Si testim i shijeve të publikut dhe mësim nga audienca ka nisur rrugëtimi i “Vera andrron detin” i Kaltrina Krasniqit nëpër kinema. Konferenca për media të mërkurën në “Cineplexx” i ka paraprirë rrugëtimit të radhës, tash para audiencës shqiptare. Përveç Prishtinës, destinacionet janë Prizreni, Gjakova, Shkupi e Tirana
Një javë pas premierës vendore, kur hapi edicionin e 14-të të festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFest”, filmi “Vera andrron detin” ka ndezur projektorët e kinemave në Kosovë, por edhe më gjerë. Rrëfimi për gruan e guximshme e fjalëpakë Vera (Teuta Ajdini-Jegeni), që godet mentalitetin patriarkal, vjen para audiencës shqiptare – në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Shkup e Tiranë – pas rrugëtimit në Festivalin e Venecias në shtatorin e vjetëm, ku pati premierën botërore, për të vazhduar e korrur sukses si ai “Grand Prix” në Tokio, “Zambaku i artë” në “goEast Film Festival” të Gjermani e shumë të tjerë.
“Cineplexx” në Prishtinë të mërkurën ka qenë pikënisja e filmit të Kaltrina Krasniqit për këtë turne të radhës. Në konferencë për media regjisorja Krasniqi ka thënë se ishte e këndshme premiera në “Pri Fest” e edhe tash kur publiku i gjerë do ta shohë filmin.
“Nuk e di qysh ka me e pritë publiku se kinematografia jonë është e re dhe me gjithsecilin film na mësojmë se çka po këqyrë audienca dhe çka ka qejf me pa. Është një test i mirë me e pa”, ka thënë ajo.
Për gjithë këtë rrugëtim e ka pranuar se premiera botërore në Venecie ka qenë fat për ta, për shkak se ka qenë një mundësi e artë. E për përshtypjet e audiencës ndërkombëtare ka thënë se ata kur e shohin filmin s’e etiketojnë patriarkatin si gjeografik. Tema rrjedh vetvetiu dhe problematikat janë globale.
“Kur njerëzit e shohin Verën, në princip nuk iu duket se ky tregim është specifikisht duke ardhur nga një vend specifik në Ballkan për shkak se gratë e kësaj gjenerate historikisht janë ballafaquar me probleme të ngjashme”, ka thënë ajo. Sipas Krasniqit, patriarkati s’jeton veç në Kosovë, por te çdo kulturë që është e pranishme ka karakteristikat e veta.
“Jemi duke e kuptuar një fakt shumë të thjeshtë, që problemet tona globalisht janë shumë të ngjashme. Dialogu është shumë i rëndësishëm për shkak se na ndihmon me dalë prej ciklit të viktimizimit, edhe në vend që me qenë si viktima, me përjetu veten si të mbijetuar të sistemeve”, ka thënë ajo.
Për aktoren e cila në rol e luan vajzën e Verës, Alketa Sylaj, ky film sjell një qasje krejt ndryshe për marrëdhëniet vajzë – nënë dhe për portretimin e aktoreve në kinematografi.
“Roli i Sarës është shumë interesant për aktorë për shkak që unë e portretizoj një aktore. Krejt aktorët e kanë dashninë e andrrën me lujtë një aktor në film. Është interesant se në momentin që e kupton që ki me luajtë një aktore të vjen ajo ideja ‘okej, çfarë aktoreje është ajo?’, ka thënë, duke shtuar se në këtë film është përtej “fateve fatale” që iu atribuohen.
Sipas saj, gratë në këtë film kanë më shumë ngjyra dhe dalin përtej kornizave klasike.
“Në jetën time ka ndikuar me i pa marrëdhëniet me nanën time, shpesh harrojmë çka kanë kalu prindërit tanë, derisa është një periudhë e shkurtër, është interesant me elaboru këtë pjesë. Mëson shumë për jetën edhe veten”, ka thënë ajo.
