Në kinemanë verore të Bashkisë Neapoli-Sykies të Selanikut në Greqi, vazhdon me sukses shfaqja e filmit kosovar “Vera andrron detin”, i Kaltrina Krasniqit me producent Shkumbin Istrefin, ku të mërkurën Komuniteti Shqiptar i Selanikut do të zhvillojë një mbrëmje tematike.
Tashmë, nuk përbën më lajm befasues paraqitja e kinematografisë kosovare në festivalet dhe veprimtaritë kinematografike në gjithë botën.
Përkundrazi, kritikët e kinematografisë presin me kërshëri paraqitjen e radhës së filmit të ri kosovar. Bile në atë masë sa gazetari grek dhe kritik i kinematografisë, Harallambos Imvridhis, shkruan: “Vepra më e mirë që na shfaqën vendet e Ballkanit sivjet, na erdhi nga Kosova”.
Gjerësisht, kritiku kinematografik, Harallmbos Imvridhis, shkruan në revistën prestigjioze kulturore greke “Odhos Panos” lidhur me Festivalin e 62-të Ndërkombëtar të Kinemasë në Selanik më 2023: “Vepra më e mirë që na shfaqën vendet e Ballkanit sivjet, na erdhi nga Kosova. Tre filma, prej tri femrave të vlerësuara me medalje në festivale ndërkombëtare. Tri diamante kinematografike me femra heroina që ngren lart shtatin dhe dinjitetin e tyre përkundër një shoqërie patriarkale, duke luftuar për jetën, për familjen dhe për lirinë”.
“Filmi ‘Vera andrron detin’ i Kaltrina Krasniqit tregon anën e pamëshirshme e një shoqërie të zhytur në korrupsion, e një shoqërie e cila akoma edhe sot femrat i trajton si qenie të dorës së dytë. Dhe ky film është vlerësuar me Medaljen e Parë në Festivalin e Tokios, dhe dy medalje të tjera në Festivalin e Venecias”, shkruan kritiku grek.
“Filmi ‘Zgjoi’ i Blerta Bashollit është vlerësuar me tri medalje në Festivalin e Sundance. Trajtohet historia e vërtetë e një gruaje që ka vuajtur shumë nga lufta e Kosovës, por me punë dhe këmbëngulje arriti të triumfojë me sukses në jetë, duke përballuar paragjykimet e paparashikuara të një shoqërie patriarkale. Filmi ‘Në kërkim të Venerës’ i Norina Sefës ishte vlerësuar me Medaljen e Jurisë Kritike në Festivalin e Roterdamit. Një film ekspresiv i adoleshencës revolucionare të karakterit njerëzor në kërkim të lirisë individuale, përkundër pushtetit prindëror në një mjedis mbytës shoqëror”.
Edhe
“Vera andrron detin” testohet edhe para publikut vendor
Midis shumë artikujve të tjerë vlerësues për kinematografinë kosovare, përzgjodhëm këtë përkushtim të kritikut grek të kinematografisë, Harallambos Imvridhis, nën kujdesin e të cilit po shfaqet në këtë periudhë filmi kosovar “Vera andrron detin” në kinematë verore të Bashkisë së Neapolit-Sykies në Selanik të Greqisë.
(Autori është kryetar i Komunitetit Shqiptar të Selanikut)