Vera andrron detin”, me regji të Kaltrina Krasniqit dhe skenar të Doruntina Bashës, ka ndezur edhe projektorët në New York. Për publikun atje është shfaqur në kuadër të “Athena Film Festival”. Filmi, skenari dhe regjia e të cilit është përgatitur nga dy gra dhe për tematikë ka fuqinë e gruas, ka qenë edhe festë për ekipin dhe suksesin e tyre. Aktualisht po shfaqet edhe në Britaninë e Madhe në kuadër të “Wales One World Film Festival”
Rrëfimi për gruan që punon si përkthyese e gjuhës së shenjave e përballet me fatkeqësi të cilat në një botë patriarkale i nxjerrin shumë telashe, tashmë ka shëtitur anembanë globit. Por, flimi nga Kosova është duke e vazhduar rrugëtimin bashkë me mesazhet që bazohen në një rrëfim sa lokal aq edhe universal.
"Vera andrron detin” me regji të Kaltrina Krasniqit dhe skenar të Doruntina Bashës ka ndezur edhe projektorët në New York. Për publikun atje është shfaqur në kuadër të “Athena Film Festival”. Filmi, skenari dhe regjia e të cilit është përgatitur nga dy gra dhe për tematikë ka fuqinë e gruas, ka qenë edhe festë për ekipin dhe suksesin e tyre. Ky është edhe vetë misioni i festivalit. Sukseset kanë qenë të njëpasnjëshme prej kur u dha premierë botërore në Festivalin me nam të Venecias në shtator të 2021-s e ato po vazhdojnë edhe sot. Aktualisht po shfaqet edhe në Britaninë e Madhe në kuadër të “Wales One World Film Festival”.
Arti kinematografik vazhdimisht po e depërton një copëz historie shqiptare e edhe universale edhe në skajet më të largëta të botës. Filmi “Vera andrron detin” ka shëtitur gjithandej rrëfimin për gruan e guximshme Verën që godet mentalitetin patriarkal.
Të dielën mbrëma kjo histori ka ndezur projektorët edhe në New York në Festivalin nëpërmjet të cilit synohet forcimi i grave krijuese që përcjellin histori dhe nxisin gratë në rrjetën e filmit. Atje ka qenë e pranishme regjisorja Krasniqi e cila ka prezantuar filmin para audiencës dhe u është përgjigjur pyetjeve të tyre.
“Kaltrina ka treguar se si ajo duhej të riedukonte veten për të parë filmin nëpërmjet syve të grave, njerëzve të çuditshëm dhe njerëzve me ngjyrë, dhe për të menduar rreth historive nëpërmjet shikimit dhe se si lidhen historitë tona. Që atje ajo mund të mendonte në mënyrë autentike për personazhet e saj, duke përfshirë personazhet burra, dhe se si ato ndikohen nga rrethanat e tyre, nga pushteti dhe nga bota përreth tyre”, shkruhet në njoftimin e Festivalit në lidhje me shfaqjen e filmit “Vera andrron detin”.
Regjisorja Kaltrina Krasniqi i ka thënë KOHËS se filmi ka pasur një pritje shumë të mirë.
“Si zakonisht, rrëfimi i bartur prej Teuta Ajdini-Jegenit u komentua shumë pozitivisht. Kjo nuk është hera e parë që filmi shfaqet në Shtetet e Bashkuara, ai premierën e ka pasur në ‘AFIFest’ në vitin 2021, por që atëherë ftohet në vazhdimësi në Amerikë, gjë që më bën shumë të lumtur”, ka thënë ajo.
Prioritet i “Athena Film Festival” janë filmat që vënë në pah lidershipin e grave nga këndvështrime të paeksploruara. Më saktë, grave udhëheqëse nga të gjitha vendet dhe hapësirat, të cilat u rezistojnë dhe hedhin poshtë nocionet e paramenduara për gjithçka që mund të jenë dhe të bëjnë. Edicioni i 13-të që është mbajtur nga 2 deri në 5 mars ka përfshirë 12 dokumentarë, 16 filma të shkurtër dhe 12 narrativë, kategori në të cilën është përfshirë filmi kosovar.
