Një ekspozitë e artistes, Yayoi Kusama, është bërë ekspozita më e suksesshme e organizuar ndonjëherë në muzeun “Ludwig” të Këlnit. Më shumë se 450 mijë vizitorë kanë kaluar nëpër galeritë e muzeut për të parë veprat e artistes ekscentrike japoneze, 97-vjeçare
Pika të verdha dhe tentakula, një dhomë pafundësie me pasqyra që reflekton pa fund përmbajtjen e saj plot ngjyra – janë vetëm disa nga elementet karakteristike të artit të Yayoi Kusamas.
Të gjitha këto ishin pjesë e ekspozitës në muzeun “Ludwig” në Këln.
Ekspozita ka thyer çdo rekord, duke u bërë më e vizituara në historinë e muzeut. Në netët e fundit, muzeu qëndroi i hapur deri në orët e para të mëngjesit, ndërsa vizitorët prisnin në radhë përreth bllokut për të parë edhe një herë veprat e artistes japoneze 97-vjeçare.
“Për muzeun ‘Ludwig’ kjo ka qenë ekspozita më e suksesshme. Muzeu ynë feston 50-vjetorin dhe ekspozita e Kusamas tërhoqi afro 470 mijë vizitorë. Ata erdhën, u kënaqën, ua rekomanduan miqve të tyre dhe ndanë përvoja në Instagram. Edhe në natën mbyllëse të ekspozitës, deri në orën dy të natës, kemi pritur disa mijëra vizitorë”, ka thënë Rita Kersting, zëvendësdrejtoreshë e muzeut “Ludwig”.
Rekordi i mëparshëm i përkiste ekspozitës së Edward Hopper, të organizuar në vitet 2004–2005, e cila kishte tërhequr rreth 380 mijë vizitorë.
Edhe
Ekspozita me veprat e Frida Kahlos me rekord biletash para hapjes
Ekspozita përfshin 300 vepra të Kusamas, duke filluar nga vizatimet e fëmijërisë së saj e deri te instalacionet më të fundit.
“Kusama sjell një këndvështrim artistik krejt të veçantë. Ekspozita është njëkohësisht argëtuese dhe prekëse, dhe kjo është shumë e rrallë. Është një përvojë që të argëton por edhe të emocionon”, ka shtuar Kersting.
Yayoi Kusama është një nga artistet më të njohura bashkëkohore, e specializuar në artin pop, iluzionet optike dhe teknikat minimaliste. E lindur në Japoni në vitin 1929, ajo u rrit mes kungujve në fermën e familjes. Pjesën më të madhe të fëmijërisë e kaloi në serrën dhe fidanishten e familjes në Matsumoto, në Japoninë rurale të para Luftës së Dytë Botërore. Ky peizazh në dukje i qetë u bë sfondi i trazimeve të saj mendore dhe një burim frymëzimi për krijimtarinë artistike. Nëna e saj ishte fizikisht dhe emocionalisht abuzive, ndërsa Kusama ka treguar se që në moshë të vogël përjetonte halucinacione të shpeshta pamore dhe dëgjimore. Ajo ka jetuar gjatë gjithë jetës me sfida të shëndetit mendor, të cilat e çuan të vendoste vullnetarisht të jetonte në një spital psikiatrik. Arti i saj, si edhe obsesioni me përsëritjen dhe hapësirat e pafundme, janë bërë mënyra për të përballuar ankthin me të cilin jeton çdo ditë.
Muzeu “Ludwig” konsiderohet një nga institucionet më të rëndësishme evropiane të artit modern dhe bashkëkohor, falë koleksionit të tij të pasur, që përfshin vepra të rëndësishme të artit pop, ekspresionizmit gjerman dhe fotografisë.
“Jemi jashtëzakonisht të lumtur. Kjo është ekspozita jonë më e suksesshme deri më sot, me afro 470 mijë vizitorë. Ajo është njëkohësisht argëtuese dhe prekëse, një kombinim që nuk e gjen shpesh në qasjet artistike. Për më tepër, ajo paraqet një perspektivë femërore”, ka deklaruar Kersting.
Në vitin 1966, Kusama u bë qendra e vëmendjes në Bienalen e Venecias, kur nisi të shiste 1.500 sferat me pasqyra të instalacionit të saj, “Narcissus Garden”. Ekspozita me titull “Yayoi Kusama” e shoqëron këtë instalacion të famshëm me pamje nga performanca e artistes “Flower of Basara” e vitit 1985. Pas vdekjes së mikut të saj të ngushtë, artistit Joseph Cornell, Kusama u kthye në Japoni në vitin 1973. Katër vjet më vonë u rikthye në New York. Fillimisht fitoi më shumë vlerësim si shkrimtare sesa si artiste pamore. Në vitin 1987, Muzeu Komunal i Artit në Kitakyushu organizoi retrospektivën e saj të parë, ndërsa dy vjet më vonë Qendra për Artet Bashkëkohore Ndërkombëtare në New York hapi të dytën.
Në vitin 1993, Kusama përfaqësoi Japoninë në Bienalen e Venecias me dhomën e saj të pafundësisë me temë kungullin, e cila pati një sukses të jashtëzakonshëm dhe e ngriti në famë botërore. Që atëherë, institucionet artistike kanë konkurruar për të organizuar ekspozita gjithnjë e më të mëdha të artistes.
Vetëm dy vjet më parë, Galeria Kombëtare e Viktorias në Australi njoftoi me krenari se po organizonte një nga ekspozitat më të mëdha të Kusamas, me 10 dhoma pafundësie – numri më i madh i mbledhur ndonjëherë në një vend. Megjithatë, retrospektiva e muzeut “Ludwig” përfshin edhe 100 vepra të tjera, si dhe një dhomë të re pafundësie. Janë pikërisht detajet mes këtyre veprave që dëshmojnë se vetë Kusama mbetet spektakli më i madh.
Edhe
Gjysmë shekulli pritje për shpalosjen e kubizmit në Azi
“Yayoi Kusama” qëndroi e hapur në muzeun “Ludwig” në Këln deri më 2 gusht, dhe tani do të zhvendoset në muzeun “Stedelijk” në Amsterdam, ku do të hapet kah mesi i muajit shtator.
Marrë nga “Associated Press” & “Artnet News”