Bisedimet e Kombeve të Bashkuara për Klimën, të njohura si COP31 kanë dështuar të dielën, pasi Bashkimi Evropian dhe vende të tjera kundërshtuan projektmarrëveshjen përfundimtare të paraqitur nga presidenca e COP31, e drejtuar nga Turqia dhe Australia, duke e cilësuar atë tepër të dobët për të çuar përpara luftën kundër ngrohjes globale.
Pas më shumë se dy javësh negociatash, të cilat duhej të përfundonin të premten, por që vazhduan edhe gjatë fundjavës, presidenti i COP31 nga Turqia, Murat Kurum, ka thënë gjatë seancës përmbyllëse se nuk ishte arritur miratimi i një marrëveshjeje.
“Është e qartë se në këtë sallë ka palë që e kundërshtojnë këtë tekst. Ne e pranojmë se nuk ka konsensus për këtë dokument. Prandaj, këto vendime nuk janë miratuar”, ka thënë ai.
Herën e fundit që bisedimet e OKB-së për klimën përfunduan pa një marrëveshje të miratuar nga të gjitha palët ishte në vitin 2009, në Kopenhagë.
Dështimi i kësaj radhe vjen në një kohë kur vëmendjen e kanë marrë krizat e njëpasnjëshme, përfshirë luftërat dhe pakënaqësinë e qytetarëve për koston e jetesës, të cilat kanë lënë në hije problemet e shkaktuara nga ngrohja e klimës.
Ministri irlandez i Mjedisit, Darragh O'Brien, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk mund ta mbështeste marrëveshjen e propozuar, pjesërisht sepse në të nuk përmendeshin fare lëndët djegëse fosile, të cilat, sipas shkencëtarëve, janë shkaktari kryesor i ngrohjes globale.
“Është e papranueshme që të kemi një akt për klimën që nuk i referohet fare lëndëve djegëse fosile dhe as kalimit drejt braktisjes së tyre”, ka thënë ai.
Edhe Panamaja ka deklaruar se nuk mund ta mbështeste tekstin aktual, pasi ai nuk i përgjigjej përmasave të krizës klimatike.
COP-i i këtij viti është i pari që nga konfirmimi, në tetor, nga organi mjedisor i OKB-së, se rritja e temperaturës globale pritet të tejkalojë 1,5 gradë celsius. Ky është pragu që vendet u zotuan të mos e tejkalonin në konferencën e klimës në Paris, më shumë se një dekadë më parë, pasi përtej tij ndikimet e fenomeneve ekstreme të motit bëhen më të rënda.
Marrëveshja e propozuar e pranonte se ky prag do të tejkalohej, por bënte thirrje për zhvillimin më të shpejtë të teknologjive për largimin e karbonit nga atmosfera, me qëllim që kjo rritje të kthehej përfundimisht në nivele më të ulëta.
Vëzhguesit në vendin ku po mbahej samiti kanë thënë se Arabia Saudite dhe vende të tjera të mëdha prodhuese të naftës kishin ushtruar presion të fortë gjatë negociatave për të mos përfshirë në tekst referenca të qarta ndaj lëndëve djegëse fosile, ndërsa kishin kërkuar përfshirjen e teknologjive për largimin e karbonit.
Shkencëtarët thonë se largimi i karbonit nga atmosfera, i kombinuar me ulje të ndjeshme të emetimeve, është thelbësor për të shmangur pasojat më të rënda të ndryshimeve klimatike.
Megjithatë, kritikët e marrëveshjes kanë thënë se kishin frikë se formulimet për largimin e karbonit do të përdoreshin si justifikim për të vazhduar nxjerrjen e naftës.
Një përfaqësues i delegacionit saudit ka thënë në samit se ishte i befasuar nga kundërshtimi ndaj teknologjisë.
“Nëse sfida klimatike është vërtet aq e rëndësishme, siç kanë thënë disa sot, atëherë nuk ka kuptim që zgjidhjet, zgjidhjet konkrete... të hiqen nga tryeza”, ka thënë ai.
Procesi i COP-it është mekanizmi kryesor përmes të cilit vendet bashkërendojnë përpjekjet për të frenuar ngrohjen globale. Samiti vjetor u ofron shteteve mundësinë të tregojnë gatishmërinë për të bashkëpunuar në gjetjen e zgjidhjeve dhe financimin e përballimit të problemeve të shkaktuara nga rritja e temperaturave.
Edhe pse ky dështim përbën një goditje për përpjekjet për të shtuar veprimet ndërkombëtare në luftën kundër ndryshimeve klimatike, mungesa e një deklarate politike të përbashkët në Antalia nuk i anulon detyrimet e miratuara në samitet e mëparshme dhe as nuk i heq kornizat teknike dhe ligjore që rregullojnë veprimet shumëpalëshe kundër ndryshimeve klimatike.