“Zambaku i artë” është çmimi kryesor i “goEast Film Festival” në Gjermani që i ndahet filmit më të mirë të kësaj ngjarjeje. Kësaj radhe ky çmim i është ndarë filmit nga Kosova “Vera andrron detin” duke rikonfirmuar se ky projekt kinematografik është i patejkalueshëm përballë jurive ndërkombëtare.
Në festivalin i cili vlerësohet si një prej më relevantëve për kinematografinë e Evropës Qendrore dhe asaj Lindore, Kosova ka pasur një listë të gjatë të filmave pjesëmarrës. “Pa Vend” i Samir Karahodës po ashtu ishte në konkurrencë zyrtare e filmat që janë prodhim i “DokuLabit” në kuadër të programit të “DokuFest” kishin një program të veçantë në këtë festival.
Juria ndërkombëtare e kryesuar nga Jasna Gjuriçiq, derisa ka ndarë çmimet e sivjetshme, Çmimin për filmin më të mirë, “Vera andrron detin”, e ka arsyetuar: “Çmimi për filmin më të mirë i shkon një filmi për luftën e një gruaje kundër një bote primitive mashkullore kundër një maskuliteti të degraduar, i cili fatkeqësisht ende ka fuqi”.
Sipas ekipit të filmit, nën regji të Kaltrina Krasniqit e skenar të Doruntina Bashës, ky çmim ka peshë të madhe.
“Këtë vit kam udhëtuar shumë me filmin dhe shumicën e kohës jam vetëm. Këtë herë Teuta, e cila bart rolin kryesor në këtë film ishte me mua dhe kjo e bëri këtë ngjarje shumëfish më të vlefshme. Kisha nevojë që të gjitha lavdet që i pranoj në emër të saj ajo t’i marrë personalisht dhe ashtu u bë”, ka thënë regjisorja Kaltrina Krasniqi.
Producenti Shkumbin Istrefi ka thënë se janë krenarë për punën që kanë bërë.
“Ky është çmim shumë i rëndësishëm për filmin, sepse është çmim i fituar në një festival shumë prestigjioz dhe në konkurrencë tejet të fortë. Filmi ‘Vera andrron detin’ po shfaqet nëpër të gjithë botën dhe po sjell çmime. Jemi krenarë për punën tonë”, ka thënë producenti Shkumbin Istrefi për çmimin që ka vlerë financiare prej 10 mijë eurosh.
“Vera andrron detin” goditi qysh me premierë botërore në shtatorin e vitit të kaluar në edicionin e 78-të të Festivalit të Filmit në Venecie, kur garoi në kategorinë “Orizontti”. Prej aty u hapi rrugë shumë sukseseve të tjera, nga të cilat së fundi edhe gara në festivalin e filmit “goEast”, që e riktheu filmin në Gjermani pas më pak se gjysmë viti nga premiera gjermane në edicionin e 70-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Mahnheim-Heidelberg. Festivali gjerman i filmit “goEast” me traditë prej më shumë se dy dekadash sivjet kishte edicionin e 21-të dhe mbahet në Wiesbaden.
Agjenda e filmit “Vera andrron detin” po bëhet edhe më e ngjeshur, kur ndërkohë që do të marrë pjesë në një festival, ai po shfaqet në kinematë në anën tjetër të botës.
“Momentalisht filmi është duke u shfaqur në Cleveland dhe Seattle në SHBA. “Vera...” prodhuar nga “Punëtoria Kreative Isstra” ka rrëmbyer shumë çmime, nga të cilat edhe atë për filmin më të mirë në nëntor të vitit të kaluar, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tokio, që është ndër festivalet më të mëdha në kontinentin e Azisë. Ndërkohë pritet që edhe gjatë gjithë këtij viti filmi të shfaqet në tërë botën. “Vera...” paraqet portretin e një gruaje, e cila lufton një realitet të vrazhdë të pabarazive gjinore, që janë të rrënjosura thellë në shoqëri edhe në ditët e sotme. Përditshmëria e qetë e Verës çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hap rrugë për një sërë kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat.
Filmi ka arritur të prezantojë profesionalizëm dhe kualitet të lartë, pavarësisht buxheteve me të cilat prodhohen filmat në Kosovë.
“Pa Vend” i Samir Karahodës, që po ashtu ishte në konkurrencë nëpërmjet dy personazheve kryesore, Jetonit dhe Ermeganit, fakton historinë e vërtetë të luftës për mbijetesë të një klubi të pingpongut në kohën e pasluftës. Trajton tematikën e mungesës së mbështetjes institucionale për pingpongistët, për sportistët e rinj, për talentet e reja. Ky film është vlerësuar me shumë çmime, ku në “Sundance Film Festival” siguroi çmimin e parë teksa në Festivalin e Filmit në Cannes ishte përzgjedhur në mesin e 10 filmave për çmimin kryesor, “Palma e Artë”. Triumfoi edhe në Festivalin e Filmit në Toronto, duke vulosur sukseset në tri prej top-5 festivaleve, qe i nominuar edhe për “European Film Awards” e u kualifikua edhe për “Oscar”.
Në “goEast Film Festival” si partner i festivalit, “DokuFesti” shpalosi një program të veçantë, në të cilin u prezantuan filmat dokumentarë të metrazhit të shkurtër të studentëve në kuadër të programit edukues “DokuLab”.
“Programi i ‘DokuFestit’ atje është një program enkas i kuruar në bashkëpunim me festivalin ‘goEast’, nuk është në kategorinë e garës, pra nuk është pjesë e programit garues, por është si program special, ku do të prezantohen shtatë filma në dy nënprograme nga vajzat e reja regjisore, të cilat kanë qenë pjesë e trajnimeve në programet e ndryshme edukative që i kemi pasur”, kishte thënë para festivalit Eroll Bilibani, i cili përveç si producent i filmit “Pa Vend”, është edhe udhëheqës i “DokuLabit”.
Programi i “DokuLabit” në këtë edicion të festivalit u hap nga Bilibani, së bashku me regjisoret e reja Alba Demiri dhe Sonja Azizaj, ku u prezantuan shtatë filma gjithsej. “Shtojzovalle” nga Flutura Balaj, “Pa përkufizim” nga Era Skivjani, “Laetitia” nga Laureta Paçarizi, “I am not just a ...” i Sonja Azizajt është lista e filmave të “DokuLab” në “goEast Film Festival”. E “The Art of Personal”, përderisa “In Rainbows” nga Vlera Azizi, “Burrë” nga Dafina Daka dhe “Pa vlla” nga Alba Demiri dhe Genta Sefa, ishin në nënprogramin “Perceptions of Identity". Festivali i mbajtur prej 19 deri më 25 prill sivjet u hap me filmin polak “The Balcony Film”.