shtatë filma në dy nënprograme nga vajzat e reja regjisore, të cilat kanë qenë pjesë e trajnimeve në programet e ndryshme edukative që i kemi pasur”, ka thënë Bilibani, i cili përveç si producent i filmit “Pa Vend”, është edhe udhëheqës i “DokuLabit”.

Programi i “DokuLabit” në këtë edicion të festivalit do të hapet nga Bilibani, së bashku me regjisoret e reja Alba Demiri dhe Sonja Azizaj, ku do të prezantohen shtatë filma gjithsej. “Shtojzovalle” nga Flutura Balaj, “Pa përkufizim” nga Era Skivjani, “Laetitia”, nga Laureta Paçarizi, “I am not just a ...” i Sonja Azizajt prezantohen në nënprogramin

“The Art of Personal”, përderisa “In Rainbows” nga  Vlera Azizi, “Burrë” nga Dafina Daka dhe “Pa vlla” nga Alba Demiri dhe Genta Sefa në nënprogramin “Perceptions of Identity".

“DokuFest” është kurues dhe partner zyrtar i këtij festivali, filmat e të cilit do të shfaqen në institucionet kulturore të qytetit ku mbahet festivali, mirëpo të qasshëm do të jenë edhe në forma të tjera. “Filmat do të shfaqen në muzeun e Wiesbadenit, në kinemanë e Wiesbadenit dhe në muzeun e këtij qyteti, si dhe në kinemanë e famshme ‘Caligari’, do të shfaqen edhe në Muzeun e Filmit në Frankfurt, por për të gjithë ata në Gjermani filmat do të jenë të qasshëm përmes platformës online. Nga data 19 deri më 25 prill të gjithë filmat mund të shihen në platformën online përmes webfaqes së ‘goEast’ në tërë territorin e Gjermanisë”, ka thënë Bilibani. Sipas tij, ky program i “DokuFestit” të gjithë punën po e bën me qëllim për t’u dhënë mundësi regjisorëve të rinj për t’u avancuar dhe të shohin se si zhvillohet kinematografia botërore.

Përveç filmave kosovarë, pjesëmarrës në “goEast” është edhe filmi shqiptar i metrazhit të shkurtër, “Kënga e Pëllumbit” nga Eneos Çarka, që portretizon regjisorin i cili teksa lexon ditarët e gjyshit të tij të burgosur gjatë kohës së diktaturës në Shqipëri, njeh pëllumbin që i bëri të moshuarit shoqëri gjatë burgosjes, një shenjë që i vjen si reflektim mbi plagët e historisë së familjes së tij.

Festivali gjerman i filmit me traditë prej më shumë se dy dekadash sjell edhe panele dhe punëtori, seri filmash dhe biseda e projekte të përbashkëta me institucione kulturore e sociale.

Edhe “Vera andrron detin” garon në Holandë, ftesat për festivale nuk ndalen Kulturë “Vera andrron detin” garon në Holandë, ftesat për festivale nuk ndalen

Këtë vit ai hapet me filmin polak “The Balcony Film”, dhe do të ndajë gjithsej tetë çmime, ku kryesore janë çmimi për filmin më të mirë, ai për regjisorin më të mirë, për filmin më të mirë dokumentar dhe çmimi ndërkombëtar i kritikëve të filmit.