Pos në New York, “Vera andrron detin” është shfaqur të hënën edhe në Britani të Madhe në kuadër të “Wales One World Film Festival” në edicionin e 13-të të festivalit. Pos në kinema, filmi do të shfaqet edhe në platformat online të festivalit britanik duke nisur nga 10 marsi.
Në filmin 87 minutësh luajnë aktorët Teuta Ajdini, Alketa Sylaj e Rafet Abazi. Sjell rrëfimin e Verës, interpretueses së shenjave gjuhësore në televizionin publik, për jetën pas humbjes së bashkëshortit gjykatës, Fatmir Gashi (Xhevat Qorraj), i cili vetëvritet në moshën 65-vjeçare. Ai e merr këtë vendim pikërisht në kohën kur planifikojnë që shtëpinë e tyre në fshat ta shesin, sepse aty planifikohet një autostradë. Një banesë e re, mobilie e dekore të reja e një pushim në bregdet janë planet e Verës. Mirëpo e gjithë rrjedha e ngjarjes ndërron me aktin tragjik.
Përveç humbjes, Vera tashmë përballet me diçka tjetër. Kushëriri i bashkëshortit të saj, Ahmeti (Astrit Kabashi), ia kumton lajmin se Fatmiri ia ka lënë trashëgim shtëpinë pikërisht atij. Në fillim ajo beson se ky është një avaz për pasuri, mirëpo kur kupton që Fatmiri ishte marrë me bixhoz dhe e kishte humbur atë, mendimi detyrimisht i ndërrohet. Pavarësisht guximit të madh të saj dhe moskomunikimit të situatës me vajzën e saj Sara, përplasjet i vijnë një pas një.
Prej kur “Vera andrron detin” pati premierën botërore në edicionin e 78-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecie ka udhëtuar në Kajro e në Tokio ku triumfoi. Krasniqi u bë e para regjisore që mori çmimin kryesor të Festivalit Ndërkombëtar në Tokio dhe e futi për herë të parë një film nga vendi në garë zyrtare të këtij festivali.
Filmi vazhdimisht ka marrë kritika pozitive. Nga “Variety” është cilësuar si rrëfim magjepsës plot emocione për çlirim në shoqërinë shtypëse. “...‘Vera andrron detin’, vizioni i një hapësire të gjerë të kaltër që shtrihet deri në një horizont të largët, mund të kthehet në heshtje e në diçka politike për një të vejë, e cila befas ndien peshën e patriarkatit kosovar mbi supet e saj tashmë të rënduara”, shkruante “Variety” për filmin.
Deri tani filmi ka rrëmbyer një sërë çmimesh përfshirë: për filmin debutues ndërkombëtar në kategorinë garuese të “Ingmar Bergman” në Festivalin e Filmit në Göteborg; çmimin special të jurisë, “Aleksandri i argjendtë” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Selanik; çmimin “Golden Sun” në festivalin evropian të filmit “CineDays”, në Shkup; fitues i trefishtë -çmimin për filmin më të mirë në kategorinë kryesore “Cine Ballkan Panorama”, si dhe atë për aktoren më të mirë (Teuta Ajdini-Jegeni) dhe aktorin më të mirë (Refet Abazi) në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tetovë; Regjisorja më e mirë në “PriFilmFest” e disa çmime të tjera.
Pikërisht në “PriFest” u dha premiera kombëtare kur e hapi edicionin e 14-të të këtij festivali më 20 shtator e një javë më pas do të ndizte edhe projektorët e kinemave në Kosovë, por edhe më gjerë. Ekranet e kinemave për filmin janë ndezur edhe në shumë shtete të Evropës.