Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Ekspozita me veprat e Frida Kahlos me rekord biletash para hapjes

frida

Ekspozita “Frida: The Making of an Icon”** do të jetë e hapur për publikun në Tate Modern nga 25 korriku deri më 3 janar të vitit të ardhshëm.

Madonna e koleksionon artin e saj. Veprat e saj thyejnë rekorde në ankande. “Netflix” po zhvillon një serial për jetën e saj. Madje, ajo është bërë edhe subjekt i një opere.

Tash, veprat e piktores meksikane Frida Kahlo kanë fituar edhe një tjetër arritje të rëndësishme. Ekspozita “Frida: The Making of an Icon”, e cila hapet këtë muaj në “Tate Modern” të Londrës, ka shitur paraprakisht 41 mijë bileta, duke vendosur rekord për këtë institucion. Ky numër tejkalon 32 mijë biletat e shitura paraprakisht për ekspozitën e David Hockneyt në vitin 2017.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Jemi vërtet të mahnitur nga kjo”, ka deklaruar Catherine Wood, drejtoreshë e përkohshme e “Tate Modern”.

Muzeu e ka prezantuar ekspozitën si të parën madhore që shqyrton mënyrën se si Kahlo u shndërrua në një “ikonë globale” dhe në një ndikim të rëndësishëm për breza të tërë artistësh. E organizuar në bashkëpunim me Muzeun e Arteve të Bukura të Houstonit, ekspozita do të përfshijë më shumë se 30 vepra të artistes, së bashku me fotografi dokumentare, objekte personale dhe punime nga një numër artistësh që pasqyrojnë ndikimin e saj të thellë.

Ndër veprat më të rëndësishme do të jenë disa nga autoportretet më ikonike të Kahlos, përfshirë “Self-Portrait (With Velvet Dress)” nga viti 1926 dhe “Self-Portrait with Loose Hair” nga viti 1938. Sipas “Tate Modern”, përmes këtyre veprave artistja ka përqafuar trashëgiminë e saj meksikane, identitetin e saj queer, idealet feministe dhe përvojën si grua me aftësi të kufizuara.

Në ekspozitë do të përfshihet edhe artisti Diego Rivera – bashkëshorti i saj, një nga muralistët më të mëdhenj meksikanë dhe vetë ikonë ndërkombëtare – me vepra si portreti i Frida Kahlos i realizuar rreth vitit 1935.

Megjithëse Kahlo kundërshtonte të etiketohej si surrealiste, artistët e kësaj rryme e përqafuan atë. Themeluesi i surrealizmit, André Breton, e ka quajtur atë si “një surrealiste e krijuar nga vetvetja”. Galeria “Julien Levy” në Neë York, një nga mbështetëset kryesore të surrealizmit në Shtetet e Bashkuara, i organizoi ekspozitën e saj personale në vitin 1938. Më pas, Breton e ftoi të ekspozonte në Paris, ku shteti francez bleu autoportretin e saj të vitit 1938, “The Frame”. Kjo vepër do të ekspozohet krahas punimeve si “Diego and Frida” (1929), “Survivor” (1938), “Memory (The Heart)” (1937) dhe “Girl with a Death Mask” (1938).

Në ekspozitë do të prezantohen edhe artiste të tjera latino-amerikane të lidhura me surrealizmin, si Kati Horna dhe Leonor Fini. Ato do të shqyrtojnë interesimin e tyre për imazhe karakteristike të kësaj rryme artistike, si vdekja, ëndrrat, maskat dhe skeletet.

Pas vdekjes së Kahlos në vitin 1954, lëvizja “Chicano” në Shtetet e Bashkuara e adoptoi atë si simbol gjatë viteve 1960. Në vitet 1980 dhe 1990, artistë meksikanë si Nahúm B. Zenil dhe Georgina Quintana, të frymëzuar nga Kahlo, krijuan vepra që ripërdornin në mënyrë kritike imazhet tradicionale meksikane dhe kulturën popullore. Ndikimi i saj global pasqyrohet gjithashtu në veprat e artisteve dhe artistëve si Judy Chicago, Ana Mendieta, Yasumasa Morimura dhe Kiki Smith.

Në zgjerimin e famës së saj ndërkombëtare ka ndikuar edhe biografia e artistes, e shkruar nga Hayden Herrera në vitin 1983, e cila tashmë është përkthyer në më shumë se 25 gjuhë.

Ekspozita trajton gjithashtu fenomenin e njohur si “Fridamania”, pra komercializimin e veprës, imazhit dhe stilit të artistes. Sot figura e saj përdoret për promovimin e produkteve të ndryshme, nga tekila dhe parfumet deri te kukulla Barbie me portretin e saj.

Megjithatë, ky fenomen nuk është pa polemika. Mbesa e saj e madhe, Cristina Kahlo, e ka cilësuar komercializimin e Fridës si “një shpatë me dy tehe”, duke thënë se “në njëfarë mënyre e shtrembëron atë që ajo ishte në të vërtetë: një artiste e madhe”.

(Marrë nga Art News)