Me përfundimin e afatit për ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, PZAP-ja ka regjistruar gjithsej shtatë ankesa lidhur me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, të gjitha të dorëzuara më 2 shkurt dhe që aktualisht janë në shqyrtim.
Ankesa e fundit e regjistruar, me numër rasti 80, sipas tw dhwnave tw PZAP-sw është dorëzuar nga subjekti politik Lista Serbe, e cila ka paraqitur ankesë ndaj vendimit të KQZ-së. Rasti ndodhet aktualisht në procedurë shqyrtimi.
Dy ankesa janë dorëzuar nga kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.
Njëra prej tyre ka të bëjë me shpërndarjen e ulëseve në Kuvend, ndërsa tjetra lidhet me parregullsi të pretenduara gjatë numërimit të votave me postë.
Ndërkohë, dy ankesa janë parashtruar nga subjekti politik Nova Demokratska Stranka (NDS), të cilat lidhen me pretendime për parregullsi me vota, konkretisht me fletëvotimet.
Ankesa të ngjashme për parregullsi në votim kanë paraqitur edhe Koalicioni PAI–PDAK–LPB, si dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK).
Të gjitha rastet, sipas PZAP-së, ndodhen “në progres”, që nënkupton se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.
Për këto ankesa PZAP-ja ka 96 orë kohë që të vendosë.