Zgjedhjet 2025

PZAP-ja pranon shtatë ankesa në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve

Ankesat e parashtruara ndaj rezultatit përfundimtar kanë shtyrë certifikimin e për rrjedhojë edhe konstituimin e Kuvendit. Në ditën e fundit të ankesave, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, subjektet politike janë ankuar për parregullsi me vota, për votat e diasporës e për mospërfshirje në rezultatin përfundimtar

Shtatë ankesa janë dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja të shtunën.

Prej tyre, dy janë dorëzuar nga kandidati për deputet i PDK-së, Bekim Haxhiu. 

Njëra për përfshirjen e mbi 23 mijë pakove të fletëvotimeve të ardhura nga jashtë në rezultatin përfundimtar. E tjetra për, siç pretendon Haxhiu, cenim të mandatit të fituar në Kuvend.

“Afatet zgjedhore dhe barazia e votës nuk janë rekomandime, ato garantojnë barazinë e votës dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor. Asnjë vendim administrativ i KQZ-së nuk mund të ndryshojë ligjin dhe Kushtetutën. Nuk kërkoj privilegj. Kërkoj vetëm zbatim të barabartë të ligjit dhe Kushtetutës. Mbrojtja e votës së ligjshme është mbrojtje e demokracisë”, ka thënë Haxhiu.

Ai nuk arriti për pak të fitojë ulëse në Kuvend, e nuk ishte pjesë e këtij institucioni as në legjislaturën e fundit.

Dy ankesa për parregullsi me vota janë bërë edhe nga Partia e Re Demokrate, e kryesuar nga Emilja Rexhepi.

Një ankesë është dorëzuar nga koalicioni PAI-PDAK-LPB e një nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.

E Lista Serbe është ankuar ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që në rezultatet përfundimtare të mos përfshijë edhe rezultatin e kësaj partie.

Në mbledhjen e KQZ-së të shtunën, anëtarët e LVV-së votuan kundër, derisa të tjerët abstenuan.

Ndaj vendimit të PZAP-së, palët brenda 48 orësh mund të ankohen edhe në Gjykatën Supreme, e cila ka kohë pesë ditë të shqyrtojë e të vendosë për ankesat e pranuara.

Vetëm pas shqyrtimit të të gjitha ankesave në dy instancat ankimuese, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i hapet rruga për certifikimin e rezultateve, vendim pas të cilit mund të nisin konstituimi i Kuvendit e formimi i Qeverisë.