Menjëherë pasi Kimi Antonelli siguroi titullin e parë, duke u bërë kampioni botëror më i ri në historinë e Formula 1, Lewis Hamilton dhe Max Verstappen u shprehën njëzëri në vlerësimin e tyre për arritjen e 20-vjeçarit.
“E pabesueshme”, thanë të dy.
Vlerësimi kishte peshë të madhe. Po vinte nga dy legjenda të Formula 1. Dhe më e veçantë bëhet që në garën që siguroi titullin, atë të Meksikës, Antonelli ndau podiumin me këta dy titanë.
“Patjetër që do ta vë fotografinë në kornizë dhe do ta vendos në shtëpinë time. Është vërtet një moment i pabesueshëm”, tha Antonelli.
“Të shoh kaq shumë respekt nga dy ngasës të jashtëzakonshëm, që kanë bërë historinë e këtij sporti, është diçka vërtet e veçantë, një moment që do të mbetet gjallë dhe do të mbahet mend përgjithmonë”.
Marrë për bazë suksesin, Antonelli duket i destinuar që t’u bashkohet atyre në listën e më të mëdhenjve të të gjitha kohërave.
Talenti i italianit nuk vihet më në dyshim.
Titulli i parë i Antonellit vjen në fund të sezonit të tij të dytë në F1. Kur ai u përfshi në ekipin e Mercedesit vitin e kaluar, për të zëvendësuar Hamiltonin, kishte vlerësime se i mungonte përvoja. Në një pjesë të vitit të kaluar ai dukej i tillë. Pati momente premtuese, por në përgjithësi ishte një sezon debutues i pasigurt, që nuk i përmbushi pritshmëritë se Antonelli mund të ishte talenti i madh i gjeneratës së re.
Kur u bë e qartë se Mercedesi do të niste sezonin 2026 me bolidin më të mirë, ishte shoku i tij i skuderisë, George Russell, që konsiderohej favorit për titull të kampionit. Por kjo llogaritje nuk e merrte për bazë përparimin e jashtëzakonshëm që Antonelli bëri gjatë dimrit të kaluar.
Ai e përfundoi garën e parë menjëherë pas Russellit. Në garën e dytë e arriti fitoren e parë. I shënoi pesë fitore rresht dhe mori kontrollin e garës. Dhe më nuk është dukur sikur mund ta humbte kampionatin e Formula 1.
Edhe kur epërsia e hershme e Mercedesit u neutralizua nga rivalët, Antonelli ishte aty, gjithnjë faktor vendimtar. Kjo nuk mund të thuhet për Russellin.
Nuk kishte garë mes ngasësve të Mercedesit. Ishte dominim i një ngasësi të vetëm, Antonellit. Dhe kjo është meritë e përparimit që ka bërë ai dhe vazhdimësisë së jashtëzakonshme.
Pos Hamiltonit e Verstappenit, lavdet nuk i kurseu as Lando Norris, tashmë ish-kampioni.
“Titulli nuk ka mundur të shkojë te një person më i përshtatshëm. Është i sinqertë, shumë i sjellshëm dhe këtë vit ka garuar në mënyrë të pabesueshme. Shumë më mirë se që është mundur të pritet prej tij”, ka thënë Norris.
Sipas tij, Antonelli është përballur me ngasësit më të mirë në botë, të gjithë me vetura shumë të mira, dhe i ka lënë të gjithë pa fjalë.
“Shpresoj që të gjithë t’i japin vlerësimin e duhur për atë që ka arritur këtë vit. Ai duhet të jetë shumë krenar. Ka hyrë në histori dhe unë jam jashtëzakonisht i lumtur për të”, ka theksuar Norris.
Antonelli ka pranuar se vështirësitë e stinorit të parë e kanë ndihmuar.
“Disa njerëz thoshin se nuk e kisha vendin në F1, apo që nuk isha gati. Në një moment vitin e kaluar ndoshta edhe dukej ashtu. Por kjo më ndihmoi të përballesha me ato situata dhe më bëri shumë më të përgatitur këtë vit”, ka thënë kampioni.
Antonelli u bë kampion me 20 vjet e 68 ditë. Sebastian Vettel e mbante rekordin si kampioni më i ri. Në vitin 2010 ai u shpall kampion me 23 vjet e 133 ditë.