Mjeshtri i artit japonez, Katsushika Hokusai, po nderohet me një ekspozitë të madhe të re në Romë. Më shumë se 200 vepra të tij – përfshirë edhe të famshmen “Great Wave” (Vala e Madhe) – janë ekspozuar për të shënuar 160-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Italisë dhe Japonisë. Hokusai (1760-1849) ishte mjeshtri i padiskutueshëm i “Ukiyoe”, një stil i veçantë i artit japonez, emri i të cilit do të thotë “pamje të botës lundruese”
Një nga veprat më të njohura të artit japonez është: “Great Wave Off Kanagawa” e mjeshtrit Katsushika Hokusai. Gravura në dru nga shekulli XVIII paraqet në mënyrë të famshme tri varka që përplasen nga një stuhi. Ajo është një nga më shumë se 200 veprat e piktorit dhe gdhendësit, që ekspozohen në Romë.
Ekspozita është më gjithëpërfshirësja e dedikuar mjeshtrit të padiskutueshëm të artit japonez që është organizuar ndonjëherë në Itali. E shënon 160-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Italisë dhe Japonisë, dhe ndjek gjithë karrierën krijuese të artistit, nga veprat e rrënjosura në traditë e deri te krijimet e tij më revolucionare.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoFrancesca Villanti, historiane arti dhe këshilltare shkencore e ekspozitës deklaroi: “Për herë të parë në Itali prezantohet një koleksion nga Muzeu i Krakovit, një koleksion i jashtëzakonshëm i mbledhur nga një admirues i madh i artit japonez të fundshekullit të 19-të, i cili ia dhuroi të gjithë koleksionin e tij Muzeut të Krakovit, pas vdekjes në vitin 1920. Është pra një koleksion i pasur dhe gjithëpërfshirës, i mbledhur nga një admirues i madh i Hokusait, i përzgjedhur me rigorozitet, kujdes dhe me një dashuri e pasion të vërtetë për gravurat e këtij artisti japonez.”
Hokusai (i cili jetoi nga viti 1760 deri më 1849) ishte mjeshtri i padiskutueshëm i “Ukiyoe”. Ky është një stil i veçantë i artit japonez, emri i të cilit do të thotë “pamje të botës lundruese”, duke iu referuar mjedisit të gjallë socio-ekonomik dhe kulturor që u zhvillua në fillim të shekullit XVII.
Përmes gdhendjeve të tij në dru, Hokusai festoi bukurinë e përkohshme, duke kapur jetën e përditshme dhe peizazhet e periudhës “Edo”, me një realizëm dinamik që në atë kohë dukej revolucionar.
“Ajo që na bën përshtypje te Hokusai është kuptimi i tij i thellë për natyrën – pjesërisht sepse ajo është një pjesë kaq thelbësore e kulturës japoneze – dhe mënyra si ai e kap madhështinë dhe përmasën e saj. Gjithmonë ekziston një kontrast me njeriun, i cili ka nevojë për natyrën, merr energji dhe fuqi prej saj, por mbetet i vogël përballë saj. Për shembull, tani ndodhemi në sallën e ujëvarave, ku ndihet kjo energji dhe fuqi që buron nga uji – një nga elementët kryesorë të kulturës japoneze – ndërsa figura e njeriut është gjithmonë e pranishme, por shumë e vogël dhe duhet kërkuar me vëmendje. Kjo është pikërisht ajo që synonte Hokusai”, ka thënë Villanti.

Veprat vijnë nga koleksioni prestigjioz i Muzeut Kombëtar në Krakov. Për herë të parë, muzeu ka huazuar veprat e tij në Itali për ekspozitën e parë të madhe monografike mbi Hokusain, jashtë Polonisë.
Muzeu polak zotëron një koleksion kaq të madh të artit japonez falë Feliks Jasieńskit, një emigrant dhe koleksionist polak i shekullit XIX, i cili zhvilloi një pasion të thellë për artin japonez gjatë qëndrimit në Paris. Në vitin 1920, ai i dhuroi rreth 20 mijë objekte muzeut.
“Besoj se paraqesim një gamë shumë të mirë të aspekteve të ndryshme të krijimtarisë së mjeshtrit japonez. Për shembull, vëzhgimi i njerëzve, njerëzit në udhëtim, mënyra të ndryshme të paraqitjes së figurës dhe objekteve nga perspektiva të ndryshme. Një tjetër element është kompozimi, absolutisht i jashtëzakonshëm. Edhe tani qëndrojmë përballë valës më të madhe dhe më të famshme në botë dhe shikoni si na tërheq thellë në kompozimin e tij. Ai është mjeshtër i kompozimit dhe i diagonaleve”, ka thënë Beata Romanowicz, kuratore e ekspozitës.
Hokusai është i njohur për aftësinë e tij për të bashkuar traditën mijëravjeçare lindore me perspektivat perëndimore. Vepra e tij ndikoi jo vetëm pasuesit japonezë, por edhe mjeshtrit e impresionizmit evropian, nga Monet te Van Goghu, si dhe kulturën bashkëkohore popullore.

“Ajo që është vërtet e jashtëzakonshme – dhe që më vonë u përvetësua nga bashkëkohësit dhe pasuesit e tij, si Hiroshige, duke ushtruar një ndikim të madh tek artistët perëndimorë – është fakti se shoqëria njerëzore paraqitet sikur të ishte një peizazh natyror, për shkak të lidhjes së thellë që populli dhe kultura japoneze kanë me natyrën. Impresionistët u prekën thellë nga kjo ide, se njerëzimi mund të shihet si pjesë e natyrës”, shpjegon Ada Lombardi, profesoreshë e historisë së artit oriental në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë.
Ekspozita përfshin gjithashtu “manga” – fletoret e jashtëzakonshme të skicave nga të cilat buron edhe vetë termi “manga” – një fjalë që Hokusai e përdori për të përshkruar vizatimet e tij spontane dhe plot humor.
Përveç veprave të Hokusait, ekspozita paraqet mbi 180 objekte të tjera, përfshirë kostume tradicionale, për të treguar lidhjet midis artit japonez, jetës dhe kulturës.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 29 qershor në “Palazzo Bonaparte”.