Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Gjysmë shekulli pritje për shpalosjen e kubizmit në Azi

kubizmi

Ekspozita do të paraqesë vepra nga 54 artistë, përfshirë emra të mëdhenj si: Pablo Picasso, Georges Braque dhe Fernand Léger (Foto: AP)

Mbi njëqind vepra arti nga Qendra për Art dhe Kulturë “Pompidou” në Francë, janë huazuar në një muze të ri arti në Seul. Qendra e re u krijua përmes një partneriteti mes fondacionit kulturor “Hanwha” të Koresë së Jugut dhe “Pompidou” së Francës, që u mbyll në vitin 2025 për rinovim pesëvjeçar. Kjo është ekspozita e parë madhore e kubizmit në Azi në 50 vjetët e fundit

(The Associated Press) – Qendra “Pompidou Hanwha” në Korenë e Jugut po prezanton ekspozitën e saj inauguruese, “The Cubists: Inventing Modern Vision” (Kubistët: Shpikja e Vizionit Modern), përpara hapjes zyrtare të muzeut muajin e ardhshëm, më 4 qershor.

Sipas fondacionit kulturor “Hanwha”, ekspozita do të përfshijë mbi njëqind vepra arti të huazuara nga qendra “Pompidou” në Paris.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ekspozita do të paraqesë vepra nga 54 artistë, përfshirë emra të mëdhenj si Pablo Picasso, Georges Braque dhe Fernand Léger.

Presidenti i qendrës “Pompidou”, Laurent Le Bon, ka thënë se kjo është ekspozita e parë madhore e kubizmit në Azi në 50 vjetët e fundit.

“Kubizmi është një zgjedhje sfiduese dhe mund të them se kjo është ekspozita e parë madhore e kubizmit në Azi në 50 vjetët e fundit, me më shumë se 100 vepra, përfshirë ato nga qendra ‘Pompidou’ dhe, siç tha presidenti Li, edhe vepra nga artistë të ndryshëm koreanë. Kjo është një dinamikë themelore që na dukej thelbësore dhe zgjedhja e kubizmit do të thotë thjesht zgjedhja e lëvizjes më të madhe artistike të fillimit të shekullit të 20-të, ajo që na ndihmoi ta shohim botën në një mënyrë tjetër dhe për ne, fillimi me këtë projekt nënkuptonte dërgimin e një sinjali të fortë”.

Shtatorin e kaluar, qendra e artit “Pompidou” në Paris mbylli dyert për pesë vjet punime rinovuese. Azbesti do të hiqet nga të gjitha fasadat e saj, siguria kundër zjarrit do të përmirësohet dhe disa kate – përfshirë katin përdhes – do të rikonfigurohen plotësisht, me një nivel të ri të dedikuar për fëmijët.

Përmes programit të vet muzeu “Pompidou” po huazon veprat artistike në të gjithë Francën dhe pjesën tjetër të botës (Foto: AP)

Fillimisht i quajtur “Notre Dame i Tubave” nga kritikët, kur u hap në vitin 1977, “Pompidou” përfundimisht fitoi zemrat e parisienëve dhe turistëve, duke u bërë një nga monumentet më të fotografuara të qytetit. Ajo është gjithashtu shtëpia e një koleksioni të gjerë veprash arti.

Laurent Le Bon ka thënë se pavarësisht se muzeu është i mbyllur, qendra “Pompidou” është “më e gjallë se kurrë”. Përmes programit të saj “Constellation”, muzeu po huazon veprat artistike në të gjithë Francën dhe pjesën tjetër të botës.

“Për ata që nuk e njohin mirë qendrën ‘Pompidou’, dua t’ju kujtoj një gjë: disa mendojnë se ne jemi të mbyllur, por kjo nuk është e vërtetë, ne jemi më të gjallë se kurrë. Kemi nisur një program ambicioz, ‘Constellation’, ndaj sot mund të them thjesht se ky është një nga projektet tona më të bukura që do të fillojë të shkëlqejë”, ka thënë Le Bon.

Ndërtesa e qendrës së porsahapur në Seul, “Pompidou Hanwha”, është një rinovim i plotë i ish-aneksit të ndërtesës ikonike, “63 Building”.

Aneksi më parë strehonte një akuarium dhe u rinovua nga arkitekti francez Jean-Michel Wilmotte, i cili ka punuar në rinovimin e Muzeut të Louvreit dhe të aeroportit ndërkombëtar të Koresë Jugore “Incheon”.

Ndërtesa e re katërkatëshe përmban dy galeri kryesore ekspozimi.

“Në festimin e 140-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Koresë dhe Francës, ne po hapim ‘Pompidou Centre Hanwha’ përmes një partneriteti me qendrën ‘Pompidou’ në Francë. Gjatë katër vjetëve të ardhshëm, planifikojmë të prezantojmë kryevepra të njohura botërore të artit modern, së bashku me ekspozita globale arti të kuruara nga ekipi ynë. Duke shkuar përtej prezantimit të artit të huaj për publikun vendas, synojmë të shërbejmë si një urë për ta ngritur artin korean në skenën globale përmes rrjetit të gjerë ndërkombëtar të ‘Pompidou’”, ka thënë drejtoresha e ekspozitave, Jade Keunhye Lim.

Qendra “Pompidou Hanwha” hapet zyrtarisht më 4 qershor 2026.

Marrë nga “The Associated Press”. Përktheu: Edona Binaku