Skenaristja Doruntina Basha me mjeshtërinë dramaturgjike të saj ka arritur që para publikut të sjellë dialogë përmbajtjesorë me pak fjalë. Për procesin e shkrimit të skenarit ka thënë se fillet kanë qenë vitin 2014.
“Ka filluar si një impuls kryesisht spontan, ide e shtytje për me shkru për Verën e asaj moshe, 65 vjeçe, e cila e ka një rrëfim profesional specifik. Është interpretuese e gjuhës së shenjave, edhe ideja ka qenë se kush është ajo në një ambient konservativ si shoqëria kosovare”, ka thënë Basha.
Ndërkaq portretizimi i një personazhi që përmbahet edhe para vetes ka qenë jo i lehtë i realizueshëm vizualisht. Drejtoresha e fotografisë, Sevdije Kastrati, ka thënë se përfundimi i filmit ka ardhur pas një diskutimi të gjatë me regjisoren.
“Tema e filmit është diçka që mendoj se krejt e kemi ditur, e kemi parë, e njohim në mënyra të ndryshme”, është shprehur ajo, teksa ka treguar se në këtë proces i ka ndihmuar analiza ndaj karakterit kompleks të Verës. “Jemi munduar me qenë afër Verës, çdo lëvizje ka qenë send që s’kemi dashtë me fsheh”, ka thënë ajo.
Titulli është tejet poetik. Ndërlidhet me skenat të cilat përsëriten në film. Deti njëherë është qetësia e Verës, mirëpo kuptimi i ndërron shpejt me rastin e vetëvrasjes së bashkëshortit të saj. Kështu sa herë që në gjumë iu shfaqet vetja duke notuar nëpër det, ajo ndien frikë e ankth.
“Titulli i filmit ka qenë gjithmonë ‘Vera andrron detin’. Deti si element ka qenë gjithmonë pjesë e filmit. Për mua ka qenë shumë i rëndësishëm si element kinematografik për shkak të natyrës së Verës, për shkak se ajo është tmerrësisht e përmbajtur, në ambiente familjare, në jetë private, në momente më serioze. Ka qenë e rëndësishme me zhvillua një element kinematografik që më lejon me u penetru në karakterin e saj”, ka thënë Krasniqi.
Filmi “Vera andrron detin” sjell rrëfimin e Verës, interpretueses së shenjave gjuhësore në televizionin publik, për jetën pas humbjes së bashkëshortit gjykatës, Fatmir Gashi (Xhevat Qorraj), i cili vetëvritet në moshën 65-vjeçare. Ai e merr këtë vendim pikërisht në kohën kur planifikojnë që shtëpinë e tyre në fshat ta shesin, sepse aty planifikohet një autostradë. Një banesë e re, mobilie e dekore të reja e një pushim në bregdet janë planet e Verës. Mirëpo, e gjitha rrjedha e ngjarjes ndërron me aktin tragjik.
Përveç humbjes, Vera tashmë përballet me diçka tjetër. Kushëriri i bashkëshortit të saj, Ahmeti (Astrit Kabashi), ia kumton lajmin se Fatmiri ia ka lënë trashëgim shtëpinë pikërisht atij. Në fillim ajo beson se ky është një avaz për pasuri, mirëpo kur kupton që Fatmiri ishte marrë me bixhoz dhe e kishte humbur atë, mendimi detyrimisht i ndërrohet. Pavarësisht guximit të madh të saj dhe moskomunikimit të situatës me vajzën e saj, Sara, përplasjet i vijnë një pas një.
“Fatmiri djalë s’ka pasë për me ia lanë shpinë. Kurrë s’ka ndodhë që baba me ia lanë çikës shpinë”, është njëra prej fjalëve të burrave të fshatit, të cilët dëshmojnë për Ahmetin. Por, rrëfimin e plotë publiku vendor tashmë ka mundësi ta zbulojë në ekranet e mëdha të vendit.